Albspirit

Media/News/Publishing

Dy fjalë për librin “Lutje në kohën e Sizifit”, të Jaho Margjekës

Arben Iliazi

Miku im i hershëm, Jaho Margjeka, një nga zërat më interesantë të poezisë së sotme, është një shembull i shkëlqyer se si funksion empatia në art e krijimtari. Në librin e tij të sapobotuar “Lutje në kohën e Sizifit”, botim i Shtëpisë Botuese Nacional, ai tregon empatinë njerëzore, ashtu siç e kemi njohur, apo do të donim ta njihnim. Miku im, për gati 40 vjet, që kur jemi njohur, në kohën kur ishim “letrarë të rinj”, dhe botonim te “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori” etj, pothuaj nuk ka ndryshuar fare. Është po ai tip i qetë, njerëzor, i ndjeshëm, i shtruar, pa pendesa, që ka përmbushur ëndërrat e tij me një këmbëngulje sizifiane.

“Prej dashurisë dhe urrejtjes/ jam ai që jam”, shkruan Margjeka në poezinë “Frikë me ngjyrë”. Apo “në vend të resë së bardhë/ të shoh grafinë e vetvetes” (poezia “Pak qiell dhome”).

Të gjitha poezitë e librit “Lutje në kohën e Sizifit” i janë kushtuar vetëeksplorimit kritik, që sundon jetën emocionale. Ato janë përjetime të drejtpërdrejta, që mbartin ide dhe mesazhe filozofike për të gjithë. Jaho Margjeka nuk dredhon; e sheh jetën dhe universin njerëzor në sy, reflekton me besim të gjerë te shpirti njerëzor.

“Mos u dridh ti shelg i vogël/I vogël sa artimi, i hollë sa dashuria! (Margjekaj, “Pse po dridhesh ti shelg i hollë“).

Të gjithë ne përballemi në jetë me të njëjtin tmerr, krimbin në palcën e ekzistencës, dhe vuajmë një çrregullim të çuditshëm si zhgënjimi, përballë eksplorimit të të gjitha frikërave, ku mund të ndihemi tepër të pështjelluar.

Te poezia “Lulezhgënjimi“, poeti Jaho Margjeka, shkruan: “Në vend/ Të iluzionit/Po mbjell farën e/ Zhgënjimit./Të paktën/ Petale/ Lulezhgënjimi/ Do të ketë“.

Ekzistencë do të thotë të dish si të rritesh, si të lulëzosh. “Pema në kornizë”, për poetin, është pikëllimi që i ha zemrën.

“Rrëketë ia gërryjnë

truallin e lashtë.

Era e zhvesh prej

gjelbërimit…

Zogjtë cicërojnë e

ikin. Akuareli

hepohet prej kornize,

xhami thyhet, e

pema s’është më.”

(Pema në kornizë)

Mbështetur mbi faktet ekzistenciale të jetës poeti Jaho Margjeka nuk rreket të japë shpresë të rreme dhe mesazhin thelbësor nuk e mbështet mbi ëndërra fluide, me portretizime të imazheve të pavetëdijshme, ato që Frojdi i quante “shtegu i artë drejtë të pavetëdijshmes”. Te poezia e Margjekës ëndërrat janë shtegu i artë drejt kuptimit të marrëdhënieve njerëzore, aq të lashtë, që buron nga legjendat dhe mitologjia. Ëndrra që përjetohet në këto poezi është një përvojë zgjimi nga makthet ekzistenciale, që përçojnë mesazhe nga pjesët e thella të unit, zgjojnë lexuesin dhe e paralajmërojnë për t’u përballur me faktet ekzistenciale të jetës. Ky është kompromisi që ka bërë poeti në ekzistencë.

Në këtë libër Jaho Margjeka zbulon të vërtetat, me një urtësi që vjen nga përvoja e jetës së tij.

“Besuar se kisha/ se thinjet guri” (Guri i thinjur).