Akad. Anastas Angjeli: Përurimi i Teatrit të Parë të Poezisë nga Lulzim Tafa, vlerë e veçantë për kombin shqiptar dhe Ballkanin
Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë në përurimin e Teatrit të parë të Poezisë, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por në gjithë Ballkanin, një krijim i poetit të shquar, mikut tim, Akademik Lulzim Tafa.
Ky teatër, më shumë se një ndërtesë, është tempull i fjalës, vatër ku poezia e Lulzim Tafës, e përkthyer në 30 gjuhë, merr jetë, shndërrohet në emocione, imazhe dhe tinguj. Një hapësirë ku shpirti gjen ngushëllim dhe frymëzim. Vepra e tij prek tema universale, duke na lidhur përmes përvojës njerëzore.
Një dhuratë për të gjithë ne, ky teatër është dëshmi e fuqisë së artit. Një vend për të festuar poezinë, për të ndarë histori dhe për t’u frymëzuar. Urime Profesor Tafa për këtë arritje! Ky teatër, një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Sali Bashota: Kodi poetik i Lulzim Tafës (Sfida e përzgjedhjes autoriale)
Përzgjedhja e poezive nga vetë poeti duke u përcaktuar për krijimet më të dashura, pa dyshim, është një sfidë e bukur, edhe pse në këtë rast është vështirë për secilin poet ta dallojë njërën poezi, por është edhe më vështirë ta mënjanojë tjetrën, madje edhe kur nuk e ndjek as rendin kronologjik të botimit të veprave të veta. Kriteri subjektiv mbase është edhe një vendim enigmatik për secilin poet. Po kështu, ndodh përafërsisht edhe kur i referohet vetëm një dimensioni të caktuar, qoftë tematik, motivor, estetik, figurativ, stilistik etj., sepse ridëshmohet sfida tjetër e radhës përbrenda aktit komunikues me lexuesin.
Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997), “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt. Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërës të tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant. Kësaj radhe, Antologjia personale e Lulzim Tafës bëhet kryetemë e dashurisë së tij për poezinë përbrenda ndjeshmërisë së tij shpirtërore duke i sistemuar idetë, konceptet dhe mendimet e tij krijuese.
Efekti estetik i lirisë poetike
Lulzim Tafa shkruan vargje që të mallëngjejnë dhe të rrëmbejnë njëkohësisht, siç janë për shembull poezitë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana”, “Andrra”, “Letër Bujar Tafës” etj. Ritmi i poezisë së tij arrin kulminacionin e ironisë lirike, pikërisht me përshkrimin figurativ të mungesës e zbraztësisë dhe me fuqizimin magjepsës të fenomeneve të realitetit jetësor si përjetim estetik në shumicën e fushave semantike. Kështu ndodh me tipin e poezive, kur në epiqendër qëndrojnë ëndrrat, derisa poeti përgatit ekspozitën e tij shpirtërore me ndjenja, mendime, figura, ide, stil, gjuhë dhe me përplot metafora të bukura. Kështu ndodh në imagjinatën e tij, kur e trajton fatin e njeriut nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, kur e koleksionon dashurinë dhe lumturinë apo edhe vuajtjen e dhimbjen, për t’i shpjeguar figurativisht fshehtësitë e kësaj bote. Kështu ndodh, kur shkruan me admirim vargje përkushtuese për poetët. Po kështu ndodh, kur e trajton motivin e luftës apo kur merret me zbërthimin e miteve dhe legjendave ose kur e rikrijon imazhin për zanafillën e qenies njerëzore, për Adamin, Evën etj. Lulzim Tafa e përcakton qartë idenë e krijimit poetik duke qenë ngulmues i shkathët për t’i zbuluar të panjohurat dhe të pathënat për qenien njerëzore në një kontekst të ri stilistik e figurativ, pastaj për t’i emërtuar gjërat dhe fenomenet sipas kodit të tij poetik.
Triptiku poetik për Nanën
Tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës dhe mendimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën.
Prandaj kur poeti e çel këtë shteg të dashurisë, nuk mund ta mbyll më. Kësaj radhe, është shtegu i përjetësisë përbrenda lirikës së pikëlluar, bashkë me baladën dhe elegjinë. Aty formësohet rrethi i vetmisë së pafund. Nana ka shkuar në amshim. Nana hesht. Nana nuk flet. Nana mbledh lule. Nana është në parajsë. Këto tri poezi janë ndër shembujt më të përsosur të ligjërimit përmes thjeshtësisë poetike të vargut, pikërisht me mjeshtërinë e mahnitshme të ideve, sigurisht përmes shpërthimit më emocional në tërë krijimtarinë e Lulzim Tafës. Fund e krye, në këto tri poezi drama shpirtërore e poetit zhvillohet përbrenda këtyre akteve, pikërisht në kërkim të zjarrit krijues, për t’i kapërcyer të gjitha urat midis jetës dhe vdekjes, derisa poeti të dalë në rrugën vetmitare, duke pëshpëritur më zë të lartë emrin e saj ose mungesën e saj ose mërzinë për të, duke dëshmuar se Fryma e Nanës ekziston dhe nuk vdes kurrë. Këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë.
Ndjesia kryetipore e dashurisë
Po kështu, sinkronizimi i ndjenjës me mendimin është një lloj shtegtimi i pafund në kërkim të mallit të pashtershëm. Poezitë përkushtuese të Lulzim Tafës për Nanën janë një lloj shenjtërimi lirik ku fuqizohet dashuria dhe madhërohet figura e saj. Poezitë e Lulzim Tafës për dashurinë janë një projekt letrar që ofrojnë shenjat fantastike të frymëzimit poetik ku shqiptohet ndjesia shpirtërore bashkë me të gjithë përbërësit e dashurisë. Pa dyshim, kjo është njëra ndër pasuritë më të mëdha poetike për poezinë e një poeti. Çasti i ligjërimit të dashurisë mbërrin kulmin e përjetimit estetik, pikërisht me elementet më tërheqëse të botëpërjetimit. Aty zgjerohet hapësira e shenjimeve me treguesit e zjarrmisë shpirtërore. Në poezitë “Të dielave mos më thirr”, “Ke fjetur nën hënë”, “Shkurtimi i një emri të bukur”, “Të dua më shumë se Paulinën”, “Ashensori”, “Vasha e Dukagjinit”, “Kur ti më thërret” etj., shqiptohet fuqishëm ëndrra e dashurisë në krijimin e situatave lirike. Kodi i shqiptimit të dashurisë zbërthehet përmes zërit të poetit. Shenjat e shpërthimit të ndjenjave sa vijnë e bëhen më të qarta duke i ndërlidhur kuptimet dhe domethëniet përbrenda formulës së poezisë. A është ekzistenca aventurë shpirtërore nëse është në harmoni me fuqinë qiellore apo me gravitetin tokësor, derisa në këtë ëndërr mbijeton poeti kur thotë: “Se/Zoti është një fëmijë i vogël/Që luan me yje”. Në poezinë “Andrra” jepen variacionet e ligjërimit parodizues brenda një konteksti të caktuar poetik dhe figurativ. Këto karakterizime i projekton LulzimTafa, poet i përkushtuar, me talent dhe i formuar, i cili ligjërimin e tij poetik e thur në mënyrën më të bukur, mahnitëse dhe të mrekullueshme. Këto tri shenja të dallueshme e fuqizojnë fushën semantike me atributet e tyre. Lulzim Tafa me stilin e tij krijues i ka tipizuar përbërësit e andrrave apo të ëndrrave. Po kështu në mesin e shumë poezive përbrenda opusit krijues të Lulzim Tafës, dallohen poezitë përkushtuese, poezitë që trajtojnë temën e dhimbjes, poezitë që trajtojnë temën e luftës dhe poezitë që e kanë referencë kodin biblik.
E para: Në procesin e krijimit të poezisë në trajtën më dashuruese është poezia përkushtuese, e fuqizuar përmes ndjeshmërisë poetike dhe cilësimit figurativ për shëmbëlltyrat e poetëve. Është një dialog poetik, i sistemuar dhe i lidhur ngushtë me frymën, shpirtin, artin, krijimin, por edhe me adhurimin, sikundër edhe me të shkuarën dhe të ardhmen, pastaj me kohën, hapësirën, rrethanat etj. Në ligjërimin e tij poetik nëpërmjet ideve dhe figurave portretizohen poetët: Çarls Bukovski, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Mirko Gashi, Basri Çapriqi, Kujtim Paçaku, Jevrem Bërkoviq, Izet Sarajliq, Dmytri Chystiak, Ion Deaconesku, Bujar Tafa etj. Duke e ndjekur këtë praktikë krijuese të shqiptimit të shenjave të përveçme për poetët, Lulzim Tafa, sjell figura, simbole, metafora, imazhe etj., të cilat e kanë përbrenda magjinë e vet frymëzuese për veprat e poetëve.
E dyta: Edhe në poezitë ku dhimbja bëhet kryetemë e kryefigurë, siç janë poezitë: “Në mungesën tonë”, “Edhe ata që nuk i njohim vuajnë”, “Ti a ke dhimbje”, “Planeti i dhimbjes”, “Lisat”, “Ata më thanë ik e unë ika”, “Lisat flejnë në këmbë”, “Gjaku nuk bëhet ujë” etj., Lulzim Tafa, dëshmon shkathtësinë e tij krijuese në përdorimin e lirisë poetike përbrenda poezisë, aty ku me mjeshtëri kombinohen fjalët dhe figurat, idetë dhe konceptet, gjuha dhe stili, imazhi real dhe imazhi irreal etj.
E treta: Poezitë për luftën shqiptohen nga një pozicion tjetër autorial. Përtej gjendjes shpirtërore janë jeta, liria dhe vdekja, Pak më larg është vetmia bashkë me ankthin e halucinacionet, pastaj përsëritja e vazhdueshme e trishtimit. Përjetimi i luftës rikrijon pamje heroizimi, por edhe pamje tmerri. Në poezitë “Vdekja çon fjalë”, “Reportazh i luftës së shenjtë”, “Lufta”, “Sllavisha me Yugo të kuqe”, “Svetllana dhe lufta”, “Lufta e Katërt Botërore” etj., Lulzim Tafa, bën një renditje të imazheve që e formësojnë metaforikisht besueshmërinë e përjetimit të çasteve jetësore, prandaj jo rrallë organizimi i ligjërimit bëhet me përmbysje të situatave në kuadrin e evidentimit dhe karakterizimit të elementeve esenciale. Djegia e shtëpisë, e bibliotekës, e librave, e dorëshkrimeve, përfytyrohet e shpërfytyrohet në poezitë e Lulzim Tafës që trajtojnë temën e luftës.
E katërta: Te lloji i poezive që e kanë reference kodin biblik, në radhë të parë, për Adamin dhe Evën etj., Lulzim Tafa, i rinovon idetë dhe konceptet për ta zgjeruar hapësirën krijuese me meditime lirike që prodhojnë artshkrimin të pasuruar me gojëdhëna, mite e legjenda. Ky proces tashti bart më shumë shenja të ekzistencës, madje shenja që marrin kuptime të reja.
Përfundimi
Poezia e Lulzim Tafës i referohet një leximi të frymëzuar dhe një përjetimi të veçantë estetik. Për nga idetë, stili dhe ironia lirike kjo poezi ndërlidhet me poezinë e viteve të tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërkaq poeti i takon brezit të poetëve të viteve nëntëdhjetë.
Në poezinë e këtij poeti, në njërën anë, fuqizohet paradoksi dhe kontrasti, ndërsa në anën tjetër, përmbyset konvenca dhe klishetizmi. Në fakt, është një poezi që i thellon variantet shkrimore gjuhësore të shqipes: i rimerr, i sistemon dhe i funksionalizon në raport me botëpërjetimin, duke e forcuar poetikën, madje edhe në rrafshe brendatekstore, për të krijuar efekte estetike pikërisht me kodin e vet poetik, kryesisht përmes gjuhës poetike. Në këtë mënyrë poezia e Lulzim Tafës e ruan dhe e pasuron ligjërimin dhe ndërton kuptime të veçanta poetike, duke u ndërlidhur me dukuri dhe fenomene të realitetit jetësor, sikundër që e formëson botën e vet apo modelin e vet krijues me vlerat e përfaqësuara.
(Pjesë nga parathënia e librit “Antologji personale”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2025)
Peter Tase – SHBA
Që nga momenti i botimit të librit të tij të parë me poezi, Lulzim Tafa ka demaskuar me mjeshtri pushtimin dhe gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e ushtruar mbi kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare. Kjo letërsi, përfshirë edhe stilin e Lulzim Tafës është një formë origjinale e të shprehurit që ka magjepsur shumë studiues dhe antropologë. Këtë rigjenerim të historisë se përgjumur të një populli të lashtë, po e bën Lulzim Tafa me poezinë e tij të spikatur.
Ali Podrimja – Kosovë
Poezia e Lulzim Tafës kaherë përplaset për muret tona, ku buzëqeshja ka humbur veten dhe kot ecim pas gjurmëve të saj. Një zot e di se çdo të ndodh me atë buzëqeshje që nuk pranë duke na kërkuar sepse vazhdimisht ne po e humbim dheun nën këmbë. Këtë poet e shquan guximi intelektual, si dhe mënyra e artikulimit që e dallon nga poetët e tjerë të letrave shqipe, ku poetët e tjerë të letrave shqipe, ku poetët shpesh e humbin rrugën e tyre dhe kurthohen në fjalë, duke e bërë kështu këtë poet njërin prej poetëve më interesantë që ka sot letërsia jonë.
POEZIA ËSHTË SI TOKA
Mban shumë njerëz
Mërzi e mall
Ka dete oqeane
Ka mal e bjeshkë
Gurë e dru e fruta
Të ëmbla
Pemë pelini
Stinë të akullta dashnie
Puhi pikëllimi
Ujë e dhé
Baltë e gjallë
Bar mbi varr
Ka këneta e moçale
Poezia është si toka
Veç pak më e madhe
AKULL DHE DASHNI
Për Zotin
Për ty
Për kry t’vargut
Nuk e di
Kam rrëshqitë
N’dashni si në akull
Apo kam rrëshqitë
Në akull
Si n’dashni
TY
Kryq para Djallit
T’kam vnue
Me m’dashtë
Me mbrojtë
Me shpirt
Me trup
Me mlue
EH
Dreqi ti
Si s’e kap dashurinë
Që ta hodha në ajër
S’e di ti
Sa lehtë e ke
Me m’përpi
Me një frymëmarrje
PRAPË TI NË MAJE
Prapë ti e para
Prapë ti në maje
Nga aty thërret
Çuditshëm emrin tin
Pa nda e thërret
Prapv ti e para
Prapë ti
Në maje
KËNGË TË TMERRSHME
Mo’ zot e liga
E çohen e vijnë
I presim me gjoks
Qafën ua shtrijmë
Mo’ zot e liga
E vijnë pa le dita
Gjerdanin me plumba
E brezin me thika
Mo’ zot e liga
E sulen pa tutë
Mbi qafat e arta
Mbi gjokset e butë
Mo’ zot e liga
E çohen e vijnë
Mo’ zot e liga
Ja po vijnë
(1999).