Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: Magjia e detit

– Unë e dua detin, por peshkun e dëshëroj më shumë, – i tha Vesa shtrirë në rërë shoqes së saj.

– Peshkun lavrak apo peshkaqenin, – u tall  Vela.

 – Jo po iriqin e detit, – e përqeshi Vesa.

Shoqet e tyre po laheshin në det pranë bregut deri pesëdhjetë metra larg, ku ujë u vinte deri në grykë. Hargalisjet e klithmat e vajzave po i bezdisnin plazhistët e moshuar.

– Kemi ardhur këtu për qetësi, jo të na shurdhojnë veshët këto tarallake, – i tha së shoqes një burrë rreth të pesëdhjetave aty nën çadër.

-Ç’ke me to, po argëtohen, – ia ktheu e shoqja, një bukuroshe e pjekur nga Dielli. Ai mori një gazetë dhe ashtu shtrirë u kthye në anën tjetër. Ishte gjinekolog i njohur. Në kokën tullace mbante një kashtore goxha të madhe. Kishin dy vajza, më e madhja kishte shkuar me të shoqin në Theth e Valbonë për alpinizëm të lehtë, tjetra kishte shkuar për plazh në Sarandë me të dashurin.

– Edhe ty sikur ta ka ënda të lahesh me ato zoçka, – foli ai pa i hequr sytë nga gazeta.

– Mos llap marrëzira, o plak grindavec! – ia ktheu ajo si me të qeshur.

Ai u ngrit me vrull. Nuk dinte ç’të bënte i acaruar nga fjalët e saj. Pa një karrocë që po kalonte bregut. I zoti thërriste sikur këndonte: Akullore, akullore, janë e s’janë lulebore…

Doktori  mori nga çanta e Dritës ca të holla dhe shkoi drejt bregut duke u hedhur pupthi mbi rërën e nxehtë. Vajzat, që e kishin parë karrocën, u sulën duke llapashitur ujin dhe rrethuan akulloreshitësin.

– Na prit sa të marrim lekët, – i thanë. Doktori bleu një kaush me vanilje dhe u kthye në çadër duke e lëpirë.

– Po për mua nuk bleve? – e pyeti Dita. Ai u ul pranë saj. Nuk i foli. Ajo e kuptoi se ai ishte i fyer. U ngrit, shkundi rërën nga trupi i djersitur, mori në çantë ca lekë dhe shkoi te karroca që tashmë ishte rrethuar nga vajzat që i kërkonin akulloreshitësit llojet e akulloreve.

– Zonja Dita, paskeni ardhur dhe ju këtu?! – Iu afrua një vajzë e gjatë me flokët e prerë si djalë. Ishte një fqinje. Pasi mbaruan akulloret, fqinja i tha Dritës duke e kapur për krahu: – Do të vish të lahesh me ne?

Dita qeshi një grimë. Hodhi sytë nga çadra e saj. I shoqi ishte shtrirë mbi rërë me kashtoren mbi fytyrë. “Me siguri e ka zënë gjumi”, tha me vete.

– Shikoni, – ngriti zërin njëra nga vajzat, – dallgët po tërbohen, ejani hidhemi mbi to!

Vajzat u turrën duke klithur. Edhe Drita mes tyre. Sapo uji i kaloi gjunjët, u hodh me kokë dhe nisi të notojë me krol. Po ndiente mornicat që i përfshinin trupin… po i kujtohej fëminia dhe tërbimi i rinisë. Ujët i rrëshqiste nëpër trup si një përkëdhelje e butë e ëmbël… Ajo u jepte krahëve e këmbëve sikur donte të arrinte diçka që e kishte harruar në errësirën e viteve të shkuara.

Krahët nisën t’i lodheshin; ia ktheu të notojë brinjas me notë marinari. Vazhdoi t’u japë duarve me ngadalë; frymëmarrja iu qetësua… As që mendonte sa larg bregut ishte larguar. U kthye në shpinë dhe krahët i hidhte si e dehur. I bëhej se dëgjonte zërat e dikurshëm të djemve e vajzave si klithnin e bërtisnin “Forca Drita! Forca”! në garat e notit në vitet e gjimnazit. I dukej sikur ishte në ëndërr dhe ata zëra i dukeshin si tinguj të hareshëm gazmorë. Sipër saj fluturonte një pulëbardhë dhe asaj i dukej sikur po i bënte shoqëri.

U lodh. “Ku po shkoj kështu”? pyeti veten. U kthye dhe vazhdoi të notonte në shpinë, pastaj brinjas për t’u çlodhur… Pa nga bregu dhe nuk u besoi syve. Përmes qiqërimës mbi ujë dalloi njerëzit që i dukeshin fare të vegjël. “Mos kam shkuar më shumë se pesqind metra”?!

Ujët lëviste pa drejtim…

Kur po i afrohej bregut atje pa një turmë njerëzish. Vajzat gazmore që hyn me Dritën në det e përshëndesnin me duart lart duke bërtitur. Atje ishin mbledhur dhe plazhistë të tjerë kureshtarë. Ashtu gati e raskapitur Dita doli në breg, e turpëruar që krijoi atë situatë që se kishte përjetuar ndonjëherë.

Duke shtrydhur flokët, Drita i tha me zë të ulët: – Po bëja garë me veten – dhe u largua me vrap.

Nën çadër i zuri syri një copë letër gazete, ku ishte shkruar: E TËRBUAR! I shoqi kishte marrë teshat e tij dhe ishte larguar. Ajo qeshi me veten. “E vërtetë” – tha.

20.5.2025.

Please follow and like us: