Ismet Hajrullahu: Një Pakt Kombëtar për Mbrojtjen e Republikës së Kosovës
Mos u çuditni nëse nesër s’ka më kush të flasë për Kosovën, sepse sot të gjithë e lanë të heshtur. Mos u çuditni nëse mbetemi edhe pa miqtë që na ndihmuan të fitojmë lirinë dhe të ndërtojmë pavarësinë. A keni dëgjuar këto këhe dikë që të flasë zëshem për këtë rrugë pa krye ku është futur Kosova?
Përballë raketahedhësve në veri dhe shpërthimeve që nuk priten më nga befasia, por nga indiferenca e përditshme, institucionet e Republikës janë bërë peng i mosveprimit dhe i mungesës së përgjegjësisë… Një qeveri në detyrë, si kjo e Vetëvendosjes, që nuk ka guximin të kërkojë besim të ri dhe një opozitë që është mbështjellë pas bojkotit dhe komoditetit procedural në Kuvend, po e shtyjnë shtetin drejt kolapsit institucional.
Kosova është sot e pambrojtur, jo për mungesë ushtarësh, por për mungesë vendimmarrjeje. Kur shtëpitë në veri shndërrohen në depo armësh dhe Prishtina zyrtare nuk ka mekanizma që të reagojë, atëherë Republika nuk është më funksionale. Ajo është kthyer në zonë gri, ku ndërmjet dekreteve politike dhe kalkulimeve të ngushta individuale, shteti mbetet pezull.
Qeveria, e vetëdijshme për kufizimet e saj në këtë fazë, nuk mund të krijojë komoditet në këtë status quo. Përgjegjësia e saj nuk është të administrojë rutinën, por të kërkojë dalje nga kjo gjendje somnambul. Por ajo, deri më tani, nuk ka bërë as përpjekjen minimale për të çliruar institucionet, as për një kompromis institucional, as për një format kombëtar të dialogut, as për koordinim të sinqertë parlamentar. Kjo heshtje në kohë zjarri është dorëzim i heshtur.
Opozita, ndërkaq, nuk mund të sillet thjesht si spektatore e pakënaqur. Ajo mban mandate, ka peshë përfaqësimi dhe detyrime. Bojkoti në kohë rreziku nuk është strategji, por është mungesë veprimi përballë nevojës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, si forca e tretë parlamentare, nuk mund të mbajë qëndrim të heshtur si të ishte palë dytësore. Nuk është më ajo LDK e Presidentit Rugova që propozonte rrugë dhe zgjidhje në situata të ndryshme. Nëse nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes, ajo mbetet si pjesë e zgjatjes së krizës…
Qëndrimi i saj i tërhequr nuk është as maturi dhe as vlerësim i rrethanave, por është zhgënjim i heshtur institucional.
Nëse ky Kuvend nuk funksionon dhe askush nuk merr iniciativë për zgjidhje reale, atëherë mbetet vetëm një rrugë: kthimi tek qytetari që të marrë fjalën atje ku institucionet kanë heshtur.
E në këtë frymë, si qytetar i këtij vendi, si aktivist i hershëm dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam të drejtën morale të bëj një thirrje të drejtpërdrejtë për Z. Memli Krasniqi: Nëse Kosova është më e rëndësishme se çdo pozicion tjetër, atëherë kërko zgjedhje të reja!
Hiqni dorë nga mandatet që nuk mund të shërbejnë më për përfaqësim real dhe ftoni për një legjitimitet të ri.
Të largohesh nga një Parlament që nuk funksionon nuk është dorëzim, por është nje hap për të shpëtuar Republikën.
Nuk kemi të bëjmë më me debat opozitë-pozitë. Kemi të bëjmë me një realitet ku Vetëvendosje, me njerëz që sillen si të paprekshëm, po mban peng institucione që i takojnë qytetarëve.
Ne si PDK nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje.
Ne kemi përgjegjësi historike, si parti shtetformuese që lindi nga gjaku i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe nëse ne si partia e dytë më e madhe në Kuvend largohemi nga një institucion i paralizuar, atëherë sistemi do të përballet me pasqyrën e tij dhe do t’i duhet të rifreskohet ose të rrënohet.
Unë nuk jam jurist, por besoj se ajo që është e logjikshme për shtetin, duhet të jetë edhe e mundshme me ligj. Ligjet nuk janë pengesë për shpëtimin e Republikës, ato janë instrumente për ta mbrojtur atë. Asnjëra palë politike nuk mund të pretendojë më kredibilitet publik, nëse sot nuk merr përgjegjësi për këtë boshllëk institucional.
Mazhoranca që qëndron në vend duke shpresuar se koha do t’i zgjidhë vetë gjërat, është po aq përgjegjëse sa opozita që fle mbi mandatet. Historia nuk do të bëjë dallim në verdiktin e saj, përpara saj, të gjithë do të gjykohen për çfarë bënë, ose për çfarë zgjodhën të mos bënin.
Zgjidhja është më afër se kurrë, nëse ekziston vullneti. Le të organizohet një tryezë e hapur, një Pakt Kombëtar për Mbrojtjen e Republikës dhe nëse as kjo nuk funksionon, kthimi me dinjitet te vota e qytetarit, para se shteti të rrëshqasë pa rikthim në heshtje, është domosdoshmëri….