Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Alehandra Pizarnik vjen në shqip nga Bajram Karabolli

HIJE E DITËVE QË VIJNË

Nesër

me hirin e të vdekurve

do të ma veshin agimin,

me lule do të ma mbushin gojën.

Do të mësohem të fle

në kujtesën e një muri,

në frymëmarrjen

e një kafshe në gjumë të thellë.

KUJTESË

Harpë qetësie

ku frika bën folenë.

Rënkim hënor i gjërave

që do të thotë mungesë.

Hapësirë ngjyre e mbyllur.

Dikush godet dhe përgatit

një arkëmort për kohën,

tjetër arkëmort për dritën.

I MUNGUARI

I

Gjaku kërkon të ulet

I kanë vjedhur arsyen e dashurisë.

Mungesë lakuriqe.

Hutohem, dalldisem.

Ç’do t’i thosha botës nëse Zoti

do ta kishte braktisur ashtu?

II

Pa ty

dielli bie si një i vdekur i braktisur,

pa ty

e marr veten në krahët e mi

dhe e shpie në jetë

për të lypur afsh.

HIRI

Nata u copëtua nga yjet

duke më parë në kllapi

ajri hedh urrejtje

duke hijeshuar fytyrën e tij

me muzikë.

Së shpejti do të ikim

Ëndërr e fshehtë

paraardhëse e buzëqeshjes time

bota është ligur

dhe ka zinxhir por jo çelës

dhe ka tmerr por jo lot.

Ç’do të bëj me veten time?

Se prej Teje jam kjo që jam

Por nuk kam të nesërme

Se prej Teje…

Vuan nata.

Nga origjinali në shqip: B. K.

Shënim: Alehandra Pizarnik (Alejandra Pizarnik 1936 – 1972) – Poete e shquar argjentinase, përfaqësuese e rëndësishme e surealizmit poetik. Ishte bija e një çifti emigrantësh rus me origjinë ebreje. Pati një fëmijëri të komplikuar. Vuante nga një sëmundje lëkure dhe fliste gati me belbëzim. Këto lanë gjurmë dhe minuan seriozisht personalitetin e saj. Për këtë arsye, qysh herët filloi të merrte amfetamina, gjë që i provokuan pagjumësinë dhe çrregullime të tjera.

Mbaroi Universitetin e Buenos Airesit për letërsi, gazetari dhe filozofi (1957). Jetoi në Paris (1960 – 1964), ku përktheu disa poetë të shquar francezë dhe publikoi poezi dhe kritika në gazeta të ndryshme. Aty krijoi miqësi me Hulio Kortazarin, Roza Çakelin dhe Oktavio Pazin. U kthye në Buenos Aires (1964), ku botoi vëllimet më të rëndësishme të saj me poezi: Punët dhe netët (1965), Nxjerrja e gurit të çmendurisë (1968) dhe Ferri muzikor (1971). Fitoi bursën Guggenheim (1969) dhe atë Fullbright (1971). Këto vite jetoi në Nju Jork. Më 1971 shkroi në prozë Kontesha gjakatare. Më 1972, si pasojë e gjendjes së saj depresive, shtrohet në spitalin psikiatrik Pirovano të Buenos Airesit. Më 25 shtator 1972, në moshën 38 vjeçare, kur kishte dalë prej këtij spitali, me një leje për fundjave, i jep fund jetës, duke gëlltitur 50 hapje Seconal. La si trashëgim 16 libra, shumica e të cilëve janë vëllime me poezi.

Please follow and like us: