Ismet Hajrullahu: Tuneli që zgjon pyetje, më shumë se sa zgjidhje…
Në qendër të Lipjanit, një nga qytetet tona që ka një shtrirje lineare, pa barriera natyrore, apo qasje të ndërlikuara rrugore, është ndërtuar një tunel.
Për këdo që sheh zhvillimet urbane me sy kritik, ky investim nuk është thjesht i pazakontë, por është edhe i pashpjeguar.
Kudo në botë thyhen barriera për të bërë bashkë hapësira e krijuar sheshe, ndërsa në qytetin tonë të Lipjanit prishen sheshe e ndërtohen barriera!
Nuk është ndërtuar për të kaluar nën një kodër, apo për të shmangur një ngarkesë të rënduar trafiku, sepse asnjëra prej këtyre nuk ekziston. Është ndërtuar, thjesht, si projekt, por jo si zgjidhje!
Nuk ka asnjë raport publik për të shpjeguar përse ky tunel ishte i nevojshëm. Në raportet mujore të Komunës së Lipjanit figuron si pjesë e projektit “Ndërtimi i Sheshit dhe Nënkalimit”, por nuk jepen detaje mbi vlerën e tij, arsyetimin urbanistik apo konsultimin me qytetarët. Nuk ka dëgjime publike të regjistruara, nuk ka prezantim të studimeve gjeoteknike dhe çfarë është më shqetësue ky tunel është ndërtuar vetëm disa metra nga themelet e ndërtesave shumëkatëshe…
Këto ndërtesa, të cilat janë shtuar me shpejtësi në dekadën e fundit, janë vetë shembuj të zhvillimit pa standard, pa distanca sigurie, pa hapësira publike, shpesh pa shkallë emergjente dhe me ndërtim të dyshimtë.
Vetë Drejtoria e Urbanizmit e ka pranuar që për më shumë se 20 vjet nuk janë ndërtuar shkallë emergjente në objektet kolektive dhe se ndërtesat janë afruar aq shumë sa fqinjët “mund të kërkojnë kafe nga dritarja”.
Në këtë panoramë të urbanizmit të shpejtë e pa kontroll, shtrohet pyetja: A është ndërtimi i tunelit thjesht vazhdim i një logjike zhvillimi pa vizion, apo ka arsye të tjera, më të errëta, që e kanë shtyrë përpara këtë projekt?
Realiteti është se qyteti ka nevoja të tjera shumë më të ngutshme. Në Lipjan mungojnë banjot publike, një nevojë elementare për çdo qytet. Ndriçimi rrugor në lagjet periferike është i dobët. Transporti publik është gati inekzistent, banorët e fshatrave përreth, të moshuar dhe studentë janë të detyruar të udhëtojnë me mjete private ose me taksi, kur buxheti i tyre mezi mbulon shpenzimet bazike.
Për të rinjtë mungojnë bibliotekat funksionale, qendrat rinore, kinematë dhe çdo hapësirë që nuk është komerciale.
Aktiviteti kulturor është simbolik ose i organizuar nga vullneti i individëve, jo si pjesë e një strategjie institucionale. Të rinjtë kanë ambicie, por qyteti nuk ka hapësirë për to.
Përballë kësaj, një tunel që nuk e kërkoi askush, që nuk zgjidhi çeshtjen e trafikut të rënduar, e që ngre frikën për sigurinë e banesave në afërsi të tij, është më shumë simbol i një mënyre të vjetër të qeverisjes: “ndërto diçka që duket”, jo “zgjidh diçka që duhet”.
E për më tepër, nuk dihet sa ka kushtuar. Nuk dihet kush e ndërtoi. Nuk dihet kush e mbikëqyri. Dhe mungesa e informacionit është vetë një tregues alarmi. Në një qytet me nivel të ulët të llogaridhënies dhe me përvojë të ndjeshme nga ndërtime pa leje, mbindërtime apo ndërhyrje pa kontroll, kjo është një histori që nuk mund të heshtet, sepse Lipjani nuk është vetëm shesh, rrugë dhe ndërtesa. Lipjani është shtëpia e njerëzve të zakonshëm që duan thjesht të ecin në rrugë të ndriçuara, të kenë fëmijët në shkolla afër, të mos paguajnë shtrenjtë për transport dhe të mos kenë frikë se ndërtesa ku jetojnë është gërryer nën themele nga një vendim i pakuptueshëm.
Ky editorial nuk është thirrje për përçarje. Është ftesë për reflektim. Është një kërkesë e thjeshtë: na shpjegoni pse ky tunel? Sa kushtoi? Kush e kërkoi? A ka studime të sigurisë? A janë marrë parasysh banorët që jetojnë mbi të e përreth tij?
Dhe përtej këtyre pyetjeve bëhet fjalë për një vullnet të thjeshtë qytetar: që zhvillimi urban i qytetit të bëhet me mend, jo me ego. Që qyteti të planifikohet për jetën e përditshme, jo për fotografinë e përurimit.
Qytetarët e Lipjanit kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje. Dhe nëse institucionet nuk i japin, atëherë ata kanë po ashtu të drejtë t’i kërkojnë me mjete ligjore, me kërkesa për qasje në dokumente publike, me peticione, me tryeza debati.
Lipjani nuk ka nevojë për më shumë beton, ka nevojë për më shumë ndershmëri urbane e vizion.
Dhe një qytet që rritet vetëm në lartësi, pa përmbajtje, rrezikon të shembet jo nga tërmeti, por nga mungesa e besimit dhe nga joprofesionalizmi…