Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Eva S. Ceca

Kur zbriti Qershori

Qershori zbriti nga qielli

si princ që di ta mbajë heshtjen në shuplakë.

Sytë i kishte ngjyrë drite,

dhe flokët si fllad

që nuk ikën larg.

*

Nuk erdhi me zhurmë…

Hapat i kishte prej dielli të butë

dhe hije prej ylli që pritet të  bjerë.

*

Ai nuk foli.

Vetëm më pa,

si një Zot që njeh kujtimet

që unë nuk i kam jetuar ende.

*

Mbi supe mbante gjelbërimin e pranverës,

në gjoks kishte lëkurën e pjekur të qershive,

dhe në duar mbante një lloj kohe tjetër:

atë që s’matet me orë,

por me dridhje zemre.

*

Ai nuk më premtoi asgjë,

por gjithçka ndodhi:

era ndaloi të fryjë pa lejen e tij,

lulet u përkulën,

dhe vetë dielli qëndroi pak më gjatë

mbi fytyrën time.

*

Qershori ishte hyjni e harruar,

që zbriste çdo vit vetëm një herë,

për të parë në sy

ata njerëz që kishin lindur në dritë

dhe mbartnin diell në heshtje.

*

Ai nuk qëndroi gjatë,

princat e përjetësisë nuk jetojnë në muaj,

por në çaste që s’t’i merr askush.

*

M’u afrua dhe më la në ballë

një puthje pa tingull,

që ende e mbaj si hajmali,

kur hesht në fund të çdo dite.

*

Qershori u largua,

por mua më  dhuroi ca grimca hyjnore,

ca dritë-hije tokësore

dhe më shumë diell se dje.

——–

Unë kam lindur në Qershor

Kam lindur në Qershor,

kur dielli nuk më pyeti

nëse doja freski mëngjesi

apo ditë të nxehta.

M’i dha të dyja.

*

Në degët e pemëve

u varën qershitë si buzëqeshje të kuqe,

ndërsa era

më dhuroi fjalët e para

në gjuhën e dritës.

*

Qershori nuk është muaj,

është një dhuratë.

Është puthje që vjen nga dielli

dhe prekje që mbetet kujtim.

*

Kam lindur kur lulet

nuk e mësojnë më erën të flasë,

por heshtin me krenari.

Si gratë, që e njohin vlerën e vet

dhe nuk e shpallin me zë.

*

Qershori më solli vetë diellin,

në ngrohtësinë më të ëmbël

dhe më vuri në duar

një këngë që nuk shteron.

*

Jam e lindur

në mes të qershive dhe stinës që thërret.

E pranuar nga vera

si një sekret, që vjen me hijeshi.

*

Ndaj, kur dua të kujtoj veten,

nuk kërkoj në pasaporta,

por në aromën e një mëngjesi Qershori,

ku çdo gjë është e gjallë

dhe s’ka nevojë për justifikim.