Albspirit

Media/News/Publishing

Muhamedin Kullashi: Përkthimi i dialogëve të Diderot dhe filozofëve të tjerë francezë

Libri i parë të cilën e kam përkthyer nga frengjishtja në gjuhën shqipe ka për titull “Dialogje filozofike{, (Rilindja, Prishtinë, 1979). Me këtë titull kam përmbledhë tre dialogë të filozofit francez Denis Diderot (Deni Didëro,) (1713-1784): “Shetia e skeptikut apo shetitoret”, “Biseda e d’Alembertit me Diderot” dhe “Ëndërra e D’Alembertit”. Parthënia e ime ka për titull “Filozofia si dialog”, (f.5-22).

Diderot është njeri nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit XVIII në Evropë. Në veprat e veta filozofike ai ndërlidhi me mjeshtri mendimin e thellë konceptual me imagjinaren e begatshme artistike. Goethe (Gëte) për një vepër tjetër të Diderot (“Nipi i Rameausë”) shkruante: “Çfarë koherence në këtë dialog!… Gjithçka është e lidhur këtu me një gjerdan të padukshëm e megjithatë ekzistues; një gjerdan i çelnikët të cilin e mbulon para syve tonë një kurorë lulesh”.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i këtyre dialogëve lidhet me metodën e kërkimit të njohurive që kanë një nivel të vërtetësisë. Kjo vërtetësi për njeriun dhe botën, sipas Diderot, përtej pargjykimeve, iluzioneve e vetëmashtrimeve, mund të arrihet me ballafaqimin e argumenteve të pikëpamjeve kyçe. Secili nga personazhet e dialogut përfaqësojnë rëndom një botkuptim të përpunuar me vëmendje e durim. Çdonjera nga këto pikëpamje duhet të ballafaqohet, nëpërmjet një dialogu polifonik, me problematizimet dhe kontestimet që dalin nga pikëpamjet tjera. Kësisoj, njohuritë që mund të pretendojnë në një vërtetësi të caktuar, nuk mund t’u ikin sprovave të dialogut kritik.

Në sajë të hulumtimit të njohurive filozofike e shkencore-natyrore të kohës së tij, në veçanti, Diderot zhvillon një koncepcion të thelluar mbi njeriun e natyrën që tejkalon kufizimet e materializmit mekanicist, me iden mbi zhvillimësinë e botës, mbi ndryshimësinë e saj të vazhdueshme.  Kësisoj, në shkrimet e tij, gjithësia paraqitet si një sistem i ndërlikuar që ndryshon vazhdimisht, në çdo pjesë të saj. Kërkimet e Diderot anticipojnë idetë e evolucionit dhe transformizmit: botërat, sipas tij, lindin, zhvillohen e zhduken për t’u praqitur sërish botëra të reja dhe lloje të reja të qenieve. Llojshmëria  dhe ndryshimësia e botërave, brenda koncepcionit filozofik të Diderot, kuptoheh brenda kategorisë së asaj që është realisht e provuar, kategorisë së imanencës dhe nuk lë vend për transcendencën-mbi-natyrore.

Njê kundërthënie brenda pikëpamjeve tê veta Diderot e shpresh edhe kështu: “Më tërbon fakti që jam i mbërthyer me një filozofi që mendja e ime s’mund të mos e pranojë e zemra ime të mos e mohoj”. Është fjala për konfliktin dhe kundërthënien midis pikëpamjes metafizike-deterministe mbi natyrën dhe botën, në njerën anë dhe pikëpamjen etike se njeriu është qenie e lirë, e cila mund të veprojë lirëshëm në saje të synimeve dhe bindjeve të formësuara.

 Diderot u shqua edhe si mendimtar që zhvilloi koncepcione kritike mbi forma të ndryshme të pushtetit (politik e teologjik). Kjo ishte arsyeja përse e dënuan me tre muaj burg autoritet politike të monarkisë absolutiste.

Diderot ishte edhe nismëtar, frymëzues dhe bartësi kryesor i veprës së përbashkët të iluministëve të shekullit të XVIII, i “Enciklopedisë” së mirënjohur, e cila rezymon arritjet më të çmuara  filozofike,  artistike e shkencore të këtij shekulli.

Ndryshe nga ata që e thjeshtëzojnë Iluminizmin në një “rrëfim të madh” që i takon së kaluarës, Kanti e përkufizon atë si udhërrëfyes për “daljen e njeriut nga gjendja e minoritetit të tij”, shkëputje nga «një lloj gjendje e vullnetit tonë e cila na bën ta pranojmë autoritetin e dikujt tjetër që të na drejtojë në lëmenjtë ku është mirë që ta përdorim arsyen”.

Dy shekuj e gjysmë më von Michel Foucault në tekstin “Ç’është iluminizmi”? (1984) e cilëson këtë epokë si “ngjarje e cila  ka përcaktuar, së paku pjesërisht, se çka jemi ne, se çka mendojmë dhe se çka bëjmë ne sot”?

Për kuriozitet, “Rilindja” e botoi këtë libër me një tirazh prej 5.000 kopjesh, sikurse edhe disa libra të tjera.

Më vonë i kam përkthyer edhe 8 vepra të tjera të filozofëve francezë:

  • Henri Lefebvre: “Jeta e përditshme në botën modern”, (La vie quotidienne dans le monde moderne), Rilindja, Prishtinë, 1981;
  • Jean-Paul Sartre: “Çështje të metodës”, (Questions de méthode), Rilindja, Prishtinë, 1982;
  • Franz Fanon: “Të mallkuarit e botës”, (Les damnés de la terre), Rilindja, Prishtinë, 1984;
  • Jean-Paul Sartre: “Situatat”, përzgjedhje e teksteve, (Situations,choix de textes), Rilindja, Prishtinë, 1985;
  • Roger Garaudy: « Mendimi i Hegeli »t, (La pensé de Hegel), Prishtinë, 1986.
  • Claude Lefort: “Demokracia dhe totalitarizmi”, (Démocratie et totalitarisme (choix de textes), chez Arbëri à Tirana, 1993, Dukagjini, 1995 dhe Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2018.
  • Jean-François Lyotard: “Gjendja postmoderne”, (La condition post-moderne, Dukagjini, Pejë, 1996;
  • Emmanuel Lévinas: ”Etika dhe pafundësia”, Dukagjini, Prishtinë, 2003.