Kristaq Balli: “SHENJTORJA ME STIGMA” E GJON MILIT
Një imagjinatë dhe përqëndim të pakufishëm fotografik zotëron Gjon Milin në pasqyrimin e operës “The Saint of Bleecker Street” (Shenjtorja e Rrugës Bleker) të kompozitorit të famshëm ital0-amerikan Gian-Carlo Mennoti, i cili e konsolidoi reputacionin e tij si ‘kompozitori më i suksesshëm i gjallë’ në moshën 43 vjeçare me operat “The Medium”,“The Telephone” dhe “The Consul” (të cilat i kemi përmendur gjrtkë si subjekte ilustrimi fotografik nga Gjon Mili). Fotografia që pasqyron skenën finale të aktit të parë të operës “The Saint of Bleecker Street” (Shenjtorja e Rrugës Bleker) botuar në Revistën LIFE të dt, 14 Shkurt 1955, mendoj se është një nga fotot më të bukura e përfaqësuese të Milit, në të cilën talenti, përvoja artistike, pasuria e diturive teknike e teknologjike konvergjojnë në mënyrë të përsosur me përmbajtjen spirituale të mizansenës, duke na dhënë një fotografi dhe vepër arti të veçantë “biblike”, që zor se mund ta krijonte dikush tjetër në atë kohë. Në fakt, për këtë moment deçiziv Mili ka shkrepur disa foto me dhe pa ngjyra, si dhe me teknika shkrepjesh të ndryshme e krahasimore. Për të qartësuar e bërë sa më të kuptueshme interpretimin artistik të fotos, po jap disa prej elementëve kompozicionalë të saj:
Kjo dramë operistike përplasjesh dhe melodish fluide e mistike (1954) konsiderohej si një nga më të suksesshmet e shfaqura deri atëhere në SHBA në skenat e Broduej-t. Libretin e kishte shkruar vetë kompozitori Mennoti ( ashtu si shumicën e teksteve të operave të tij). Annina është emri artistik i personazhit kryesor të “shenjtores” të kësaj opere. Ajo nderohej përgjatë bulevardit “Bleecker Street” të komunitetit italian në Nju Jork për shkak të plagëve (stigmave) (plagët e Krishtit gjatë mbërthimit të tij në Kryq), që i shfaqeshin në duar çdo të Premte të Mirë të Pashkës. E brishtë por besimtare e devotshme dhe me vizione qiellore, ajo lutet për vëllain e saj të pafè, Mikele, i cili, nga ana e vet, ka një obsesion psikopatik për të mos e lejuar të motrën të bëhej murgeshë. Për këtë arsye Annina ndjehej e frikësuar, një gjendje që i shkaktonte edhe problem të vështira shëndetsore. Gjon Mili ka fiksuar pikërisht çastin kur asaj i shfaqen stigmat e përgjakura të gozhdëve në duar (të cilat janë të dukshme në fotografi), si dhe situatën e çuditshme e të vorbullt që krijohet midis gjindjes – banorë të ndryshëm, gjitonë napolitanë të rrugës Bleecker. Pikërisht, përafrimi e kombinimin absolut i këtyre dy gjendjeve subkoshiente, jotokësore s’mund ta bënte tjetër njeri, veçse Gjon Mili me një lloj fotografie të një modeli të ri artistik e teknologjik. Vini re, një shkrepje dhe dy situata të ndryshme fotografike brenda saj. Nga njera anë, Annina, në epiqendër, në momente shumë të veçanta sakramenti e bekimi qiellor, me duar të shtrira ku dallohen stigmat e sapokrijuara të gjakut të Krishtit të mbërthyer në Kryq, në gjëndje të brishtë, letargjie, palëvizshmërie, jermi e ngrirjeje paqësore, mbi të cilën fokusohet edhe ndriçimi i fotografit dhe, nga ana tjetër, njerëzit që e kanë rrethuar atë të pështjelluar nga gjendje sugjestioni, lëvizjeje kaotike, të pakontrolluara e të papërmbajtura të duarve dhe shprehje të habitshme e sureale e të deformuar të fytyrave të tyre. Pra, përkundër Anninës, trupat, duart e zgjatura drejt saj me dridhërima, si dhe fytyrat e tyre konvulsive shfaqen në lëvizje pështjelluese. Habia, makthi, frika, përgjërimi mistik për fatin e Anninës, i mbajnë ata në gjendje haluçinante …. Vetëm sytë e tyre mbeten të fiksuar në fytyrën e Anninës. Drita e plotë mbi fytyrën e trupin e saj (si rrezatim i vizioneve qiellore), errësira e plotë e sfondit dhe gjysmëdrita e vagullt mbi portretet e personazheve të tjerë shërbejnë në përcjelljen e këtij momenti kulmor dramatik me një domethënie esenciale figurative e artistike. Nuk e dimë nëse ky efekt ndriçimi i takon fantazisë së Milit, apo është pjesë përbërëse e skenografisë. Por, cilido të jetë varianti i saj, Mili e ka përdorur blicin si një mjeshtër i vërtetë dhe ka influencuar që të kompozojë një subjekt transhendetal nga tërësia e skenës së madhe operistike, ta veçojë, t’i afrohet asaj dhe të veprojë sipas vizionit të tij optik, ku ai është një profesionist i padiskutueshëm, i pakontestueshëm. Dhe, për hir të së vërtetës, fotoja që ka rezultuar duket se ka brenda kornizës së saj dy gjendje të ndryshme fotografike, dy foto, dy teknika realizimi, por vetëm një shkrepje, vetëm një. Binomi i fantazisë artistike dhe njohurive të veçanta shkencore që i atribuonin atij cilësitë e një novatori (shpikësi, krijuesi), të cilat i kanë vënë në dukje vazhdimisht kritikët dhe opinioni artdashës bashkëkohor, kanë ngjizur idenë që ai ta realizojë shkrepjen e vetme stroboskopike pak të zgjatur (si ato të ‘fotove pa formë’) pikërisht në çastin kur përputhja midis palëvizshmërisë engjëllëre të Anninës dhe dinamikës kaotike të turmës të sinkronizohen përsosmërisht. Pra të gjendet çasti vendimtar. Vlerat e saj rriten po të konsiderojmë që kjo foto nuk është krijuar në studio, por direkt në skenë.1)
Së fundi, fotoja, edhe pse me dimensione relativisht jo të mëdha, edhe pse nuk kemi ende origjinalen e saj, të le përshtypjen e një boceti të një tabloje të kompozuar pikturale, e një Pietáje Rilindase, mistike e monumentale. Për Gjon Milin kjo foto, sipas mendimit tim, përbën një prej kulmeve estetike e teknologjike të krijimtarisë së tij dhe të fotografisë në mesin e shek. XX.
_____________________________
1) LIFE Magazine, February 14, 1955, p.62-63.