Albspirit

Media/News/Publishing

Proza e Jorgos Moleskis vjen në shqip nga Petro Çerkezi

Në një hotel të vjetër

Pas një udhëtimi të gjatë, katër orë e ca me aeroplan dhe tre e gjysmë me tren, mbërrita në atë qytet provincial të Europës Qendrore. Duke tërhequr valixhen në trotuare jonormale dhe kryqëzime rrugësh, duke kaluar mes veturave dhe motoçikletave mbërrita natën vonë në hotelin e vogël që kisha rezervuar.

Ndërtesa ku ndodhej hoteli, që reklamohej si “plotësisht i rinovuar”, ishte mbetje e epokave të shkuara. Ndërkaq, në pamje të jashtme dhe më shumë nga brenda ai ruante shumë gjëra nga e kaluara. Kjo i falte një magji të veçantë. Nuk më interesonte aspak që ishte i vjetër, përkundrazi, më pëlqeu. Ndërtesat e vjetra, si lagjet e vjetra të qyteteve, fshehin në vetvete një vazhdimësi të përjetshme të gjërave, mbartin diçka nga jeta që ka rrjedhur brenda tyre, nga fryma e njerëzve që lindën, u rritën, u dashuruan dhe krijuan atje.

Teksa hyra në hotel, u gjenda në një dhomë të vogël me një tavolinë pritjeje dhe një stol të ngjitur në mur e një tryezë të vogël përpara tij. Përballë hyrjes, një derë çonte në një oborr drejtkëndësh, me një pemë në mes dhe disa bimë të tjera të shpërndara aty-këtu. Në thellësi të oborrit, një shkallë e hapur çonte në dhomat e bujtësve, që ishin të shpërndara në katin përdhes dhe në katet e tjera të ndërtesës. Në të majtë të dhomës së pritjes ishte një dhomë tjetër, me katër-pesë tavolina dhe ndonja njëzet karrige, që përbënte trapezarinë. Si mobiliet ashtu edhe pikturat dhe pasqyrat në mure të kujtonin epoka të largëta.

Në hyrje më priti një grua e re dhe e paraqitshme, e cila më dha menjëherë çelësin e dhomën sime, që ndodhej në katin e dytë. Mora valixhen dhe u ngjita lart, pa takuar ndonjë klient apo punonjës tjetër.

Dhoma ishte jashtëzakonisht e madhe për shumën që pagova, me tavan të lartë, një dush dhe tualet modern, një dollap të gdhendur prej druri, një komodinë prej druri në të njëjtin stil dhe një krevat të hekurt të modës së vjetër. Gjithçka ishte e pastër dhe e rregullt. Në murin sipër krevatit varej një pikturë – portreti i një gruaje të re të një epoke tjetër, me dekolte të madhe dhe kapelë të gjerë, që vështronte një pasqyrë të madhe me një kornizë të vjetër ari në murin përballë.

Ishte vonë dhe ndihesha i lodhur. Pasi hetova për pak çaste të gjitha këto, u zhvesha, u lava shpejt, u shtriva dhe fika dritën. Dysheku ishte i butë dhe i rehatshëm. Mendja ime, e ngarkuar me imazhe dhe mbresa nga udhëtimi dhe nga librat që lexova gjatë rrugës, vazhdonte udhëtimin ende. Mbylla sytë…

…Gjithë dhoma ndriçohet befas. Mbushet me aroma epokash të tjera, që përzihen me erën e thartë të trupave të djersitur. Gjithçka është shumë intensive dhe e çuditshme, por e këndshme. Shpejt muret e bardha të dhomës fillojnë të gjallërohen. Mbi to shfaqen ngjyra dhe forma njerëzish që u dorëzohen akteve erotike, sikur dikush të kthente çelësin, dhe filloi të punonte një aparat kinematografik – shumë kamera filmike – që me projeksione të kryqëzuara mbushën muret dhe tavanin.

Dal nga dhoma. Endem nëpër rrugët e Pompeut disa vjet para shpërthimit të Vezuvit. Qëndroj përpara shtëpisë së vëllezërve Viti dhe shikoj foton e burrit me penisin-peshore të ngritur si çomange. Pi verë me disa udhëtarë të çuditshëm në hanin e qytetit. Vera është e athët, flasim gjuhë të ndryshme, nuk e kuptojmë njëri-tjetrin. Gjysmë i dehur, kryqëzoj rrugën dhe hyj në bordellon që ndodhet përballë. Dhoma në katin përdhes është e ndriçuar me pishtarë, gratë lakuriq zbresin nga shkallët unike prej guri, ndriçohen për një çast dhe mandej secila hyn në një dhomë, sipër së cilës është pikturuar një pozicion erotik…

Endem nëpër qytetet e botës, ku gratë shesin trupin nëpër pazare. Burrat e blejnë, e përdorin për pak kohë, pastaj ato e shesin përsëri e përsëri. Asnjëra nuk pasurohet nga kjo përsëritje, të gjitha shuhen si pishtarë të djegur, disa bëhen histori të modës në romane të lira, filma romantikë dhe seriale televizive laike, të cilat shfaqen të dubluara në vende të ndryshme…

Sërish dhomë në katin përdhes, ndriçuar me llambadarë të lirë dhe zbukuruar me lule plastike. Mureve mbështeten kanape të ngushta me trëndafila të kuq. Nga e vetmja shkallë prej druri, që kërcet në çdo hap, zbret një grua e moshuar e zhveshur krejt, hyn në një dhomë dhe mbyll derën përgjysmë. Nudo krejt shtrihet në shtrat. I riu heziton për një çast, pastaj hyn në dhomë dhe mbyll derën. Zhvishet, i afrohet gruas. Gjithçka ndodh aq shpejt sa e humbet kuptimin. Djaloshi përpiqet të arrijë në orgazmë, por vonon. Gruaja e shtyn me lëvizje dhe kontraktime të afta…

Nga dhoma fqinje dëgjohen goditje të përmbajtura dhe psherëtima e rënkime. Gjithçka ndodh pa koordinim. Me ndonjë program të fshehtë, ndoshta…

Në mëngjes u zgjova i çlodhur, me endjet e mia natore që më vinin në mendje duke krijuar një ndjenjë euforie. Hëngra mëngjes në restorantin e vogël të hotelit, me mobilie, piktura dhe pasqyra në mure që ngjanin me ato të dhomës sime, duke zgjatur kështu ndjenjën që më lanë ëndrrat e natës. Pastaj, ulur në një stol jashtë hotelit, lexova një udhëzues turistik të qytetit. Në njërën nga faqet pashë foton e hotelit tim. Në faqen tjetër ishte një përshkrim mbi historinë e tij. Lexova me kureshtje të madhe: “U ndërtua rreth tre shekuj më parë dhe për gati treqind vjet njihej në të gjithë vendin dhe në ato fqinje madje si një bordello luksoze autentike, e vizituar nga tregtarë dhe sundimtarë, madje edhe nga poetë”.

Ngrita vështrimin nga faqet e udhëzuesit turistik, shikoja në zbrazëti dhe pyesja veten: Mos ndoshta ndodhi dje që e lexova këtë faqe dhe i krijova vetë gjithë ato histori, apo mos vërtet dhomat e hotelit, të ngarkuara me kujtime dhe imazhe të kohëve të tjera, gjejnë disa bujtës pranues dhe shfrejnë, duke folur si pleq llomotitës dhe mburravecë, apo si disa poetë që rikthehen për të hulumtuar kuptimin e gjërave të shkuara!

Zgjimi i dëshirës

Jetonte në një apartament të vogël brenda mureve të qytetit, në katin e parë të një pallati të vjetër të lënë pas dore, pa ashensor dhe me korridore të gjata të pambyllura në pjesën e jashtme, në të cilat hapeshin dyert e përparme të katër apartamenteve në secilin kat, si dhe dritaret e kuzhinave. Kjo e lejonte të vëzhgonte lëvizjet e qiramarrësve të apartamenteve në katin e saj. Kur largoheshin, kur vinin, kur gatuanin në kuzhinat e tyre, kur fiknin dritat për të fjetur.  Rronte vetëm dhe ato pak vizita që pranonte ishin nga i biri, i cili ishte mjek, familjar dhe shumë i zënë.

Ajo ishte një grua e moshuar, si shumica e qiramarrësve të ndërtesës, e vetmuar, si gjithë të tjerët, të cilët, megjithëse ishin më të rinj se ajo, i ngjanin pleq. Nuk kishte asnjë dëshirë dhe asnjë interes për t’u shoqëruar me ta. Në të njëjtin kat me të rronte një grua e moshuar, kështu e shihte, edhe pse ishte më e re apo të paktën moshatare me të, si dhe një çift mbi moshën mesatare, me të cilin nuk kishte fare marrëdhënie dhe nuk shkëmbente shumë fjalë, përtej një përshëndetjeje kur u ndodhte të takoheshin në korridor. Madje, çfarë mund të thoshte me ta? Ishin të gjithë njerëz të thjeshtë, i përkisnin një klase tjetër, më popullore, e kishin kaluar jetën duke punuar në ndërtim, artizanat dhe restorante. Ndërsa ajo, grua doktori, i cili vdiq disi herët dhe e la vejushë, me një djalë gjithashtu mjek dhe një tjetër ekonomist, i cili ishte jashtë, jetonte ndryshe, pa gjëra të tjera në jetën e saj, kishte udhëtuar nëpër vende, kishte vizituar muze të mëdhenj, kishte marrë pjesë në pritje të pasura laike, kishte ndjekur koncerte muzikore dhe shfaqje teatrale në teatro të mëdhenj magjepsës, kishte takuar njerëz interesantë.

Të ngjashëm me fqinjët e saj ishin edhe banorët e dy kateve të tjera të pallatit, të cilët jetonin aty për vite me radhë, në të njëjtat apartamente. Përjashtim bënte vetëm një apartament në të njëjtin kat me të, ku banorët ndryshonin gjithnjë. I vëzhgonte me interes dhe hetonte me kujdes çdo person të ri që vinte. Ishin zakonisht burra të moshës mesatare, njerëz të vetmuar, pa familje, zanatçinj që bënin punë të ndryshme krahu, apo nëpunës të ndonjë shërbimi, të gjithë përgjithësisht ishin seriozë dhe fjalëpakë. Nuk shihte ndonjë person që t’i zgjonte interes, me të cilin do të donte të krijonte një lloj marrëdhënieje. Kështu që jeta e saj në pallat rridhte e vetmuar dhe e mërzitshme, duke pritur kur do të vinte i biri ta vizitonte ose ta merrte në shtëpi për drekë ndonjë të diel apo për festë në mesditë, por dhe kjo nuk ndodhte aq shpesh.

Një ditë u vendos në apartamentin e katërt të katit të saj, i cili ishte zbrazur kohët e fundit, një djalë i ri. E pa ndërsa kalonte para derës së saj dhe e përshëndeti me mirësjellje. Ai ia ktheu me një buzëqeshje të lehtë. E vështroi përsëri, i ngjau ndryshe nga të tjerët. Nga dera gjysmë e hapur e apartamentit të saj e vëzhgonte tek bartte gjërat e tij në apartament: rafte librash, kuti të rënda kartoni me madhësi të ndryshme, të cilat, ishte e sigurt, kishin brenda librat e tij, telajo veshur me kanavacë për pikturë, një këmbalec, një kuti metalike, e cila duhej të mbante bojëra, furça dhe gjëra të tjera që lidhen me pikturën. Kështu e imagjinoi përmbajtjen e kutisë. Të gjitha këto i ngjallën kureshtje dhe filloi të vëzhgonte, herë nga dera gjysmë e hapur e apartamentit të saj, herë nga dritarja e kuzhinës, që binte në korridor, gjithë lëvizjen. Vazhdoi ta vëzhgonte apartamentin edhe natën dhe vuri re që drita, që mund ta dallonte nga dritarja e kuzhinës, ishte ndezur deri vonë. Ndoshta punon, mendonte, pikturon ose lexon, ndoshta  shkruan. Ndoshta mund të jetë shkrimtar apo poet. Dhe piktor, natyrisht.

Gjithë natën imagjinata e saj qe në ethe dhe nuk fjeti pothuajse fare. Në mëngjes shihte fshehtas, ulur para derës së hapur, duke e pritur që të dilte. Doli. Kishte veshur rroba ndërtuesi, ndoshta bojaxhiu, duke gjykuar nga boja në pantallona. Si ishte e mundur që ai të qe bojaxhi dhe të mbartte gjithë ata libra, bojërat dhe telajot me kanavacë? Apo mos vallë bojërat mbi rroba ishin nga ato të pikturave? Po, ndodh dhe kjo, gjersa punon me ngjyra.

E vështroi me vëmendje. Ishte shumë i ri, mund të ishte djali i saj, mendoi, por shpejt e largoi këtë mendim. Ç’rëndësi kishte kjo? Iu duk simpatik, ndoshta dhe i bukur, dhe patjetër me kulturë.

Ai kaloi para saj dhe e përshëndeti me mirësjellje, madje i buzëqeshi. Befas diçka hovi brenda saj. Nuk mundi ta shpjegonte. Ndenji gjithë ditën duke pritur që të kthehej, ta përshëndeste, t’i kthente buzëqeshjen…

Ditët kalonin. E priste si në mëngjes ashtu edhe në mbrëmje, edhe të shtunave dhe të dielave… Vishej me kujdes të veçantë, krihte flokët, përkujdesej për thonjtë, bënte makijazh dhe e priste. Për një mirëmbrëma në mbrëmje, për një mirëmëngjes në mëngjes. Kështu çdo ditë…

E sheh dhe zemra e saj tronditet. E përshëndet, i buzëqesh, ai i përgjigjet. Dëshiron ta ftojë për kafe, apo t’i gatuajë diçka. Ta pyesë, të mësojë për të. Duket kaq i vetmuar. E mendon dhe i vjen turp nga mendimet dhe këmbëngulja e saj. Çfarë mund të kërkojë prej tij? Është kaq i ri. Skuqet krejt në fytyrë ndërsa shihet në pasqyrë, për të disatën herë, duke rregulluar flokët. Brenda saj zgjohen kaq shumë gjëra!…

E di. E ka të qartë gjithçka… Por sa do të dëshironte të bëhej, vetëm për një moment, edhe nëna edhe gruaja edhe e dashura e tij!…