Viron Kona: Luleshitësi i lagjes sonë
Është nga Maliqi, nga qyteti i sheqerit,
zemra e tij është mjaltë, edhe mirësi,
ka shpirtin të bukur, të pastër si lulet,
luleshitësi i lagjes e ka emrin Nexhmi.
*
Vendos vazot bukur në hijen e një lisi,
i mirëpret klientët e zëëmbël bisedon,
për çdo pyetje ai përgjigjet me hollësi
pastaj syndritur lulet e tij prezanton:
*
Kjo është gentiana,i ka lulet t’verdha,
vlerat e saj mjekësore i njeh dhe bota,
i ka bërë dikur të njohura mbreti Gent,
ai vetë e ka zbuluar në malet tona.
*
Ja dhe ky borziloku magjik, famëmadh,
me vlera kuruese më të rrallat në botë,
është kryeerëza e kërkuar mbretërore,
asnjë nga erëzat s’e konkuron dot.
*
Eh, s’duhet t’mbaj me hatër asnjë lule
se ja po më bëhet ca xheloze aloevera,
te bukuria e kësaj zonje t’mbeten sytë,
kurse si bimëshëruese ka shumë vlera!
*
Ç’të të rrëfej për trëndafilin pa gjemba,
sapo e prek gjaku në zemër të vërshon,
s’quhet kot “dashuri me shikim të parë”
hë djalë, kape rastin, zogu tej fluturon!
*
Kjo është gladiola, latinisht “gladiolus”,
quhet “shpatë e shkurtër”, ti e kupton,
si shpatë ka qenë armë e gladiatorëve,
si lule, të bën për vete e të skllavëron!
*
S’duhet ta harroj bukuroshen shafran,
përdorur për vlerat e saj që n’lashtësi,
s’është quajtur kot “bimë e mrekullive”
shpëton jetë, por edhe sjell kënaqësi.
*
Eh, s’rri dot pa rrëfyer për rozmarinën,
barbarozën, balsamin, violën, karafilin,
po dhe për tulipanin elegant donzhuan,
për livandën, manxuranën e jaseminin…
*
Kështu luleshitësii përmend me radhë,
lëvdon lulet e tij sikur t’i kishte fëmijë,
janë me shpirt, janë të bekuara, thotë,
sjellin aroma, bukuri, shëndet e miqësi.
*
Duke u larguar me vazo me lule n’duar,
rikujtoj bisedën me luleshitësin Nexhmi,
rikujtoj kur ai u pëshpërit ëmbël luleve,
kur i lëvdon edhe i përkëdhel me dashuri.
………………
Kushtuar agronomit Nexhmi Laraku, sot luleshitës në rrugën “M. Shyri”, Tiranë.