Ylli Molla: Një mesazh domethënës nga Albano Carrisi
“Për një periudhë të gjatë nuk kisha aspak kohë të lexoja dhe as të shihja ndonjë gjë tjetër, edhe kur kisha kuriozitet. Tani do të doja ta jetoja jetën ndryshe. E kam jetuar jetën time me një shpejtësi 2 000 milje në orë dhe tani më lindi dëshira të ndalem dhe të shijoj atë që kam jetuar. Është e drejtë të ndalesh dhe të thuash: Do të shijoj këto momente, të bëhet ç’të bëhet. Në fakt, për çdo njeri që ka jetuar me ritëm të shpejtë, herët a vonë, arrin një moment që thua: dua të ndalem, nuk kam shijuar asgjë. Kam patur momente që nuk doja të nisesha për diku, ndoshta sepse në ajër ndihej një erë e çuditshme, sepse ishte një diell që më tërhiqte. Por pastaj sforcohesha dhe thoja: Duhet të nisem! Tani ndihem krejt ndryshe. Ndoshta mund të nisem përsëri, por jo tani, ndoshta pas dhjetë vitesh”.
Këto fjalë të thëna nxitimithi, teksa po bëheshim gati për të regjistruar intervistën, mund të përmbledhin më qartë se çdo përkufizim tjetër jetën e vrullshme dhe të jashtëzakonshme të artistit dhe njeriut të madh, Albano Carrisi. Për herë të parë kantautori i mirënjohur tregon për lidhjet me Shqipërinë, punën, biznesin dhe jetën familjare në një intervistë ekskluzive për lexuesit shqiptarë.
Cellino San Marco, 18 shtator 2001.