Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Asllani: Homazh në 1-vjetorin e ndarjes me Kadarenë

Kaloi një vit që Ismail Kadare nuk është mes nesh! 1 Korrikun e kaluar ceremonia e përcjelljes së tij në amëshim ishte një ndarje e dhimbshme! Ishte si t’i thoje lamtumirë një Pene të Artë midis të dy epokave gri të jetës shqiptare!

Si gjirokastritë e miq me Ismailin e gjenim përherë njeri-tjetrin dhe kohën për të folur për atë ‘çikë vend’ që na lindi e rriti, si e quajmë ne Gjirokastrën! Ndoshta vendlindja e përbashkët na i kishte shtuar mallin dhe dëshirën për të biseduar gjatë mes nesh…! Por me sa dukej koha tregon se sërish ishte pamjaftueshme për t’i biseduar të gjitha!

Personalisht për mua Kadare mishëronte bashkëqytetarin më të famshëm. Familjet tona kishin kaluar mirë dhe unë isha rritur si ai rreth kalasë, në të njëjtit rëpira, sokakë, banesa karakteristike dhe legjenda që ai kishte hedhur në “Kronikë në gur”. Përtej miqësisë, ai ishte shkrimtari i preferuar, një talent i pranuar gjerësisht, i cili kishte ndikuar jo pak tek unë në krijimin e përfytirimit artistik për botën! Por mbi të gjitha ai përbënte një potencial mbështetje për qytetin e lashtë në mbijetesën dhe ambicjet e tij në shekullin e ri.

Ndaj sot do të doja të hidhja dy fjalë përkujtimi e nderimi për mikun tim të vyer, i bindur që do të le sërish shumë pa thënë!

Ismaili ka patur gjithmonë një këndvështrim të vetin për vendlindjen! E ka dashur atë me shumë pasion, finesë dhe në mënyrën e vet më të mirë!

Bashkë na lidhte Gjirokastra dhe fakti që unë isha biri i një prej mësuesve të tij. Madje pikërisht mësuesi i fizikës, në laboratorin e të cilit kishin marrë sasinë e plumbit për të derdhur monedhat false të famshme. Një histori  zbavitëse e cila e kish “rrezikuar” jo pak,  dhe të cilen Kadare e ka përshkruar aq bukur në tregimin “Koha e parasë”.

E di kush je ti, fjala jote në qytet duhet të jetë vendimtare dhe ligj për të gjithë! më tha njëherë me humor, kur isha kryebashkiak. Ok i dashur, por kanë ndryshuar gjërat Ismail, ia kthej. Nuk shkon më harbutëria, mezi po ia dalim dhe me mirësjellje… Pas kësaj më rrëfeu një histori interesante. Shtëpia e Kadareve kishte shërbyer si Bashki e Gjirokastrës në kohën e perandorisë osmane.

Ismailit i kujtohej rrëfimi i gjyshes për rregullat e repta të kontratës me bashkinë. Veçanërisht portreti dhe autoriteti i kryebashkiakut. Më ka treguar me humor se kur nëpunësit e saj kishin bërë potere, kryetari i bashkisë  kishte hequr rripin e mesit dhe i kish rrahur  të dy në mes të divanit, në respekt të kontratës dhe familjes Kadare!

Vite më vonë, këtë banesë, kur u dogj ai ia fali bashkisë për të ndërtuar një nga muzetë e rralla etnokulturor, tepër i vizitueshëm sot! Kështu falja e saj Bashkisë nga Ismaili në vitin 1998 tingëlloi si të thuash edhe një rikthim në bashkëjetesën e dikurshme…

E takuam me bashkëshorten time Zamirën një javë më parë se të ndërronte jetë tek Juvenilja! Një takim i përmallshëm! Ishte si të thuash një nga lamtumirat e tij të fundit! Patëm shumë për të treguar, por nuk patëm aq kohë për të përmblidhur bilancin e bashkëpunimit tonë shumë vjeçar…! Të kujtonim detaje aktivitetesh, përpjekje, lobingje, projekte, panaire dhe takime të shumta për vendlindjen, në Gjirokastër, Paris apo Tiranë.

Kujtuam së pari telefonin e tij atë mbrëmje Marsi të vitit 1997, kur Gjirokastra ishte përfshirë në vorbullën shkatërruese të kohës…!

Pasi kërkoi i dëshpëruar të dinte ç’po ndodhte, Kadare do më ofronte atë natë dramatike mbështetjen e tij:

“I dashur Kryetar, më thuaj se çfarë mund të bëj unë për Gjirokastrën tonë”!

Do flasim së afërmi, i thashë duke e falenderuar për telefonatën dhe shtova se, kontributin tuaj do ta kemi në qendër të projektit për ringritjen e qytetit…

Më duhej patjetër mbështetja dhe për më tepër emri tij! Në fakt përpara katrahurës që ndodhi, si kryebashkiak kisha patur atëhere 3 synime të cilat nuk mund të realizoheshin kurrsesi pa angazhimin total të një ekipi të gjerë miqsh dhe të vetë Kadaresë…

1. Të përfshihej brenda mundësive Gjirokastrën në listën e UNESKOS që të pajisej me kartvizitën më atraktive të turizmit kulturor.

2. Të shndërrohej shtëpinë e tij karakteristike në një nga tërheqjet më të vizitueshme turistike të qytetit.

3. Të riktheja në Gjirokastër Festivalin Folklorik Kombëtar që i kishte kaluar Beratit, për ta shndërruar Kalanë e qytetit në sfondin më të shquar të etnfolklorit shqiptar.

Kisha bindjen e plotë se tri synimet tona do t’i hapnin një perpektivë të re Gjirokastrës, shndërrimin e saj në kryeqendër turistike. Koha e provoi këtë! Ndaj si gjirokastritë përkulemi me veneracion para Kadaresë jo vetëm për gjeninë e tij letrare…!

Për paradoks, tani pas çerek shekulli, edhe pse Gjirokastra po shpopullohet, tregu turistik i saj është përherë në rritje. Veç dekompozimit të banesave mes bukurive të trishta të qytetit, realizimet e tre objektivave tanë të dikurshëm ishin lëvizje të duhura në amullinë e asaj kohe për mbijetesën e qytetit! Ndërsa sot vazhdojnë të jenë arsyet më ndjellëse të ofertës turistike gjirokastrite.

Kuptohet çdo kohë ka sfidat dhe personazhet e saj. Humbjet dhe arritjet asnjëherë nuk janë përfundimtarë!

E rëndësishme, siç thoshte Ismaili është ta duash qytetin tënd me mençuri!

Në këto çaste që Kadare na mungon le të kujtojmë me krenari që kemi përshkuar së bashku një pjesë të çmuar të udhëtimit tonë në jetë. 

Nder e lavdi pastë përjetë!