Hiqmete Daja: Sot po shkoj në Durrësin tonë, profesor i nderuar Shaban Murati!
Po shkoj në Durrësin tonë që e donim të dy shumë, sepse atje lindëm ne e prindërit tanë, atje kishim kujtime të çmuara të vegjëlisë e të rinisë, por ah sa keq që po shkoj pa ty, mik i shtrenjtë, por për të promovuar librin tënd “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar”. Kisha nderin e madh të përzgjidhesha nga ti për të bëre redaktimin e këtij libri me vlera të jashtëzakonshme dhe dije se e kam bërë me shumë dashuri dhe respekt për ty.
Sot më presin durrsakët tanë që të kanë dashur e respektuar, shkrimtarë e miq të Lidhjes së Shkrimtarëve që të bënë anëtar nderi e me nr. 1 anëtarësie.
Do të flas e monitoroj këtë aktivitet, nuk di a do të plotësoj pritshmërite e tua tepër të sofistikuara, por unë do ta bëj me shpirt e kjo ka shumë rëndësi.
Më ke thënë ambasador, e shkrimtar i madh, e i nderuar Shaban Murati që ne Durrësin e duam me shpirt e po kështu edhe durrsakët e sot unë do të përpiqem të jem një pjesë e vogël e jotja tek ata. Këtë ta premtoj, sepse e di sa me dashuri do të më presin durrsakët, kur t’i flas për ty e për librin tënd.
Ti je me ne sot i dashur e i nderuar profesor dhe me krijimet e tua je përjetësisht me shqiptarët!
Do të rrosh gjithnjë në zemrat tona, mik i vyer!