Albspirit

Media/News/Publishing

Kur lutja nuk flet shqip: Fe pa gjuhë, shpirt pa zë!

Ismet Hajrullahu

Në trojet tona, ku fjala shqipe ka qenë dhe mbetet mburojë, frymë dhe flamur, është mëse tronditëse që ajo mungon në çastin më të shenjtë, pikërisht në momentet kur ndahemi fizikisht dhe lutemi për të vdekurit.

Në shumë raste e ceremoni mortore, të ndjerët përcillen me fjalë që nuk i kanë kuptuar kurrë… Jo nga mungesa e besimit, por sepse fjala e lutjes nuk është në gjuhën e zemrës së tyre.

Lutjet në arabisht janë pjesë e traditës islame, fe e cila erdhi sëbashku me pushtimin osman te trojeve tona, për më shume se  500 vjet….

Lutjet janë fisnike dhe të shenjta për burimin që kanë, por kur ‘recitohet’ pa u kuptuar, kthehet në formulë që nuk përjetohet dhe në atë moment, kur shpirti ndahet nga trupi, të afërmit që e përcjellin të ndjerin nuk kanë nevojë për formalitete e fjalë që nuk kuptohen, por për fjalë që të rrënqethin dhe marrin kuptim vetëm në gjuhën amtare!

Është e vërtetë që në shumë ceremoni dëgjohet ndonjë fjali shqip pas lutjes në arabisht, si  “Zoti e mëshiroftë”, ose ndonjë thënie e zakonshme. Por ato lutje janë përkthim i zbehtë, jo përjetim.

Kur na dhemb shpirti, thërrasim e lutemi  në gjuhën që na e ka ushqyer nëna, bashke me qumështin e gjirit!

Kur kemi dhimbje, ne shqiptarët nuk themi: “Ya Rabi!’, por themi: “Oj nënë”! Kjo thirrje nuk mësohet, ajo del nga shpirti, është instinktive.

 Është gjuha e shpirtit, jo gjuhë e “importuar” nga çdo fe, apo religjion i mundshëm.

Atëherë përse, kur dikush ndahet nga kjo botë, të mos i flasim me gjuhën që ai e ka dashur gjatë gjithë jetës? A nuk është shqipja më e natyrshme, në një moment të tillë kaq të dhimbshëm?

Hoxhë Sherif Ahmeti nga Gumnasella-Bujaria e Lipjanit, e ka përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe, me synimin që fjala e Zotit të jetë e kuptueshme për të gjithë!

 Ai nuk kërkoi të zëvendësonte arabishten, por të hapte portën që njerëzit të hynin me zemër në përvojën shpirtërore.

Ky dijetar i nderuar e përktheu dhe komentoi Kuranin me pastërti gjuhësore dhe saktësi teologjike. Përkthimi i tij përdoret në shumë familje shqiptare, por pak përdoret në lutje. Ai mbetet në bibliotekë, por jo në ceremonitë e përcjelljes.

Pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, Kisha Katolike i lejoi që meshat të mbahen në gjuhën amtare. Katolikët shqiptarë luten në shqip prej dekadash. Feja nuk u dobësua që lutjet bëhen në shqip, por përkundrazi, bëhen  njësh e mishërohen me njeriun.

Po ashtu edhe të krishterët ortodoksë i mbajne meshat në gjuhën shqipe.

Po përse myslimanët shqiptarë nuk ndjekin të njëjtën rrugë që në ngushëllime, predikime, përkujtimore dhe lutje për të ndjerët, shqipja të jetë gjuha e shpirtit dhe e lutjeve  dhe  jo të shihet si pengesë për të ngushëlluar familjarët dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ndjerit…

Gjuha e jonë e bukur dhe e lashtë shqipe nuk është rival i fesë, por është ura e shpirtit!

Disa mund të thonë: “Zoti kupton çdo gjuhë”. Pikërisht! Atëherë pse mos të flasim me të në gjuhën që ne e ndjejmë më shumë?

Lutja në shqip nuk është tradhëti ndaj fesë. Është përqafim ndaj vetvetes, është dëshmi që Zoti nuk kërkon përkthyes, por ndershmëri!

Feja që nuk flet me gjuhën e zemrës nuk të afron me Zotin, përkundrazi,të largon nga vetvetja.

Ky shkrim nuk është kundër askujt, por është për të gjithë, për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar Biblën apo Kuranin, për të gjithë ata që flasin në emër të tyre duke i shtrembëruar faktet me injorancën e tyre, është për të gjithë ata hoxhallarë që harrojnë kombin, gjuhën shqipe dhe origjinën e tyre, për të gjithë ata që predikojnë martesat me të afërmit e tyre, për të gjithë ata që ia kanë shitur shpirtin djallit, e harrojnë që një ditë do japin llogari përpara Zotit!

Është koha që shqipja të kthehet në zemër të lutjes, ashtu siç luten të gjithë kombet e tjera ne gjuhët e tyre amtare!

Sepse, kur lutja flet shqip, ajo flet për  Zotin dhe Zoti është një!

Post Scriptum: Druaj se ata që nuk dinë arabisht, si kanë për të shkuar në xhenet-parajsë?!

Please follow and like us: