Cikël poetik nga Jaho Margjeka
Një poezi e dëshpëruar dhe njëzet këngë dashurie
KËNGË PËR VEHTE
Me e prit mëngjesin i lënduem,
Zbathë me dalë herët nëpër vesë,
Me shpërnda thirrje nëpër qytet, me
Hieroglifet e rrumbullakëta të emrit të saj.
*
E prapë me ra në një gjumë të thellë,
E me u zgjue pas njëqind vjetësh,e
Me qajtë tuj’ i lëmue hieroglifet e
Rrumbullakëta, të emrit të saj.
HOROSKOP
Më trembi
Heshtja jote.
Befas,
veten e zura
horoskopin
tënd
duke parë.
LULEZHGËNJIMI
Në vend
Të iluzionit
Po mbjell farën e
Zhgënjimit
Të paktën
Petale,
Lulezhgënjimi
Do të ketë.
KËMBANAT
The, shihemi
Në orën nëntëmbëdhjetë,
Afër kishës së Shën Palit.
Mbrëmje;
Ora fiks nëntëmbëdhjetë,
Nga kisha e Shën Palit
thekshëm
gjëmuan këmbanat.
TINGULLI
Tingulli thotë se
nuk je ne luginën
e gjelbër:
Në cilat kreshta vallë
po hepohet,
Planeti yt prej zjarri!
HONI
Në hon-mungesën
tënde
U rrokullisa,
Çfarë tjetër pas honit…
Veçse ndonjë udhë.
ËNDRRA
Plot dëshirim
Prapë e thirra
Gjumin
Harrova
S’paska motër
Ëndrra.
ZJARRET
Prometeu e Afërdita
Ndezën zjarre
Hipotetikisht po
Shuaj zjarrin e
Sa u vlen lëkura
Le të shohë njerëzia.
DRURËT
Në pamundësi
Për t’u përqafuar
Drejt njëri-tjetrit
Zgjasin degët-duar.
APOSTROFIKE
Drejt majës
Rruga plot lakadredha
Në majë të majës
Humnera.
KUMTI
Në një
Gjethe lisi
Do ta shkruaj
Kumtin tim.
SARKOFAG
Njerëzia
Të kujtojnë
Të vdekur
Ti, për bukuri
Jeton.
RRËFIMI
Në qytetin e luleve
Në muajin e luleve
Buzë lumit;
ku rriten lule,
Mbiu një lule!
DASHURIA
Përgjatë mundimit
Me ia lulëzue degët,
Gati ia premë trungun.
DËNIMI
Verë për verë
E, vit për vit
Do të ujis
Një vazo hipotetike
Me lule të bardha.
KËSHTJELLA
Kur para syve
E pashë të rrënohej,
Çela në zemër
Një kremte për mort.
TANI
Tani
e shoh si frymë
Me ojnat e saj
Tek lëkunden në erë.
DHIMBJA
Më dhëmb dhimbja,
Se nuk do t’më dhembin
dhimbjet e mia:
Për dhimbjen që shkoi.
KAPROLLJA
E ndeza zjarrin
në lugjet e verdha:
Jo për fajin tim
u dogj kaprollja e bukur.
IKJA
Nuk e ktheva kokën pas:
Në gojën e peshkaqenit
me i pà dëshirat e mia!
DALLËNDYSHET
Fluturojnë e ikin
Në formë V-je,
Pendëngarkuara:
përmallshëm
kthehen përsëri.