Alush Milori, valltari legjendë i Kurveleshit, bardi i rrallë i këngës e valles së Labërisë
Sejmen Gjokoli: “Korifejtë”-2
ALUSH MILORI, LEGJENDA E VALLES SË KURVELESHIT
Kur më njoftuan se duhet të paraqitesha në Pallatin e Kulturës në Tepelenë besoj do të duheshin rreth dy muaj të fillonte Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.
Ishte viti 1983 dhe po bëheshin pesë vite që kisha nisur punën si inxhinier në minierën e Memaliajt të Tepelenës.
Por siç ishte koha, bëhej edhe punë por edhe këngë, sidomos aktivitetet kulturore ishin pjesë e jetës së përditshme edhe për fronte të tilla pune siç ishte miniera, puna nën tokë.
Kur mbrita në afërsi të pallatit të Kulturës, nga ndërtesat më të bukura të kohës në qytetin e Tepelenës, një jehonë këngësh labe si të vinin prej ndonjë dasme të madhe aty afër sa vinte e shtohej më shumë.
Brënda mjediseve të pallatit hynin e delnin njerëz disa prej të cilëve i kisha njohur më parë prej këngës që bënin.
– Nga sot do të shkëputësh nga puna dhe do bashkohesh me grupin që po përgatitet për në festivalin e Gjirokastrës , më thotë i pari Fatmir Meçe që më pas mësova se ishte edhe udhëheqësi i grupit që do përfaqësonte rrethin e Tepelenës në festival.
– Ishin së bashku me Maliq Lilën që e njihja prej grupit të famshëm të Bënçës por edhe drejtori i Pallatit të kulturës Dalan Qama.
– Mos u shqetëso, janë zgjidhur të gjitha problemet e punës, kryesorja do të jesh me grupin e valles së burrave – vazhdoi më tej Fatmiri kur pa hezitimin tim përzier me habinë.
Të kanë parë kur ke hedhur vallen në Memaliaj, në konkurimin e sektorëve të minierës, në festivalin e para pak kohëve me ndërmarrjet e Memaliajt në kuadër të festivalit të Gjirokastrës-vazhdoi më tej Fatmiri sit ë më thoshte që është mbyllur kjo punë.
Ashtu ishte tradita, sa herë vinte festivali i Gjirokastrës po aq herë do të viheshin në lëvizje të gjitha burimet folklorike anë e mbanë vendit.
Po si ishte e vërteta e kësaj përzgjedhje dhe si ndodhi e pse u bëra dhe unë pjesë e këtij festivali do ta mësoja më vonë, kur u bëra pjesë e grupit e nisëm nga provat.
Historikisht nga pikat më të forta Tepelena ka patur vallen e burrave të Kurveleshit dhe prej festivalit të parë, atij të vitit 1968, rreshtin e parë të kësaj valleje e printe Alush Milori, ndoshta figura më e madhe dhe më e spikatur e kësaj ane, një legjendë e gjallë.
Alushi me të vëllanë, Neimin, formonin dyshen e parë, dyshen e rreshtit me fustanellë ndërkohë që në rreshtin e dytë, atë me poture të zeza e tirqe të bardha, e përbënte dyshja gusmariote, Remzi Bani e Dino Bardhi.
Të paktën për rreshtin e parë kështu kishte ndodhur në të tri festivalet me radhë, kështu organizatorët kishin bërë planet edhe për këtë herë por tjetër të thënët e tjetër të bërët.
Alush Milori këtë herë kishte vendosur të mos e zbriste më Progonatin, vendlindjen dhe vendbanimin e tij për të zënë pozicionin e tij në valle, kishte shtruar arësyet e tij dhe e kishte mbyllur.
Nuk bënë gjë as vajtje-ardhejet e “të mëndhenjve” të rrethit.
Një fije shprese, fare e mjergulluar, endej aty këtu por organizatorët nuk mund të prisnin.
Kur më thanë të rreshtoheshi mbas Remzi Banit e kuptova pse më kishin angazhuar.
Dyshja e rreshtit të dytë ishte ndarë, Remziu vihej në krye të rreshtit të parë, Dino Bardhi kalontë i pari në rreshtin e dytë, atë rresht që edhe tjetër herë e ndante me Remziun.
Vallja autoktone e Kurveleshit po edhe Labërisë në përgjithësi ka disa veçori që e dallojnë mes sa e sa valleve të tjera të kënduara.
E para ka të bëjë me rreshtimin e “formacionit”, me pozicionet që zënë valltarët ku zakonisht krijohet një strukturë me dy rreshta pak të harkuara dhe, së dyti, vetëm dy të parët e seicilit rresht këndojnë e interpretojnë njëherazi, të tjerat vetëm mbajnë këngën dhe shoqërojnë vallen por pa e kërcyer, ata se kanë mendjen te këmba mbasi ajo hiqet bran, e gjithë fuqia e tyre mbetet te kënga. Kënga ja jep fuqinë valles, ajo dhe vetëm ajo krijon tek korifejtë kushtet për interpretim.
Tradicionalisht të dy rreshtat këndojnë të njëjtin varg të alternuar me radhë secili dhe që bashkohen tek refreni e që së bashku i japin valles një forcë sa shpërthyese ashtu edhe elektruizuese.
Rreshti i dytë në çdo rast përsërit me këngë atë ç’ka këndon rreshti i parë dhe përherë ka marrësin e vet, ndërkohë që kthyesi mund të jetë edhe i njëjti për të dy rreshtat.
Dy të parët bëjnë lëvizjet, krijojnë figurat, ata e krijojnë magjinë, ata e mbajnë vallen në këmbë.
Ata komandën e kanë në sy, apo dhe në sup, apo dhe në shaminë që dredhin në erë, aty I kanë “kodet”.
Edhe Remzi Bani hidhte valle të rrallë, nuk kam mundur të shikoj të dytë me të tilla cilësi autenticiteti, sidomos në lëvizjet, përdredhjet, figurat që ay burrë bëntë më ato këmbë e që kur hidhej sikur s’donte ti rëndonte tokës.
Me të mund të bënim mrekulli, më të mirën mund të bënim por se bënim dot “mrekullinë” që kishte zbritur në tokë dyshja e Progonatit me “vulë”, Alushi me të vëllanë, Neimin.
Ndaj brofëm të gjithë më këmbë, shpërtheu e gjithë salla e madhe e çfaqieve në duartrokitje kur në derën e madhe të pallatit të Kulturës u çfaq portreti i Alush Milorit, pa diskutim autoritetit më të madh folklorik të kohës.
E kisha parë së largu në Kalanë e Gjirokastrës, e kisha të fiksuar prej të parës herë në vitin 1968 kur të dy gjëndeshim në Kalanë e madhe të folklorit, ai në skenë e unë vetëm katërmbëdhjetë vjeçar duke u bërë sy e veshë me skenën.
Më kish mbetur në mëndje ai portret i jashtëzakonshëm burri, ai lab i sertë katana e mustaqe degë, me shark çobani e dyfekun krahëve.
Ashtu siç do të çfaqej në skenën e Kalasë edhe në të tjerët festivale që do të vinin pas; me po të njëjtin portret, me po të njëjtën madhështi, me po të njëjtën hieshi veç me më shumë përsosmëri.
Sa herë që grupi përfaqësues i Tepelenës do të kishte radhën e konkurimit, në shkallët e pasme të skenës midis dhjetra kostumesh plot kolorit ngjyrash do të shquante Alush Milori, imazhi jo vetëm i folklorit tepelenas por i të gjithë Kurveleshit e Labërisë.
Këtë herë diçka kishte ndjerë me shëndetin, diçka ndjente që donte ti qasej (vetëm nëntë vite më pas dhe vëtëm gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar do të ndahej nga jeta) por e mblodhi vehten dhe nuk mund ti ikte “betejës” së Kalasë, përballjes së trashëgimisë krijuese të shpirtit të kombit të vet. Nuk mund të mungonte ai që, fare djalë i ri, me fustanellën e bardhë kishte përfaqësuar folklorin e Labërisë qysh në koncertet e para të pas luftës së dytë botërore organizuar në kryeqytetin e vendit.
Donte vetëm pak ditë që folkloristët tepelenas të niseshin drejt qytetit fqinj të festivalit por tani vallja e kishte gjetur të zotin dhe menjëherë u zunë pozicionet.
Se vallja ashtu si edhe kënga në Labëri janë si detashmentet ku të gjithë kanë pozicionet e tyre përmes një hierarkie të mahnitshme rolesh.
Tani emblema e folklorit tepelenas ishte mes grupit përfaqësues dhe për organizatorët kjo ishte një vlerë më shumë në përballjen që do të kishin në skenën e madhe të trashëgimisë shpirtërore të kombit.
Po kush ishte Alush Milori, ky burrë që i peshonte kaq shumë fjala, kënga dhe hapi.
Ndoshta përfaqësuesi më tipik i burrërisë kurveleshase jo vetëm nga shtati por edhe nga të gjitha të bëmtet e tij.
Rreth njëzet vjeç djalë do të fillonte të hidhte vallen me burra, me xhaxhain e tij Xhafer Milori, të njohur për këngë por sidomos për valle e që pas tij do shkonte në sa e sa dasma e ziafete. Pastaj më të dy vëllezërit më të vegjël, Xhemalin e Naimin por edhe të motrën Elmazinë do bëheshin një grup më vehte. Të gjithë të këngës, të gjithë të valles.
Vetëm tridhjetë e dy vjeç do ti besohej drejtimi i kooperativës së Progonatit, madje qysh në ditën e parë të krijimit dhe prej asaj dite plot dy dekada do të qëndronte në drejtimin e saj.
Edhe më parë nëpër davete , dasma e ziafete kishte nisur të dallohej për këngë e sidomos për vallen por me oraganizimin dhe gjallërimin e jetës social-kulturore në të gjithë Kurveleshin e sipërm roli dhe kontributi i tij nisi të institucionalizohet duke formuar grupin që do të përfaqësonte foklorin edhe përtej maleve të krahinës.
Alush Milori me një aradhë progonatas të tjerë si Xhevit Abazi, Sali Shena, Ali Mita po dhe i vëllai Neimi do të merrnin pjesë qysh në festiavalin e parë folklorik që u zhvillua në Tiranë në vitin 1959 me grupe të zgjedhura nga të gjitha krahinat e vendit dhe prej asaj kohe nuk do tu ndahej skenave.
Ishte kjo dalja e parë në një skenë përtej Tepelenës së tij për të vazhduar më pas pa prerë në sa e sa koncerte e skena festivalesh folklori si në Lezhë, Krujë, Elbasan etj.
Në fillimet e daljeve në skena dhe kur vallja hiqej në dy rreshta, rreshtin e dytë do ta printe I vëllai, Neimi, ndrëkohë që mbajtës të valles do ishin Sali Shena e Xhavit Abazi.
Ndërsa në vitin 1968 do të ngjistë për të parën herë skenën e Kalasë së Gjirokastrës jo vetëm si prijës i valles së rëndë të Kurveleshit por edhe si një emblemë e gjallë e foklorit të rrethit të Tepelenës.
Emblemë që do të mbetej e tillë në katër festivale të njëpasnjëshme në skenën e kalasë së Argjirosë, ndoshta një rekord më vehte në historinë e jashtëzakonshme të këtij festivali.
“Moi* më pesëmbëdhjetë,
Ç’u ngjinë malit përpjetë,
Gratë të mblidhë fishekë,
Zunë të luftojnë vetë,
Për të dhjeta e xhelepë…”
Këto janë disa nga vargjet që burrat e Kurveleshit i “derdhën” si gjëmime malesh në skenën e kalasë shoqëruar me vallen e tyre të rëndë e plot ashtë burrërie në festivalin e vitit 1973.
Në skenë lëvizin burrat por herë -herë bashkë me ta të dukej se lëviznin dhe vet shpatet e malit të Çajupit në sfond.
Ashtu i sertë e i prerë në çdo lëvizje silueta e të parit të valles të ngjan si një shqiponjë në vëzhgim po edhe në fluturim, në vallen që hedh me supe.
Të tjerë ngjeshur gati në sup të njëri tjetrit si bër të bërë fuqi e për tu lidhur në besë burri si ca copa shkëmbenjsh të bardhë në dy gjerdane bashkë.
Ndaj vallja e burrave të Labërisë mbetet unikale, e pa ngjashme me të tjerë por edhe e pa tjetërsueshme në çdo kohë.
Kënga bën vallen por dhe vallja ndez këngën.
Po s’këndove, nuk hedh dot valle – thoshte Alushi, duhet të jesh në një akord me këngën e këmbën. Përmes këngës del lëvizja e këmbës dhe e shpirtit njëkohësisht, ndaj dhe vallja hera herës duket se mbart tjetër zjarr e tjetër shpirto.
“Për Birbil e për Resulë,
Katër pashallarë u çkulë,
O ju të shkretë çaçkënë,
Shkurti u prishi takëmë,
U hodhi borë të rëndë,
Birbilenjtë trembëdhjetë,
Vanë në litare vetë…”
Me këtë valle, sidomos, me vallen e Birbilenjve, Alush Milori vuri vulë jo vetëm në vallen e Kurveleshit por edhe në tërë vallen e Labërisë e atë shqiptare.
Portreti i tij në këtë përformancë kalaje me sharkun e zi krahëve e dyfekun hedhur në supe sikur pruri në skenë vet Birbil Shakon, kapetanin e parë të birbilenjve me të cilët shkruan histori të madhe deri sa në litarë vajtën vetë “një nga një të trembëdhjetë”.
Për herë të parë në histori Alush Milori pruri në skenë vallen e bashkëfshatarëve të tij të prirë nga rexhinasi Bilbil Shako.
Tani Alushi në krahë ka të vëllanë, Neimin, të dy me fizionomi të rrallë, të dy shtat hedhur si rrallë të tjerë, të dy si male më këmbë.
Askush në atë kala nuk ka mundur të shikojë një të dytë valle autentike, pa as më të voglën ndërhyrje apo dorë koreografike.
Pikërisht vallja e hedhur nga Alush Milori mbetet institucion më vehte që duhet ruajtur e studjuar si tipologji e rrallë, e prurë në orgjinale nga brezat e parë.
As Besim Zekthi, ky artist i madh i kombit, valltar që ka realizuar sa e sa maja koreografike në kërcimin popullor nuk mundi ta “kopjojë” dot stilin e veçantë të valltarit të Kurveleshit.
E kam dëgjuar ta thotë vetë këtë të vërtetë ndërkohë që Alush Milorin e ka konsideruar një nga valltarët më të mëdhenj të vendit.
Alush Milori solli i pari në kulturën koreografike historinë epike të Bilbilenjve – tregon mes të tjerash Zekthi, ky burrë i madh i valles shqipe kur i është dashur të flasë për valltarin që solli në skenë Birbilenjtë.
Besim Zekthi tregon se gjatë ditëve të qendrimit në Progonat u përpoq shumë t’ja merrte lëvizjet por ishte e pa mundur.
Lëvizjet që bënte Alushi, sidomos procesi i dredhjes apo përgatitja për figurën e rrotullimit mbeten të jashtëzakonshme.
Aty vendos gjëndja e brendëshme, vendos momenti, fuqia e fjalës dhe këngës, vendos shpirti.
Dhe Alush Milori nuk e fiksonte lëvizjen, as e parathoshte, ai bënte siç do ti duhej të bënte, pavarësisht nëse ai që e mbante do mund ti përgjigjej.
Këtu qëndron e veçanta dhe më unikja tek ky valltar i cili mbetet gjatë gjithë valles improvizues e jashtë skemave të një valleje më koreografi e lëvizje të dhëna.
Është pikërisht kjo aftësi e tij e rrallë ajo që e bën mbajtësin e valles, edhe pse duke qenë tejet i përqëndruar, në disa lëvizje do zihet në befasi. Aty qëndron e bukura, aty vallja merr të tjera kulme.
Virtuoziteti i burrave vallatrë të krahinës së Kurveleshit të sipërm mbetet një vlerë e qenësishme në memoristikën e folklorit të Labërisë por edhe atij shqiptar.
Me fustanellat e bardha me kinda por edhe me poturet e shajakta me tirqe ata do të mbeten gjithëherë në krye të trupave folklorike që do tu duhej të ballafaqonin trashëgiminë shpirtërore me të tjerë.
Alush Milori pa asnjë dyshim mbetet zemereku i valles burrërishte të Kurveleshit e Labërisë për thuajse gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.
Ai mbetet njeriu që krijoi ndoshta harmoninë më të madhe fizike dhe shpirtërore në një valle labërishte, sinonim i këngës dhe valles së Kurveleshit.
Ndaj miku i tij shpirtëror, poeti e rapsodi i madh tepelenas Maliq Lila, mbas ndarjes së Alushit nga jeta do ti këndonte:
“S’ishte mal po malin mbante,
Stërrall mali kish në rrëmba,
Kur kërcente vallen labe,
Çika strralli shkrepte këmba…”
Dhe më tëj poeti e rapsodi tjetër kurveleshas Zaho Balili do ligjëronte:
“Edhe zogjtë e malit thonë,
Këtë zë kush e përcolli,
Nëpër kohë do gjëmojë,
Vallja nga Alush Milori…”.