Autorë botërorë vijnë në shqip nga Harallamb Fandi
PIER PAOLO PASOLINI: RRËMBIMI
Për të qenë poet, duhet të kesh shumë kohë,
orë të tëra vetmie janë e vetmja botë
për t’i dhënë formë diçkaje
që është forcë, braktisje, ves, liri.
E për t’i dhënë stil kaosit.
Kohë tani kam pak:
për faj të vdekjes,
që më del përpara në perëndim të rinisë
si dhe të kësaj bote, tonës, njerëzores,
që të varfërve u rrëmben bukën,
kurse poetëve u rrëmben paqen.
INGEBORG BACHMANN: ÇDO DITȄ
Lufta tashmë nuk shpallet,
vazhdohet.
E jashtëzakonshmja
është kthyer në të zakonshme.
Heroi
gjendet larg luftimeve,
i dobëti,
te zonat e zjarrit.
Uniforma e sotme është durimi,
medalja s’është veçse ylli i mjerë i shpresës,
varur poshtë zemrës.
Jepet
për braktisje flamuri,
për akte trimërie ndaj mikut,
për tradhëti sekretesh, që s’kanë më vlerë
dhe për moszbatim të çdo lloj urdhëri.
Ta akordojnë
kur s’ndodh më gjë,
kur gjëmimet e predhave janë shuar,
kur armiku është bërë i padukshëm
dhe hija e riarmatimit
nxin gjithë
qiellin.
JANIS RICOS: ELENA
Ah, po, sa beteja, heroizma, ambicje, madhёshti pa kuptim,
sakrifica, humbje pa fund dhe pёrsёri beteja
pёr gjёra tё paravendosura nga tё tjerёt nё mungesёn tonё!
Dhe njerёzit e pafajshёm ngulnin karfica nё sytё
e pёrplasnin kokёn pas murit tё lartё,
duke e ditur mirё se ai nuk bie
e as pёson çarje pёr tё parё njё copё kaltёrsie
tё paerrёsuar nga hija e tyre dhe nga koha.
E, megjithatё, s’dihet,
atje ku ka rezistencё pa shpresё, bash atje fillon
ajo qё ne e quajmё historia njerёzore dhe bukuria e njeriut,
atje, mes hekurash tё ndryshkur dhe kockave tё demave e tё kuajve,
mes trekёndёshave tepёr antikё, mbi tё cilёt digjet akoma pak dafinё,
ndёrsa tymi ngrihet nё perёndim
si i shfijёzuar nga njё shtёllungё e artё.