Në Prishtinë hapet Teatri i Poezisë – Iniciativë unike nga poeti Lulzim Tafa
Jeton Kelmendi
Prishtinë, 18 qershor 2025 – Mbrëmë, kryeqyteti përjetoi një ngjarje të rrallë dhe të bukur artistike: në zemër të Prishtinës u hap zyrtarisht Teatri i Poezisë, një iniciativë unike që vjen nga poeti dhe miku im, Lulzim Tafa.
Kjo hapësirë e veçantë kulturore është ngritur brenda shtëpisë së poetit, duke kthyer ambientin e jetës së përditshme në një tempull të fjalës së ndjerë dhe të mendimit poetik. Në këtë mbrëmje të paharrueshme, poeti jo vetëm që zyrtarizoi nisjen e këtij projekti artistik, por edhe promovoi librin e tij të ri – një antologji personale, që përmbledh poezitë më përfaqësuese nga krijimtaria e tij ndër vite.
Në këtë event morën pjesë poetë, artistë, studiues, miq të artit dhe dashamirë të fjalës së shkruar, të cilët përjetuan një atmosferë intime, të mbushur me poezi, frymëzim dhe reflektim.
Teatri i Poezisë i Lulzim Tafës synon të jetë një qendër alternative kulturore, ku poezia do të luhet, lexohet, interpretohet dhe do të takohet me publikun në mënyra të reja e të thella. Kjo nismë sjell një dimension të ri të artit poetik në Kosovë dhe hap dyert për ngjarje që e bëjnë poezinë pjesë të përditshmërisë kulturore.
Me këtë veprim të guximshëm dhe artistik, Lulzim Tafa jo vetëm që e forcon pozitën e tij si një nga zërat më të rëndësishëm të poezisë moderne shqipe, por edhe krijon një trashëgimi të gjallë për brezat e ardhshëm.