Diplomati i parë Apostolik i Vatikanit në Shqipni ishte Imzot Ernesto Koci
Fritz Radovani
Shteti i parë, që njohu Shtetin Shqiptar në vitin1920, ishte SHTETI I VATIKANIT.
I PAHARRUESHMI IMZOT ERNESTO KOCI ASHT AMBASADORI I PARë I SHTETIT T’VATIKANIT.
Menjëherë mbas takimit të Imzot Luigj Bumçit, i ngarkuem me detyrën e Kryetarit të Delegacionit të Shqipnisë në Konferencen e Paqës në Paris, me Papën Benedikti XV, i cili mori përsipër me bisedue me Presidentin e ShBA Wilson, për ruejtjen e Shqipnisë nga coptimi nga shtetet fqinjë, me 12 Nandor 1920 Papa Benedikti XV ngarkoi Imzot Ernesto Kocin (Kozzi), me detyrën e Delegatit Apostolik në Shqipni. Imzot Koci jo vetëm kishte një dashuni të madhe për popullin e Gjergj Kastriotit, po edhe njifte mirë gjuhën shqipe, për të cilën që në vitin 1900 ai punoi dhe la vepra me një vlerë të madhe etnologjike të Shqipnisë së Veriut.
Ai asht marrë kryesisht me të drejtën zakonore, edhe pse gjuha shqipe nuk ishte e shkrueme, po me anë të komunikimit gojor me popullin e disa krahinave në Malësinë e Madhe, Mirditë, Zadrimë, Postribë dhe Dukagjin. Ai ka mërrijtë me lanë një studim të plotë të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, në një kand tjetër shikimi prej të madhit dhe të njohunit dijetar At Shtjefen Gjeçovi.
Imzot Ernesto Koci vërtetë ishte nga Trentoja, italo – austriak, po ishte një ndër albanologët e përkryem dhe shumë i aftë, e kjo vërtetohet me veprat me vlerë që ai ka lanë per kulturën e panjoftun shqiptare edhe sot.
Veprimtaria e tij asht e gjithanshme dhe i paraprin studjuesve shumë të njohun edhe pse të huej si, At Zef Valentinit, At Jak Gardinit etj., që përjetsisht do të kujtohen nga Populli Shqiptar për veprat e tyne.
Imz. Ernesto Koci edhe pse erdhi kur Shqipnia vazhdonte me kenë nën thundrat e turqëve, ai me një kujdes të madh mori rrugat e vështira të Malsisë, ku la vepra të pashlyeshme baritore e kulturore, për të cilat ka shkrue edhe e njohuna e madhe Dr. Edith Durham (1863-1944) dhe personalitete të tjera shqiptarë dhe të huej.
Ajo që Imzot Kocin nuk e ka shkelqye me ndriçimin e duhun të Veprave të Tij diplomatike, asht kenë pikrisht mentaliteti i politikanve tanë, që asnjëherë nuk kanë mujtë me shlye nga koka e vet fanatizmin anadollak antikatolik, apo kombtar e ma vonë atë sllavokomunist, ashtusi sot, që janë tue vazhdue me lanë Ambasaden kombtare në Vatikan pa ambasador!
Imzot Ernesto Koci asht le me 6 Korrik 1870 dhe ka vdekë papritmes në Bari me 23 Shkurt 1926. Por, ajo që do të theksoj asht “dëshira e Imzot Ernesto Kocit me u vorrosë në token Shqiptare”. Dhe ashtu u veprue.
Ai asht vorrosë në Kishën Kathedrale të Shkodres, e Vorri i Bekuem i Tij, ka mundësi që asht zhdukë me “revolucionin kultural të 1967”…
Edhe kjo asht një vepër e komunizmit barbar në Shqipni!
Me këte rasë po ju kujtoj thanjet e Papës Gjon Pali II në Tiranë, përballë Heroit tonë kombtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu: “… Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurr në historinë e njerëzimit…Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmes… Një demokraci pa vlera, – këte e kam shkrue n’ Enclklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia…”. (25 Prill 1993).
A nuk e vërteton këte fakt “rilindja komuniste” sot në Shqipni?!
Dhe unë, po përsëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni… Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europian!…”.
Sot ne jemi para fakteve të pashlyeshme të veprimeve antishqiptare dhe kryesisht atyne antikombtare, me të cilat qeveritarët tonë kërkojnë shpartallimin e Atdheut!
Populli Shqiptar asnjëherë nuk asht pajtue me veprime të tilla antikombtare dhe, jam i sigurtë se as SOT, NUK DO TË PAJTOHET ME KËTO VEPRA ANTIKOMBTARE!
Pranë Kishës Kathedrale të Shkodres, Sot e ka vendin e Vet me siguri ”EDHE NJË MONUMENT I TË MADHIT IMZOT ERNESTO KOCI”!
Flamurtarët e të Mëdhajve Gjergj KASTRIOTI dhe Nanë TEREZA, ishin janë, e kanë me kenë të Pavdekshem në Trojet tona, ku asnjëherë nuk harrohet Emni i të Madhit IMZOT ERNESTO KOCI, Delegati i Parë i Vatikanit në Shtetin e Parë Shqiptar 1920.
Po shtetet tjera ku ishin?
Melbourne, 28 Qershor 2025.