Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Heshtja që vret!

Në historinë shqiptare, janë shënuar periudha kur fjala ka pasur peshë më të rëndë se plumbi. Ato nuk kanë qenë vetëm momente të dhimbshme, por çaste kur kombi është përballur me të vërtetën e tij më të thellë: frikën nga fjala, nga e drejta për të menduar e për të folur. Dhe, për fat të keq, edhe periudha që po jetojmë sot nuk bën përjashtim…

Kosova është e lirë, por jo e qetë, eshtë shtet, por jo e përmbushur. Kjo zbrazëti nuk është pasojë e brishtësisë së saj politike apo institucionale, por një plagë e trashëguar, e ripërtërirë dhe e heshtur: mungesa e përfshirjes së Luginës së Preshevës në projektin e vetëvendosjes shqiptare!

Kjo padrejtësi vazhdon të sundojë si një hije mbi çdo përpjekje për stabilitet dhe progres.

Për shumë vite, kjo çështje është konsideruar tabu dhe eshtë parë si një temë e rrezikshme, si një shpërthim potencial që mund të rrëzojë kështjellën e “stabilitetit” të ndërtuar me shumë kujdes nga faktori ndërkombëtar. Por çfarë stabiliteti është ai që jeton mbi shtypjen e së vërtetës, mbi heshtjen e një ndjenje të pashuar? A nuk është vetë kjo heshtje një kërcënim më i madh për paqen e qëndrueshme?!

Fakti që sot nuk flitet për Luginën nuk do të thotë se ajo nuk ekziston, por per momentin vetëm se është fshirë nga diskutimi politik për të ruajtur një status-quo, që më shumë ngjan me një kompromis të shurdhët, sesa me një marrëveshje per drejtësi. Kur vetë historia ndërtohet mbi heshtje, ajo bëhet e rrezikshme: jo për ata që heshtin, por për ata që refuzojnë të dëgjojnë.

Në këtë kontekst, ideja e ribërjes nuk është kërcënim politik, por domosdoshmëri morale,nuk është thirrje për ndarje apo dhunë, por për mendim të lirë, për guximin e një populli që nuk pranon të heshtë më, dhe nëse nuk lejohet as të mendohet për një realitet të ri, atëherë sistemi i ndertuar nuk prodhon paqe, por mekaniyma kontrollues.

Pavarësia e Kosovës është shpallur mbi bazën e vetëvendosjes dhe të drejtës së popujve për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Por asgjë në këtë akt themelor nuk ndalon mendimin përtej tij. Mendimi është baza e çdo lirie tjetër dhe kur ndalohet mendimi, ndalohet vetë kuptimi i lirisë. Prandaj, kërkesa për ribërje nuk është një manifest politik i momentit, por një nevojë që lind nga ndërgjegjja.

Ribërja nuk është projekt për të nesërmen politike, por për vetëdijen e sotme. Është një proces që duhet të ndodhë më parë në mendjen e shoqërisë, në rrënjët e historisë kolektive, në ndjenjën e përkatësisë dhe në guximin për të përmendur fjalë që nuk duhen më të fshihen. Trepça, Ujmani, kufijtë e Luginës nuk janë vetëm çështje territoresh apo pasurish natyrore,ato janë simbole të kujtesës së ndaluar, të një historie që ende nuk është mbyllur.

Pse duhet që shqiptarët të pranojnë që të trajtohen ndryshe nga popuj të tjerë që kanë kërkuar të njëjtat të drejta në Evropë? Pse duhet që një komb i ndarë padrejtësisht të heshtë vetëm që të mos shqetësojë “balancat” diplomatike? A nuk është kjo në vetvete një padrejtësi e re që ndërtohet mbi heshtjen ndaj padrejtësive të vjetra?

Faktori ndërkombëtar frikësohet nga precedenti , por historia e drejtësisë ka ndërtuar precedentë. Të drejtat nuk duhen matur me peshoren e stabilitetit afatshkurtër, por me busullën e vlerave universale. Nëse Kosova është ndërtuar si një projekt që respekton vlerat e demokracisë, atëherë ai nuk mund të mbajë jashtë diskursit pyetjen legjitime: pse Lugina nuk është pjesë e kësaj të drejte vetëvendosjeje?

Kur heshtja vendoset si normë , atëherë ajo vret ngadalë, por thellë. Vret identitetin, shpresën, përkatësinë,dhe për më keq, shndërron drejtësinë në një luks të pazakontë që duhet shtyrë për një “kohë më të përshtatshme”.

Por drejtësia që vonohet është drejtësi e mohuar dhe popujt që nuk lejojnë më të heshtin janë ata që e ringjallin dinjitetin e tyre. Prandaj edhe nëse ribërja nuk ndodh kurrë si projekt politik, le të ndodhë si një zgjim i ndërgjegjes.

Sepse një popull që nuk lejohet të mendojë për veten nuk është i lirë e as i përmbushur, por eshtë thjesht i lodhur nga një pritje e pafund, që dikush tjetër të kujtohet për të.