Çapajev Gjokutaj: Lufta Iran – Izrael, narrativat e fitores dhe palloi
Sulmi izraelito-amerikan kundër ajetullahëve të Iranit përfundoi shumë më shpejt seç pritej. Ky është lajm i mirë, armëpushimet dhe paqja kanë qenë thuajse kurdoherë zgjidhje shumë më të mira sesa lufta. Por lajmi në fjalë bëhet edhe më i mirë, se nga dita në ditë po dëshmohet që kjo luftë e shkurtër ka dëmtuar sadokudo infrastrukturën nukleare të lranit.
Gjithsesi rezulton se kjo nuk ishte vetëm një luftë e shkurtër, por qënkesh edhe një luftë e çduitshme: pati vetëm fitues dhe asnjë humbës. Të paktën në rrafshin e propagandës të trija palët ndërluftuese kanë thurrur këto ditë nga një narrativë fitimtari.
1.
Irani thotë se armëpushimi erdhi si pasojë e sulmit të tij kundër bazës më të madhe amerikane në rajon. Është një pretendim tip pallua, i fryrë shumë më tepër sesa realiteti. Synon t’u thotë iranianëve se regjimi i ajetullahëve është shumë i fortë, ndeshet me ushtri e kombe shumë të fuqishme dhe i detyron të tërhiqen nga opcioni i luftës e të bëjnë paqe.
Po ta pranëvesh këtë pretendim delirant me realitetin, sheh se ka shumë më tepër pendë sesa mish dhe në përfundim palloi i propagandës katandiset një thelë. Sulmi në bazën amerikane të Al Udeid, më e madhja në rajon, ishte më shumë një veprim simbolik. Madje burime të besueshme thonë se Irani i kishte njoftuar amerikanët paraprakisht, ndaj këta evakuan ushtarët e pajisjet luftarake në kohë.
Edhe pse me ngarkesë propagandistike që dallohet qysh përtej, narrativa e ajetullahëve duket se po funksionon në dobi të tyre: ka gjeneruar një valë nacionalizmi thuajse gjithëpërfshirës, e mjaftueshme për të zbehur sadokudo pakënaqësinë masive ndaj regjimit.
2.
Edhe Izraeli ka dalë me narrativën e vet prej fitimtari. Në parantezë duhet thënë se pas gjasash shteti i hebrenjve është fitimtari i vërtetë i kësaj lufte. Pasi për dy vjet me radhë dobësoi dukshëm Hamasin, Hejsbullahët dhe aleatë të tjerë të Iranit në rajon, ndërmori sulme ajrore kundër Iranit duke dëmtuar sadokudo infrastruktërën e tij nukleare, duke vrarë një numër jo të vogël ushtarakësh të lartë e shkencëtarësh që merreshin me pasurimin e uraniumit. Dhe, qershia mbi tortë, Netanjahu ia arriti të tërheqë në këto sulme edhe amerikanët.
Gjithsesi, edhe narrativa e Izraelit ka shumë më tepër pendë sesa mish, shumë më tepër propagandë sesa realitet. Dëmtimi i infrastrukturës nukleare iraniane nuk është në përmasat që e paraqet Tel Avivi. Mbrojtja ajrore e Izraelit rezultoi të mos ishte në lartësinë që kishte krijuar një mit i kahershëm për të. Si pasojë e sulmeve raketore iraniane Izraeli pati jo pak humbje në infrastrukturë, madje edhe në civilë.
Pavarësisht gjithë këtyre, narrativa e fitimtarit e përpunuar në Tel Aviv ka synime dukshëm pretencioze. Një luftë e fituar në 12 ditë i shërben Izraelit zyrtar për të retushuar sadokudo disfatën e e 7 tetorit, kur shërbimet sekrete dhe ato militare u kapën në befasi nga Hamasi që vrau 1200 izraelitë dhe rrëmbeu 250 të tjerë.
Mbështetja morale dhe infrastrukturore që i ofruan Franca, Britania e Madhe dhe shtete të tjera perëndimore gjatë sulmeve ajrore të Iranit, u shfrytëzua nga Izraeli për të retushuar sadokudo kritikat për sjelljen çnjerëzore ndaj civilëve palestinezë në Gaza, ashtu si vetë lufta 12 ditore shërbeu për të tërhequr vëmendjen nga mizoritë e Gazës. Më shumë se 100 civilë palestisnezë u vranë gjatë atyre ditëve nga ushtria izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ushqimit, por vëmendja e mediave ishte përqendruar në qiell, tek raketat, avionët e dronët.
3.
Sulmi rrufe i bombarduesve amerikanë kundër tri qendrave iraniane të përpunimit të uraniumit, sulm që u pasua me një armëpushim të menjëhershëm të pranuar si nga Irani dhe nga Izraeli, shënon një fitore të madhe në politikën e jashtme të presidentit Trump. Megjithatë edhe narrativa e tij është e mbingarkuar me propagandë dhe, në disa segmente, shtrembëron rëndshëm të vërtetën.
‘Shkatërruam tërësisht dhe plotësisht programin bërthamor të Iranit’, deklaroi Trump menjëherë pas bombardimeve. Raporte paraprake të Pentagonit, shërbimeve inteligjente amerikane dhe tani së fundi edhe të shërbimeve europiane të shtyjnë të besosh se e vërteta është ndryshe: Irani duket se ia ka dalë të zhvendosë në baza të tjera dhe rrjedhimisht të shpëtojë 400 kg uranium të pasuruar në 60%. Nëse kjo rezervë pasurohet më tej deri në 90%, do të jetë i mjaftueshëm për rreth 10 koka bërthamore.
Programi bërthamor iranian nuk është ‘shkatërruar tërësisht e plotësisht’, është shtyrë vetëm për pesë muaj, thonë ekspertët. Kurse një pjesë e analistëve politikë pohojnë se bombardimi amerikan ka sjellë me vete rrezikun që veprimtaria bërthamore e Iranit të vazhdojë në fshehtësi, larg mbikëqyrjes së ekspertëve ndërkombëtarë siç ka ndodhur deri më tani. Po qe se të gjitha këto dalin të vërteta, bombardimet kanë sjellë më shumë zarar sesa qar.
Ekzagjerimi deri në kufijtë e hiperbolës i rezultateve pozitive të bombardimit amerikan i shërben presidentit Trump të kompesojë sadokudo premtimet elektorale se do ta përfundonte brenda ditës luftën në Ukrainë, se do të sillte paqe në Lindjen e Mesme e të tjera premtime të këtij lloji. Vetëkuptohet se imazhi i një fitoreje spektakolare i shërben sadokudo edhe për të tërhequr vemendjen e qytetarëve amerikanë nga shqetësimi se lufta tregtare do rëndojë edhe mbi xhepat e tyre.
Po të mbështetesh në deklaratat e Kahmeneit, Netanjahut e Trumpit të rezulton se lufta 12 ditore pati vetëm fitues. Ky imazh në trajtë mirazhi të sjell ndër mend atë grekun antik që tha se viktima e parë e çdo lufte është e vërteta.