Çapajev Gjokutaj: Deti…
Deti ka diçka, në mos të magjishme, të paktën poetike, një lloj trazimi emocional që prek jo vetëm botën tënde ndijore por edhe atë shqisore, shpirtin dhe trupin në të njëjtën kohë.
Dhe s’e ke të lehtë të thuash me saktësi se nga buron e gjithë kjo. Ka të ngjarë që vjen nga modele kulturore, nga kryevepra të letërsisë dhe arteve që në rrjedhën e viteve i kanë dhenë formë botës tënde shpirtërore. Dhe të gjithë kanë lenë diçka brenda teje, nga Homeri tek Shekspiri, nga Whitman, tek John Keats e tek Neruda, nga Turner tek Monet etj. etj.
Po mundet që ngashënjimi i detit t’i tejkalojë modelet kulturore e të burojë nga prirje të brendshme pannjerëzore. Të duket sikur dëshirat për hapsirë, liri, aventurë e transhedencë që flenë brenda teje zgjohen e marrin jetë në prani të kësaj hapsire ujore, që ngjan se shkrin e bën një qiell e tokë.
Po ku ta dish se tërheqja e magjishme e detit nuk i ka rrënjët në diçka më të thjeshtë e më konkrete : në faktin se ngacmon njëherësh thuajse gjithë shqisat njerëzore: paanësia dhe kaltërsia – vështrimin, shushuritja e valëve në breg – dëgjimin, aromat e kripës dhe të jodit – nuhatjen, flladi dhe uji – lëkurën. Duke syunuar gjithë organet e shqisave deti përpiqet të krijojë një mbretëri kënaqësish estetike e trupore, unike në totalitetin e vet.
Këto mendoja sot herët në mëngjes ndërkohë që po shetisja plazhit të Jalit. Pastaj hodha sytë përbri nga ana e malit. E kanë gërryer shëmtueshëm dhe kanë ngritur ca skelete betoni që, ashtu në ndërtim e sipër dhe me hapsirat bosh, të sjellin në mend kafka të zbrazura. Duhet dhe pak shëmti e makabritet për të plotësuar gjithë spektrin estetik, hungërij së brendshmi.