Besiana Kadare kujton babain e vet, një vit pas ndarjes nga jeta me një fragment nga “Kronikë në gur”
“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.
Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë”? Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.
Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.
Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.
Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.
Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.
Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë”.
Ismail Kadare: “Kronikë në gur”, 1971.