Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: Nderimi i dëshmorëve të kombeve të tjera

Dëshmori është një figurë unike e kombeve, që nderohet, vlerësohet dhe respektohet nga të gjithë shtetasit e kombeve të tyre. Dëshmori përfaqëson memorien dhe frymëzimin e kombeve, pasi ata kanë rënë në emër të një ideali kombëtar për çështjen e lirisë, pavarësisë, identitetit, interesit kombëtar dhe prosperitetit shoqëror. Çdo komb nderimet dhe vlerësimet e dëshmorëve i bën në përputhje me legjislacionin dhe ka format dhe metodat e veta të nderimit, natyrshëm edhe me veçoritë specifike të tyre.

Nderimi që i bën dëshmorëve kombi francez

Dëshmorët për francezët përfaqësojnë ndjenjën e sakrificës për kombin, mbrojtjen e vlerave republikane dhe ruajtjen e identitetit të lirë të shtetit dhe flamurit trekolor francez. Kombi francez nuk i harron kurrë, por përkujtohen me solemnitet dhe mirënjohje. Vlerësimi i francezëve për dëshmorët e kombit të tyre është thellësisht i rrënjosur në kujtesën historike, identitetin kombëtar dhe kulturën historike dhe qytetare të Francës. Dëshmorët e Francës në të gjitha epokat e zhvillimit historik janë figura që sakrifikuan jetën për liri, barazi, vëllazëri të kombeve dhe Atdhe. Homazhet zyrtare dhe kombëtare në Francë mbahen çdo datë 11 nëntor, në kujtim të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, që në origjinal quhet, “La Journée nationale d’hommage aux morts pour la France” (dita kombëtare e homazhit për të rënët për Francën). Fakt është se ceremonitë zhvillohen në monumente të dëshmorëve në gjithë Francën, veçanërisht te Harku i Triumfit në Paris, ku ndodhet Flaka e Ushtarit të Panjohur. Ceremonialin e nderon me pjesëmarrje personale edhe Presidenti i Republikës Franceze.

Dëshmorët në francë janë pjesë e kulturës së memories historike, që nderohen në edukimin shkollor, në muzeumet kombëtare si Muzeu i Luftës së Madhe apo Muzeu i Rezistencës Franceze. Fakt është se Francezët e trajtojnë kujtesën historike si pjesë të “detyrës për të mos harruar” (le devoir de mémoire), ku një nga shprehjet më simbolike dhe më të njohura në rang kombëtar është: “Ils sont morts pour la France”/Ata vdiqën për Francën, që është edhe perifrazimi që përdoret zyrtarisht në përmendoret, bustet, memorialet, pllakatat, dokumentet arkivore shtetërore për të gjithë ata/ato që dhanë jetën për vendin.

Franca bën edhe nderimet individuale, sikurse është dëshmori i njohur Jean Moulin, figura kyçe e Rezistencës gjatë Luftës II Botërore, eshtrat e të cilit prehen në Pantheon në Paris, që është një vend simbolik ku prehen personalitetet më të mëdha të Francës, dhe është forma më e lartë e nderimit për një qytetar francez. Dëshmori francez është lartësuar me mirënjohjen më të madhe edhe në letërsi dhe art, ku figura e dëshmorit është e pranishme në poezitë atdhetare e patriotike, në piktura, në filma, romane, novela që nderojnë trimërinë, heroizmin dhe sakrificën për lirinë dhe vlerat republikane franceze.

Nderimi që i bëjnë amerikanët dëshmorëve të kombit

Amerikanët kanë një vlerësim të thellë dhe solemn për dëshmorët e kombit të tyre, bazuar në ndjenjat e forta patriotike, në krenarinë e kombit të madh dhe respektit të pashoq për ata që kanë dhënë jetën për lirinë, demokracinë dhe kombin, brenda apo jashtë vendit për interesat e kombit amerikan si fuqia më e madhe botërore. Nderimi i dëshmorëve bëhet përmes një dite të veçantë që quhet “Memorial Day”(Dita e Përkujtimit) si një festë zyrtare e kombit amerikan që zhvillohet nga viti 1971 çdo vit në fund të majit, për të nderuar ushtarët e rënë në të gjitha luftërat ku ka marrë pjesë SHBA dhe që shoqërohet me ceremoni, parada, vendosje kurorash në varreza dhe heshtje që janë pjesë e nderimeve. Mijëra qytetarë vendosin flamuj amerikanë në varret e dëshmorëve, si në “Arlington National Cemetery”, ku prehen shumë nga heronjtë e kombit. (në dy lufta botërore kanë luftuar edhe 8414 shqiptarë në përbërje të ushtrisë amerikane dhe që gjenden në arkivat amerikane. Dëshmorët në SHBA konsiderohen si mbrojtës të parë të kushtetutshmërisë dhe të  lirive qytetare. Qeveria dhe ushtria amerikane mbajnë ceremoni të rregullta nderimi, për çdo ushtar që bie në krye të detyrës, flamuri kombëtar u dorëzohet familjarëve me solemnitet me këto fjalë: “On behalf of the President of the United States and a grateful nation…” (në emër të presidentit të SHBA-së dhe një kombi mirënjohës). Disa nga shprehjet amerikane frymëzuese dhe simbolike janë: “All gave some, some gave all.” (Të gjithë dhanë diçka, disa dhanë gjithçka); “Freedom is not free.” (Liria nuk është falas); “They died so ëe could live free” (Ata vdiqën që ne të jetojmë të lirë), fjalë e shprehje frazeologjike që përdoren në ceremoniale përkujtimore, në fjalime presidenciale, në varreza ushtarake etj. Ata që bien në shërbim nderohen me medalje të larta si Medalja e Nderit (Medal of Honor), e cila jepet shpesh pas vdekjes. Amerikanët kanë programe të posaçme për familjet e të rënëve, të quajtura “Gold Star Families”, që janë në vëmendjen e shtetit dhe të shoqërisë përveç nderimeve me medalje të posaçme. Dëshmorët në Amerikë trajtohen denjësisht dhe krenarisht edhe në filma, libra dhe dokumentarë amerikanë, si në: Saving Private Ryan, Band of Brothers, American Sniper, etj., një kulturë memoristike që ruan gjallë kujtimin dhe sakrificën për brezat e rinj. Është e njohur në SHBA se në ceremonitë përkujtimore ushtarake luhet himni solemn “Taps”, një melodi e heshtur dhe prekëse që simbolizon përshëndetjen e fundit për dëshmorët e rënë në beteja. Dëshmorët në ShBA nderohen e vlerësohen si shtyllat e lirisë kombëtare, me respekt të jashtëzakonshëm nga çdo brez, çdo komunitet dhe çdo institucion amerikan. Ata nuk konsiderohen thjesht të rënë, por heronj të përjetshëm të një kombi që nuk harron asnjëherë.

Nderimi që i bën kombi anglez dëshmorëve

Britanikët, si shumë kombe të tjera me një histori të gjatë të përfshirjes në luftëra, kanë një ndjenjë të thellë respekti dhe nderimi për dëshmorët e tyre dhe ky është një nderim e vlerësim që shfaqet në disa mënyra të veçanta dhe tradicionale: “Remembrance Day” (Dita e Kujtimit). Kështu më datën 11 nëntor të çdo viti (në përvjetorin e përfundimit dhe të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore), britanikët në të gjithë vendin, ndalojnë për një heshtje në orën 11:00 për të nderuar të rënët në luftëra. Kryeministri dhe familja Mbretërore vendosin kurora me lulekuqe “poppy” në memorialin e të rënëve në Ëhitehall, Londër, pranë Cenotaph-it (Memoriali i Dëshmorëve). Simboli i lulekuqes (poppy) është simbol i sakrificës dhe kujtimit të ushtarëve të vrarë në luftë dhe që përdoret masivisht nga qytetarët, ushtarakët, politikanët, mediat në javët para 11 nëntorit, brenda dhe jashtë vendit, kudo ku shërbejnë bijtë e kombit britanik. Tradita vjen nga poezia “In Flanders Fields” përhapur nga Royal British Legion. Në çdo qytet dhe fshat në Mbretërinë e Bashkuar ndodhen memorialë për të rënët, shpesh me emrat e banorëve që humbën jetën në LIB dhe në LIIB. Këto memoriale nderohen çdo vit, veçanërisht nga brezat e rinj që marrin pjesë në ceremoni të organizuara kryesisht nga brezat e rinj të shkollave britanike. Ushtarakët britanikë të rënë nderohen me funerale shtetërore ose ushtarake, varrosen në varreza të veçanta si ato të “Commonëeath Ëar Graves” (varrezat e luftës të Komonuellthit). Kultura angleze ka bërë mjaft libra dhe filma britanikë për sakrificat dhe heroizmin, duke e pasur të shenjtë mirënjohjen kombëtare të brezave. Familjarët e dëshmorëve gëzojnë respekt të veçantë dhe trajtim dinjitoz nga shteti. Edhe britanikët kanë disa shprehje etalon të nderimit si: “Lest ëe forget” (Që të mos harrojmë kurrë); “They shall groë not old, as ëe that are left groë old” (ata nuk do të plaken, sic plakemi ne…), nga poezia “For the Fallen” nga Laurence Binyon. Britanikët kanë dëshmorin si figurë të sakrificës sublime, garant i lirisë dhe vlerave kombëtare, vlerësim i rrënjosur thellë në kulturën, arsimin dhe simbolikën publike të vendit.

Italianët nderojnë dëshmorët si unitet vlerash dhe bashkimi kombëtar

Italianët i vlerësojnë dëshmorët me nderim të thellë historik dhe simbolik, duke i konsideruar si simbol i sakrificës, lirisë, unitetin kombëtar dhe demokracisë, verësim që i përket veçanërisht dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, të Lëvizjes së Rezistencës antifashiste, dhe për ata që dhanë jetën në procesin e bashkimit kombëtar. Italia ka 25 prillin si ditë të Dëshmorëve, ose si festën e lirissë (Festa della Liberazione), si një ditë zyrtare kombëtare të nderimit dhe respektimit të dëshmorëve të rezistencës antifashiste, që sollën çlirimin e Italisë nga nazifashizmi më 1945. Kombi italian kujton luftëtarët partizanë dhe qytetarët që luftuan për lirinë dhe demokracinë, ndërkohë që në çdo qytet zhvillohen ceremoni me përfshirje deri të Presidentit të Republikës dhe nivelin më të lartë të Forcave të Armatosura italiane. Altare della Patria (Altari i Atdheut) në Piazza Venezia është monumenti më i rëndësishëm që simbolizon nderimin për të rënët, ku në qendër është varri i Ushtarit të Panjohur (Il Milite Ignoto) figurë që përfaqëson të gjithë dëshmorët e paidentifikuar. Që prej katër vitesh (prej vitit 1921), truproja e nderit qëndrojnë në vijueshmëri aty dhe çdo vit bëhen zyrtarisht homazhe. Në çdo qytet italian ndodhen pllakata përkujtimore me emra dëshmorësh, në rrugë, shkolla, ndërtesa publike.

Organizata më e madhe që ruan kujtesën e dëshmorëve të rezistencës quhet: ANPI (Associazione Nazionale Partigiani d’Italia). Familjarët e dëshmorëve nderohen si pjesë e historisë kombëtare dhe shpesh përmenden në tekstet shkollore dhe filmat dokumentarë. Simbolika dhe ndjenjat publike për dëshmorët shihen dhe vlerësohen si mbrojtës të vlerave themelore: liri, demokraci dhe barazi. Dëshmorët italianë nderohen edhe me kushtetutën antifashiste italiane, e cila buron nga sakrificat e tyre. Dëshmorët përkujtohen për luftën, për kurajën civile, përfshirë këtu edhe prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, oficera, policë të vrarë nga mafia ose terrorizmi. Ndër thëniet proverbiale popullore italjane më të përdorshme janë: “La libertà è un dovere, prima che un diritto” sikurse thotë Norberto Bobbio (Liria është një detyrë, përpara se të jetë një e drejtë);

“Per non dimenticare” (Që të mos harrojmë). Në Itali, dëshmorët janë simbol i identitetit kombëtar dhe moral, kontribues në themelimin e shtetit modern dhe mbrojtjen e idealeve demokratike. Kujtesa e popullit italian është e institucionalizuar, e respektuar dhe pjesë e edukimit të gjerë qytetar. Edhe ne shqiptarët kemi 114 dëshmorë shtetas italianë gjatë luftës antifashiste, por edhe Gjeneral Enriko Telini është dëshmor i Lidhjes së Kombeve që ra për mbrojtjen e kufijve shqiptarë dhe që është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor”, që ra për Shqipërinë.

Nderimi që i bën kombi turk dëshmorëve “Şehit”-ëve

Vlerësimi që Turqia dhe populli turk i bëjnë dëshmorëve të kombit të tyre është jashtëzakonisht i lartë, emocional, i rrënjosur thellë në identitetin kombëtar, historik e fetar të vendit. Kështu në shoqërinë turke, “şehit” (dëshmor) ka një status të shenjtë, të respektuar si hero kombëtar dhe besimtar i rënë për Atdheun dhe Zotin. “Şehit” (dëshmor) vjen nga arabishtja/persishtja dhe do të thotë “dëshmitar” (i besimit), dhe ka kuptim të dyfishtë: kombëtar dhe fetar. Dëshmori është njeri i shenjtë që sakrifikon jetën për vendin, flamurin dhe besimin fetar. Fjala “Şehitler ölmez, vatan bölünmez”/(Dëshmorët nuk vdesin, Atdheu nuk ndahet), ndërsa 18 marsi është dita e Dëshmorëve për nder të fitores së betejës së famshme të Çanalkalesë, “Çanakkale Zaferi ve Şehitleri Anma Günü”, që përkujton betejën e famshme të Çanakalasë më 1915 gjatë Luftës së Parë Botërore. Në këtë ditë nuk rreshtin ceremonitë shtetërore e ushtarake në të gjithë vendin, me pjesëmarrjen e Presidentit, Forcave të Armatosura dhe qytetarëve. Nderimi dhe respekti për dëshmorët është masiv në shkolla, ku nxënësit recitojnë poezi për dëshmorët, vizitojnë varrezat ushtarake dhe mësojnë për sakrificën e tyre. Ndërsa 30 gushti është dita e “Zafer Günü”/dita e fitores që përkujtohet me madhështi. Në Turqi ndodhen me dhjetëra varreza dëshmorësh (şehitlik), ku prehen ushtarë dhe qytetarë të vrarë në luftëra apo sulme terroriste. Vetëm në kryeqytetin Ankara ka dy varreza të dëshmorëve të kombit turk, por monumenti i dëshmorëve të Çanakalasë në Gallipoli është një nga vendet më të vizituara në botë, një simbol i krenarisë kombëtare dhe i fitores së madhe të vitit 1915 ndaj disa ushtrive njëherazi. Në Gallipoli janë varrezat e shtatë ushtrive si dhe qindra shehitë të kombit shqiptar të rënë në luftë për mbrojtjen e Çanakalasë me rreth 26 mijë të rënë. Në qytete si Ankara e Stamboll si dhe qytete të tjera të Turqisë ndodhen monumente madhështore, ku zhvillohen homazhe. Në Izmir është një monument që quhet “Ilk Kurshun”/plumbi i parë, që i kushtohet luftës së madhe patriotike që e pritën grekun me pushkë dhe triumfuan mbi të. Respekti për familjet e dëshmorëve në Turqi është i jashtëzakonshëm, pasi u jepen familjeve të tyre nga shteti përfitime ekonomike, banesa, punësime publike dhe kujdes i veçantë shëndetësor e social. Gjatë fjalimeve politike e ushtarake, përmendja e nënave të dëshmorëve (şehit anneleri) përcillet me emocione të mëdha dhe duartrokitje. Nënë dëshmori është një krenari kombëtare e jashtëzakonshme. Edhe në xhami luten shpesh për shpirtrat e dëshmorëve, duke i konsideruar si të pavdekshëm në sytë e Zotit. Sipas traditës islame, “një dëshmor hyn në xhenet pa gjykim”, gjë që e rrit ndjenjën e nderimit dhe krenarisë. Në media dhe arsimin publik, dëshmorët përshkruhen si modele të larta morali dhe sakrifice, shpesh me portrete dhe histori të tyre. Janë me dhjetra thëniet për dëshmorët: “Vatan için canını veren her kişi şehittir” (kushdo që jep jetën për atdhe, është dëshmor); “Bayrakları bayrak yapan üstündeki kandır; Toprak eğer uğrunda ölen varsa vatandır.” – Mithat Cemal Kuntay (Ajo që e bën flamurin flamur është gjaku që është derdhur mbi të; toka bëhet atdhe vetëm kur dikush ka vdekur për të). Turqia e konsideron dëshmorin si themel të lirisë, nderit dhe unitetit kombëtar, ku nderimi për dëshmorët është institucional, kulturor, fetar dhe emocional, si dhe përfaqëson një nga shtyllat më të forta të identitetit dhe moralit kombëtar turk.

Po vlerësimi për dëshmorët nga kombi shqiptar?

Kombi shqiptar i ndarë, coptuar dhe sakatuar shekujve është një komb heroik, që ka mbijetuar dallgëve të historisë dhe që vlerësohen në rreth 60 mijë të rënë në dy shekujt e fundit, edhe pse gjaku i dëshmorëve nuk mund të përllogaritet me numra. Nderimi i dëshmorëve ka spikatur në gjysëmshekullin e dytë të shekullit të XX. Sot në Shqipëri ka 35 varreza dëshmorësh me eshtrat e dëshmorëve të LANÇ-it. Kultura shqiptare e kujtesës për dëshmorët e Shqipërisë përmblidhet në disa qindra memorialë, lapidarë, buste, pllakata, filma, romane, gazeta, revista, shkrime në rrjetet socialeme mijëra, pa përmendur këtu luftën çlirimtare të Kosovës (UÇK). Shprehja “kush ka vdekur për Atdhenë nuk ka vdekur por ka lerë” është mjaft sinjifikative. Përkujtimi i dëshmorëve bëhet më datën 5 maj si dita e dëshmorëve por edhe më datën 29 nëntor që është dita e çlirimit të Shqipërisë. Në Shqipëri ka vetëm një libër zyrtar për dëshmorët “Dëshmorët e Atdheut”, të publikuar me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes përgatitur në AQFA. Megjithatë sado të bëhet për dëshmorët gjithmonë është shumë pak se gjaku i derdhur për Atdheun nuk ka çmim, nuk ka asnjë parametër e mekanizëm që mund ta vlerësojë sa e si duhet. Përjetësia e dëshmorëve është kujtesë e përhershme për lirinë e kombit që shekujve e ka larë përmes gjakut rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, rrugëtimin e mbijetesës përmes gjakut të derdhur në themelet e lirisë së kombit.