Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mirënjohja e Fan Nolit për presidentin amerikan, Thomas Woodrow Wilson

Fragmente nga një fjalim i Fan Nolit mbajtur në parlamentin shqiptar më 11 shkurt 1924, 8 ditë pas vdekjes së Presidentit Thomas Woodrow Wilson.

“Titulli amerikan mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjersë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetët e tyre, e për të fituar bukën e fëmijëve. Për 25 vjetet e fundit Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: një fushë pune ku fitonin aq para sa ishin të zotë dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut. Kështu ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me ide të reja. Për të kuptuar sa influecë ka patur kurbeti i Amerikës mi Shqipërinë arrin kjo shëmbëll i vogël: Në një fshat të fushës së Korçës me 19 shtëpi kam gjetur 40 veta që kishin qenë në Amerikë dhe 40 të tjerë që janë në Amerikë edhe sot. Me fjalë të tjera, çdo shtëpi ka patur një djalë atje. Mund të thuhet me siguri se 80 për qind të shtëpive të reja në Shqipërinë jugore janë ndërtaur me paratë e fituara në Amerikë. Gjithashtu mund të konstatohet se një e katërta e popullatës së prefektuarave ushqehen drejtëpërdrejtë nga paratë e ardhur nga Amerika dhe tri të katërtat përfitojnë nga këto para indirekt. Për qetësinë që mbretëron në Shqipëri nën Shkumbin dhe veçanërisht në Labëri e cila ka qenë gjithnjë e turbulluar, ka një shkak dhe ky është kurbeti i Amerikës”.

……

“Në janar 1920 një erë zije dhe dëshpërimi kishte rënë në të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë i redaktuar prej aleatëve ishte njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Wilson. Presidenti Wilson jo vetëm nuk vuri firmën por u përgjigj edhe me dy nota në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim. Dy nota që janë dy xhevahiret më të ndritshme të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë dhe të gatitim lirinë që gëzojmë sot”.

https://archive.org/details/agreementbetween00franrich/page/n3/mode/2up?view=theater&ui=embed&wrapper=false

https://encyclopedia.1914-1918-online.net/article/london-treaty-of-1915/?format=pdf&fbclid=IwY2xjawLXG7xleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFVVzJDZkRuNng5WHV2RWd0AR6CfctsoHfPW3CmsFtAcAG6Sh6zjP3aIbpvtiAQ2RNyuUbg6_g3MT3AV-2Dsg_aem_mj5NIdMrxnAtVp3ujhtEmQ