Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Vatoci: Monopatinat, rreziku i radhës në rrugët e Tiranës

Një aksident i rëndë ndodhi së fundmi në kryeqytet: tre fëmijë me monopatina në rrugët e Tiranës u përplasën nga një makine, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Ngjarje si kjo nuk janë më raste të veçuara, por pjesë e një realiteti të frikshëm me të cilin përballemi çdo ditë. Monopatinat janë kthyer në makthin e përditshëm për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve. Ato janë jashtë çdo kontrolli, ecin ku duan, kur duan dhe si duan.

Mungojnë rregullat, sinjalistika po mbi të gjitha edukimi dhe ndërgjegjësimi. Shohim çdo ditë të rinj që ecin me shpejtësi marramendëse nëpër rrugë të ngarkuara, që futen mes makinave pa paralajmërim, kalojnë semaforë të kuq, dhe nuk respektojnë asnjë normë trafiku. Nuk e dimë nga vijnë e ku shkojnë, thjesht shfaqen dhe zhduken, por pas tyre mund të mbetet tragjedia.

Frika është bërë normale. Si drejtues automjeti, je gjithmonë në ankth se dikush do të të dalë papritur përpara. Si këmbësor, ke frikë të ecësh edhe në trotuar. Monopatinat, motorët e picave, biçikletat, të gjitha përzihen me këmbësorët dhe makinat në një rrëmujë të rrezikshme ku secili vepron si t’i dojë qejfi. Dhe ajo që të bën të vësh duart në kokë, është se edhe vetë këmbësorët nuk ndihen më të sigurt. Vizat e bardha, që dikur garantonin të drejtën për të kaluar, sot janë thjesht vijë dekorative askush nuk ndalon, askush nuk pret.

Në fund, është puna jonë e zakonshme: shqiptarçe. Ligje që nuk zbatohen, rregulla që nuk respektohen, dhe institucione që heshtin. Të gjithë e dimë që situata është jashtë kontrollit, por askush nuk bën asgjë.

Deri kur? Çfarë tragjedie duhet të presim që të merren masa serioze për përdorimin ose ndalimin e monopatinave? A duhet të humbim një jetë të pafajshme që dikush të zgjohet dhe të vendosë të veprojë? Është e papranueshme që në një qytet që pretendon të jetë europian, të mos ketë asnjë standard për këtë mjet që çdo ditë bëhet burim rreziku.

Qytetet e zhvilluara kanë rregulla të qarta për përdorimin e monopatinave: korsi të dedikuara, kufizime shpejtësie, mbrojtje për këmbësorët dhe ndëshkime për shkelësit. Ndërsa në Tiranë, gjithçka është lënë në mëshirë të fatit.

Koha për të vepruar ka kaluar. Nëse sot nuk ndërhyjmë, nesër do të jetë vonë. Sepse kur rrezikohen jetët e fëmijëve, nuk është më çështje transporti, është çështje përgjegjësie. Dhe këtë përgjegjësi, dikush duhet ta mbajë.