Rafaela Prifti: Dublini, Parisi, Vlora dhe shumë të tjera
Nëse do kaloni disa ditë në Evropë këtë verë mund të jetë me interes ekspozita e disa dorëshkrimeve të lashta në Dublin, ose mund t’ju vlejë një këshillë për në Luvër pa u ndierë të stresuar, por që nga historia tek arti “i keni te gjitha në Vlorë.”
Dublini
Në kohën e Mesjetës së hershme, murgjit irlandezë sollën në kontinentin evropian disa koleksione me dorëshkrime, vëllime enciklopedike e manuale gjuhësore. Ato ishin shkruar në manastiret e Irlandës shumë më herët, diku midis shekullit të gjashtë dhe të nëntë. Për herë të parë, në një mijë vjet, disa nga këto dorëshkrime të hershme janë paraqitur në një ekspozitë të re në galerinë e artit mesjetar në Muzeun Kombëtar të Irlandës. Tekstet janë të huazuara nga Abacia e Shën Galit në qytezën Shën Gallen në Zvicër, i shpallur monument kulture nga UNESCO në 1983. Ekspozita është manifestim i lidhjeve shpirtërore midis Evropës dhe ishujve përgjatë bregdetit veriperëndimor të kontinentit sepse shumë dijetarë dhe mendimtarë kishin ardhur nga Evropa në Irlandë. Por murgjit irlandezë i çuan koleksionet me vlerë historike në Evropë për t’i mbrojtur ato nga sulmet e vikingëve dhe për kultivimin e shkëmbimeve kulturore. Prandaj edhe kujdestarët e galerisë e kanë pasur pikësynim të rindërtojnë rrugëtimin e dorëshkrimeve të sjella nga murgjit që vizitori të hyjë në botën dhe kohën kur u krijuan këto tekste. Përveç përmbajtjes me interes shkencor, anash faqeve gjenden edhe shënimet e murgjve ku qajnë hallet “për bojën e keqe”, se janë të lodhur fizikisht dhe të frikësuar nga sulmet plaçkitëse të vikingëve sypatrembur që vinin nga Skandinavia. “Këta libra përbëjnë thelbin e të kuptuarit të prejardhjes sonë, të gjuhës dhe lidhjes me kontinentin,” thuhet në broshurën e muzeut.
Në galeri është ekspozuar kopja më e vjetër që njohim me titull Etimologjia Etymologiae. E shkruar nga një murg irlandez në shekullin e shtatë dhe e sjellë më vonë në Zvicër, libri është enciklopedia e origjinës së fjalëve, të cilën muzeu e quan “interneti i botës së lashtë.” Në koleksion dallohet një kuti lisi e zbukuruar me punim bronzi, me një kryq dhe medaljon, relike libri, me trashësinë e një numëratori telefonash, fletët e të cilit u zbuluan në ujërat e lumit irlandez në 1986. Është një ekzemplar i rrallë, që, veç të tjerave, ka vlerë krahasimi me modelet e tjera të kutive-relike të librave, që kanë pësuar modifikime e riparime nëpër vite. Galeria “Fjalët mbi Valë” do jetë e hapur deri në 24 tetor 2025.
Parisi
Ndërsa nëse do jeni në Paris, vizita në Luvër mund t’i përngjajë vrapimit për herë të parë të një gjysmë-maratone, sipas ekspertëve. Muzeu më i madh dhe më i vizituar në botë ka 400 mjedise ose salla, dhe megjithatë vizitorët mund të ndihen të papërmbushur. Kjo ndodh se mbasi ke pritur në radha të gjata për të hyrë dhe pasi lundron mes një lumi njerëzish për tu afruar te Mona Lisa, kur arrin aty ajo është e vogël dhe ti nuk shkon dot më afër saj. Atëherë i thua vetes: Për këtë humba gjithë atë kohë dhe shpenzime? Dhe nuk e keni gabim sepse muzeu nuk është ngritur për t’i ekspozuar publikut vepra arti. Luvri ishte kala. Ishte arsenal. Ishte burg përpara se të kthehej në muzeum. Dhe sa për emrin, qarkullojnë shumë teori, por është e ditur se trualli quhej Luvër shumë kohë përpara se të bëheshin ndërtime aty. Fjala mund të ketë rrjedhur nga emri ujk ose ujkonjë në frëngjisht, si një vend ku kishte shumë syresh por mund të ketë marrë emrin e një fortifikimi ose një kolonie leproze ose një karakolli të lashtë ose një plantacioni me lisa. Asnjeri nuk e di me siguri por dihet se nuk u ndërtua si muze. Në fund të shekullit 12 nisi të ngrihej si fortesë për të mbrojtur Parisin. Pastaj u shndërrua në pallat mbretëror, por ngaqë atyre nuk u pëlqeu, me kalimin e kohës, u kthye në muze në kohën e Revolucionit francez.
Luvri është kaq i mbingarkuar me turistë sa personeli njoftoi se do dilnin në grevë por muzeu është i hapur çdo ditë veç të martës, sipas faqes zyrtare. Rreth 80% e vizitorëve që shkojnë për herë të parë kanë si motiv kryesor kureshtjen për Mona Lisën. Asnjë muzeum tjetër nuk identifikohet me një vepër arti të vetme sa Luvri dhe Mona Lisa. Kaq e fortë është kjo lidhje sa shumë besojnë se është person real dhe i shkruajnë letra duke iu drejtuar si të ishte e gjallë. Ta vizitosh Luvrin pa plan do të thotë të hysh dhe dalësh në galeritë e tij për të parë se çfarë të tërheq në atë moment apo atë ditë. Prandaj është mirë të zbulosh nëse je lloji i vizitorit luftarak i armatosur me një palë ‘kundra’ të rehatshme dhe i vendosur për “i nxjerr paratë” e vizitës së parë apo je një lloj endacaku që e merr fatin si të vijë dhe pranon të humbasësh në mjediset e Luvrit si eksplorues i së bukurës së asaj dite përpara asaj vepre arti që të bën ty për vete duke harruar sakaq pasigurinë dhe tensionet e kohës që po jetojmë.
Vlora
Sigurisht Vlora është vendpushim natyral për plazhet por edhe për rëndësinë dhe peshën në vetëdijen tonë historike. Për gjatë gjithë krahinës së Labërisë ka histori të shkruar, të pashkruar dhe të kujtuar në vargje e këngë. Një përmendore në Kuç e ngritur në kujdesjen e Profesor Emeritus Bardhosh Gaçe të Universitetit të Vlorës përkujton vizitën e Çajupit 21 vjeçar në Kuç në verën e vitit 1881. Nga thirrja e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra për mobilizimin e brigadave vullnetare në Amerikë për të dërguar djemtë shqiptarë në luftën e vitit 1920 në Shqipëri kundra Italisë dhe mbrojtjen e kufijve jugorë të vendit, tek vizita në shtëpinë muze të Marigosë, qëndistares së flamurit të pavarësisë, tek muzeu i Pavarësisë ku vijnë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e shumë të tjerë me banim në Evropë dhe Amerikë, tek xhamie e Muradies, pranë sheshit të Flamurit, e ndërtuar në vitin 1542 me urdhrin e Sulltan Sulejmanit nga “Mikelanxhelo i Orientit” arkitekti i njohur Mimar Sinania, deri tek Festivali Folklorik i Bashkisë së Kotes, gushtin e kaluar, ku isha e ftuar nga organizatorët, dhe në sa e sa vende në mbarë krahinën, ndihet se në Vlorë nuk ka shumë hapësirë midis historisë dhe kujtesës në këngë dhe në trashëgiminë sonë kombëtare.
Sa për shëtitje dhe aktivitete ditore në Vlorë, unë mbaj me vete këtë foto nga fillimi i shëtitores që vazhdon pesë kilometra përgjatë vijës detare që njihet me emrin italian Lungomare që kur u përfundua ky projekt në vitin 2023.
https://www.facebook.com/100064755940971/posts/1162647139237140/?mibextid=rS40aB7S9Ucbxw6v