Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: Katër ndodhi me shokun Rrok…

1 – RROKU KËRKON TRANSFERIM…

I gjetëm Rrokut një goxha vend pune. Me rrogë të mirë, me shofer në dispozicion, me dietat të paguara nga shteti… deri dhe dashnore i gjemë…

Kuptohet qe, në Korçe… Si mbret Rroku mo!

Pas nja një muaji merr në telefon ministrin:

– Alo! Zoti ministër! Ju lutem më transferoni urgjentisht!

– Po pse or Rrok? Nuk je i kënaqur atje?!

– Jam i kënaqur shumë, por…

– Por?!

– Këtu të gjithë më thërrasin: – Rroçkë!… – Si u gdhive Rroçkë?… Qysh je bre Rroçkë? Hajde Rroçkë, pi një gotë me ne!… Po kur tregoj ndonjë anekdotë… Ata qeshin: – Ha, ha, ha na “plasi Rroçka nga të qeshurit”… M’ u nxi jeta! – Pa lë ku vajta andej nga Devolli…

– Pa hë?!

– Më folën: – Bre Rroçkë, je mirë “o në pith të s’ ëmës?!”… Jetohet këtu?!

(shtesë nga Sadik Bejko)

– Ja… Pardje vajta në një lokal që pjek mish të majrë, siç më thanë do miq…

– Po…

– Vjen kamerieri:

– Ça këna noj gjo të majrë? – pyes.

– Kemi capkë, shqerkë, kërkë, dërkë, mëshqerkë… të pjekur…

Grekçe! – thashë unë me vete… s’ paska një shqiptar këtu, oj nanën në pajdh?!

Pasi protestova kamerieri m’ i tha në shqip: – kemi mish keci, qengji, kërriçi, gici, viçi… të pjekur…

Transferomë… bre!

– Po ku do të të çoj?…

– Ku të duash bre… vetëm sa më larg Korçës… “o në pith të s’ ëmës?!”

2 – E TRANSFERUAM RROKUN…

E çuam në Vlorë. Me vilez në breg të detit, me të gjitha komfortët mo… Edhe atje i gjemë dashnore… Kur pas pesëmbëdhjetë ditësh… bie telefoni i ministrit.

– Alo, zoti Ministër, Rroku jam!

– Po hë or mik?

– Më hiq prej këtej, or majk, të bëj rixha!

– Po ça mutin ke or Rrok që nuk të zë bitha vend? Nuk kalon mirë në Vlorë?!

– Jo… Unë mirë kaloj, po…

– Po…

– Po nji… Sa dal në mëngjes më përshëndesin: – “Ku je o Rrok a të qifja motrën?!” Po këta s’ kanë punë tjetër?! Pa le e dashura ime…

– Pa hë?!

– Sa më takon më përshëndet: – Ç’ u bëre ti, “a të qifja udhët?!” Hec e merru vesh ti, hej burrë i dheut.

3 – RROKU NË GJIROKASTËR…

E pleqëruam me ministrin. Ku ta çojmë këtë Rrokun mor aman?! Është djalë i mirë dhe punëtor i mrekullueshëm… Me dy diploma nga “Kristali”, me master, doktoraturë…

– Çoje në Gjirokastër, – i thom u, – atje do jetë si veshka mes dhjamit!

– Mirë e ke, atje do ta transferoj!

Dhe e çuam Rrokun në Qytetin e Gurtë. Me gjithë komoditetet e me gjithë të dashurën. E po tani do biem rahat, mejtuam. Por do ti… nuk u mbush muaji dhe bie prapë telefoni:

– Alo! Zoti Ministër, Rroku jam!

– Po hë mor Rrok. Je mirë atje?!

– Mirë mavria thuaj. Më gjeti belaja hej burrë i dheut!

– Po pse?

– S’ po marr vesh kurrgjë! “Si je Rrok vëdhai? O Rrok mbidhi sitë se të kemi bërë një xudhi të bukur! Rrok, mbidhe musandaranë se na mbiti timi sitë…” Merr gjë vesh ti?

– Jo për atë Zot!

– As unë. Sot më erdhi një koleg në zyrë. Ishte zverdhur si limon… – Ç’ ka ke? – e pyes unë. – Vodha! – më thotë me zë të dredhur dhe nuk e ndjej vetën mirë. A të iki? Unë mendova se po e vriste ndërgjegjja ngaqë kish vjedhur kush e di se kë. – Si e ke emrin, e pyes. – Llosi, o gaz, më thotë. Bëra detyrën, thirra policinë dhe i vunë prangat.

– Mirë ja bëre!

– Hë! Mirë ja bana por… ca më vonë më sqaruan se kisha ba gafë. Atë burrin nuk e quanin Llosi por Dhosi dhe nuk kish vjedhë kërrkënd por thjesht kish temperaturë dhe kish vjellë. A e kupton hej burrë? Këta kur vjellin i çojnë në burg dhe kur vjedhin i çojnë në spital…

– O, ho, ho!

– Pa lë kur më erdhi një nga këta grekët e Dropullit… Zoti Rroku, më thotë, me ka hire një skupirë në si dhe më duhet patjetër të vete ne një jatrua…

– Durim or Rrok! Aty ka njerëz shumë të mirë…

– Nuk thashë që s’ janë burra t’ mirë or ti majk, por s’ po merrna vesh hej burrë! Dje desh më çmendi njani. Vajta me Mozën në Virua… Më afrohet një mik. E prezantoj! Dhe ky: – Ore Rroku, po ti e paske “derr idhi” këtë të dashurën tënde! Na e sill ndonjë ditë t’ ju shtrojmë darkën andej nga “Pidhi i Kërcullës!” Tek “Odaja e Anesë”. Për njat Zot desh e vrava! A flasin shqip këta or majk?! U desh nja një orë të më sqaronte kamerieri që “idhi” në gjirokastritçe asht “ylli” ndërsa “pidhi” nuk na qenkej “pajdhi” por “pylli” me demek korija… Odaja është dhoma, ndërsa Aneja na qenkësh Nana. Hajt mor! Për pak u bana kriminel!

– Mirë Rrok, do ta mendojmë!…

– Mhhhhh…

4 – RROKU NË DROPULL.

Vendosem ta çojmë Rrokun në Dropull. Drejtor në shkollën e Mesme dhe Mësues të Gjuhës Shqipe, kryesisht. I pëlqeu kjo ide. “Të paktën ata që flasin shqip në Dropull e flasin pa dialekt…” – na tha. U tha dhe u bë.

Nuk shkuan dhjetë ditë kur…

– Alo! Zoti Ministër. Po ç’ më bane hej burrë!

– Hë Rrok, edhe atje s’ je i kënaqur?

– Unë boll i kënaqur jam. Dhe këta kolegët më pritën e më majnë në pllam të dorës. Njerëz bujarë, mikpritës, me humor…

– Por?…

– Çfarë porit?! Vajta të jap mësim në klasë. Nxansit u ngritën në kambë tanë respekt.

– Pa hë?…

– Sa hapa regjistrin me ba apelin më rranë djersë të ftohta…

– Pse?!

– Qysh pse? Lexohen emrat e këtyre hej burrë? Nuk i kanë si njërrokëshat tanë, Rrok, Preng, Frok, Fran, Dile, Llesh, Col, Pal, Ndrekë… A e ke parasysh se çfarë emrash kanë këta?

– Pak a shumë…

– Hë pra fillova të lexoj regjistrin me rrokje. – Aleksandra Papailiopullu, – Aristidhis Kataharahaxis, Vasilios Papadhjamandopullos… por mbërrita deri në një farë vendi dhe ngeca… e aty më shpëton ndën zë një: – Eh, t’ i qi Zotin!

– Po!…

– Kur, i befasuar dëgjoj një zë femre:

– Këtu!

– Urno?!

– Unë jam Eftiqia Zoto, – më thotë ajo çika. – Kujdestarja e klasës…

Janinë, qershor 2025.