Teuta Sadiku: Erosi në poezinë e Artan Gjyzel Hasanit
Artan Gjyzel Hasani është autor i 18 librave, nga të cilat 13 janë vëllime poetike.
Poezia e Artan Gjyzel Hasanit është poezi e fuqishme për guximin për t`iu larguar formave tradicionale, si në mënyrën e trajtimit të temave të dashurisë, ashtu si dhe në eksperimentimin e gjendjes njerëzore, të individit, vetmisë dhe vdekjes, jo vdekjes fizike sesa vdekjes metaforike nga Erotika. Ai është një antikomformist dhe poezia e tij është e ndërgjegjshme dhe e natyrshme çka vjen si një përmbledhje e trendit global të Majit të viteve 1968, revolucionit në muzikë, çlirimit seksual, konkretisht në Greqi, çka ndikoi edhe në qasjen ndaj dashurisë.
Erotizmi në vëllimet e tij poetike i afrohet Nasos Vagenas një poet grek i viteve ‘70, ku poezitë e tij krijojnë një atmosferë evokuese, pothuajse mistike.vTë njëjtën klimë e hasim dhe në Erotikën e Hasanit, mbrëmja, shtrati, qirinjtë, errësira trajtohen si një proces specifik dhe një ndjenjë të botës tjetër.
E përbashkëta e dy poetëve është fokusimi veçanërisht tek trupi, si marrës i përvojave dhe është po trupi që përjeton dhe interpreton përvojën.
Përvoja më tepër është fizike se sa emocionale, nëse do kishte vendosje apo ndërhyrje emocionale do t`ia largonin pasionit seksual thelbin. Thelbi në këtë rast janë imazhet, e dhunshme më tepër në poezinë e Nasos Vagenas dhe një çmenduri erotike në poezinë e aktit erotik në poezinë e Hasanit, ku akti erotik krahasohet me ndjenjën e vdekjes.
Përurimi i një pikëpamjeje të re të përvojës seksuale në poezinë e Hasanit është e guximshme dhe provokuese çka vendosja e intensitetit siguron një ndjesi risie dhe dinamike gjë që e bën tërheqëse përvetësimin e saj si perceptim në aspektin erotik të poezisë.
Nëse në poezinë e Nasos Vagenas dashuria paraqitet si një akt misterioz ku mungon butësia dhe shfaqen elemente mizorie në poezinë e A. Gjyzel Hasanit ka elemente të intimitetit shpirtëror sepse subjekti poetik përballet drejtpërdrejt me fytyrën e gruas.
dëshira që të ndricon sytë…
puthja dhe gjuha gjarpërushe…
prekja,
gishtërinjtë…thonjte e tu…
kafshimet…
veshtrimi yt djallushe…
jeshilja jote mbi sytë e mi blu..A.Gjyzel Hasani
Në poezinë e Nasos Vagenas çdo emocion është i bllokuar nën maskë, sepse subjekti poetik nuk përballet me fytyrën e gruas me të cilën kryen marrëdhënie seksuale, por me maskën e saj. Gruaja në poezinë e tij qëndron pa fjalë dhe komunikimi bazohet në procedura ritual, në kontaktin e gjuhës dhe atë trupor.
“Ti vjen çdo mbrëmje
Me fytyrën tënde të hidhur
Me fustanin tend të zi
Rri ulur në shtrat pa fjalë
Dhe ti më zbukuron me lule të kuqe
Me qirinj të ndezur:, Nasos Vagenas
Përsa i përket suksesit në Shqipëri, mos vallë e ka fajin morali i fortë. Gjuha që përdor poeti në poetikën e tij nuk është një gjuhë aq e butë, apo një gjuhë poetike e rrahur për veshët e lexuesit shqiptar. Kjo lloj poezie edhe pse ngjall kureshtje nuk tërhiqet nga lexuesi vendas ,me aventurat seksuale [edhe pse i dëshirojnë], me largimin e problemeve ekonomike në një shishe uiski.
Çdo natë femra që zgjova te ti
Arratiset nga gruaja që ka ai
Dhe në shtratin tim fle një tjetër
(histori dashurie… sa bota e vjetër…) Artan Gjyzel Hasani
Ndoshta koha kërkon një poet të madh letrar, vepra e të cilit t`i japë një tronditje të madhe moralistëve. Standartet mbizotëruese letrare brenda vendit kërkojnë një shkallë të lartë morale dhe shoqërore. Një poezi si kjo e Artan Gjyzel Hasanit vështirë ta kalojë testin moral të publikut të gjerë lexues.
Bota mendore dhe emocionale tek të dy poetët nuk rezulton si një cektësi, si një poezi sipërfaqësore, përkundrazi trupi barazohet me shpirtin, materia me shpirtin. Sepse në fund të fundit trupi dhe ndjesia janë fillimi dhe fundi i përvojës seksuale erotike, çka e çon subjektin poetik drejt diçkaje transcendtente, edhe kur preken kufijtë e vdekjes, por jo të vdekjes fatale, kemi të bëjmë me një vdekje metaforike.
Humbja e dashurisë është ajo që krijon trishtim,edhe pse dashuria në thelb mbetet një përvojë seksuale – fizike, pasi është kjo që zevendësohet me një dashuri tjetër.
Poezia e Artan Gjyzel Hasanit është një poezi e veçantë për nga lloji, e një poeti të talentuar, por që ende nuk ka lënë gjurmën e duhur për të grishur audiencën dhe për më tepër vëmendjen e kritikës, si pjesë e letërsisë bashkëkohore. Lexuesi i kësaj poezie jo se ka vdekur, por ai akoma nuk ka lindur. Është një evolucion, një diksion i ri poetik ku pasqyrohen ndjenjat më intime të misterit të jetës dhe natyrës së njeriut. Kanadaja është për Artanin vendi i imagjinatës së tij,mjedisi që herë pas here i mundëson atij t`i bëjë përshkrimet dhe fotografimet e imazheve mbi ndjenja të mprehta e të forta, pasionante. Me një gjuhë të thjeshtë por mjaft intensivë mendore, subjekti poetik shkruan për dashurinë dhe aventurat seksuale, i çliruar, me zjarr e forcë, ashtu siç shkruan Lampman-i sonetat e tij.
Dashuria në poezinë e A. Gjyzel Hasanit është një shprehje e unit, e egos, një luftë për dominimin e një trupi mbi një tjetër, një dominim narcist, seksual, sensual, është afirmimi i fituesit në kurriz të humbsit.
Në krijimtari poeti mer edhe nga realiteti ku jeton, nga realiteti i kulturës.Toronto është qytet kozmopolit dhe i hapur dhe poetët marrin e japin, pra dhe në krijimtarinë e Artan Gjyzelit kemi ndërfutjen e kulturave tek njera – tjetra.
Kurioziteti i çon poetët në këtë marrje – dhënie sepse si njeri dhe pastaj si poet, subjekti poetik rivlerëson dhe rizbulon vetveten. Pikërisht aty lind fantazia, ndjenja, kërkimi dhe aventura e madhe e përsiatjeve. Poetët, modesten e bëjnë madhështore. Ky është arti i vërtetë, është sekreti i transformimit, i përjetimit i mesazhit universal.
Në poezinë e Artan Gjyzel Hasanit vargjet e poetit përbëjnë një reflektim të thellë mbi identitetin, kufizimet dhe ndjenjat e brendshme të shprehura nëpërmjet një gjuhë të thjeshtë, por të pikturuar me figuracion të fuqishëm artistik. Poeti përdor një stil bashkëkohor dhe introspektiv, duke eksploruar konceptin e artistit dhe marrëdhënien me botën e jashtme. Vargu është i ndarë në shtresa kuptimesh ka deklarata personale dhe reflektime mbi gjendjen emocionale dhe shpirtërore.
Vëmë re përdorimin e tre pikave “…” në fillim dhe në fund çka shërben si element heshtjeje, boshllëku, ose hapësirë për interpretim, duke krijuar një efekt të ndjeshëm të ndarjes ose ndalimit të rrëfimit.
Stili i përdorur është i lirë, pa vargje të rregullta metrike, çka tregon për një frymëzim modern dhe subjektivitet të lartë. Kjo është e zakonshme në poezinë bashkëkohore, ku rëndësi ka figuracioni dhe mesazhi emocional që përcjell.
“Unë s’jam poet”, thuhet në një poezi: Reflektim i identitetit të poetit, ku “s`jam” është një formë jo-standard për “jam”, duke krijuar një efekt të introspektivitetit ose një ndjenjë të ndryshimit ose mungesës të vetëdijes së plotë.
“Gabrielë” është ndoshta emri i engjëllit, që simbolizon ndoshta shpëtimtarin, mesazhin e shenjtë, ose ndonjë forcë hyjnore që i jep kuptim ekzistencës së poetit ose shërben si një thirrje për ndihmë ose udhëheqje shpirtërore.
Ndaj s’më lexon dot…”: Kjo shprehje tregon një ndjenjë të izolimit, mungesës së kuptimit ose vëmendjes nga të tjerët. “S’më lexon” mund të interpretohet si mungesë e komunikimit shpirtëror ose emocional.
“Jam gërryerje… Drogë… Ethe…”: Këto janë figura të fuqishme që përshkruajnë gjendje të brendshme të dëmtimit, varësisë ose etjes së pashuar për diçka që i jep emocion ose kuptim. “Gërryerje” simbolizon dobësimin ose shkatërrimin e vetvetes.
“Jam tre pikat në fund të vargut tim …”: Ky është një figuracion poetik që përfaqëson një ndjenjë të papërfunduar, të paplotë ose të pambyllur. Pikat tregojnë për një pritje ose vazhdimësi, si një hapësirë për vazhdimësinë ose misterin.
“Retiçenca jote e përjetshme”: Retiçenca, fjalë e huazuar nga latinishtja (“reticencia” – heshtje, fshehtësi), që nënkupton një mbyllje të brendshme ose një fshehtësi të vazhdueshëm. Kjo mund të jetë e referuar ndaj një dashurie, një force hyjnore ose vetvetes, që është e përjetshme dhe e pandërprerë.
Stili i poetit është introspektiv, i thellë dhe i lirë, duke përdorur figuracion të fuqishëm për të shprehur gjendje emocionale të ndërlikuara. Gjuha është e thjeshtë, por me një ngarkesë simbolike që krijon një atmosferë të tensionuar, të ndjeshme dhe të fshehtë.
Vargjet e poetit janë një shembull i mirë i poezisë bashkëkohore me figuracion të fuqishëm për të shprehur ndjenja të thella të izolimit, kërkimit për kuptim dhe lidhje shpirtërore. Stili është i lirë, introspektiv dhe i mbushur me simbole që ndihmojnë lexuesin të ndjehet i përfshirë në një botë emocionale të fuqishme.
Transplatimi i traditave letrare në krijitarinë e Artan Gjyzel Hasanit
- Një fjalor metaforash nga fjalët e reja, të pahasura në poezinë shqiptare: “tatuazh për lëkurën e dirsur të negrit, ku dashurinë e konkuronte seksi anal”.
- Importim dhe përshtatje të formave dhe teknikave në poezinë shqiptare nga vendet ku kanë emigruar poetët.
- Poezia shqiptare ashtu si dhe kultura shqiptare është e hapur më e huazuar ndaj kulturave dhe poezive të vendeve të tjera ‘Vallja e Yjeve’ Lasgush Poradeci ku yjet, janë bartës së energjisë,së dashurisë edhe vetë dashuria jepet si energji që mposht ftohjen, plakjen, vdekjen.
- Nuk kemi një teori diellore të dashurisë, tek Lasgush Poradeci, por kemi një teori yjesh.
- Në poetikën e Artan Gjyzel Hasani format dhe teknikat janë të importuara, por përmbajtja, tematika janë shqiptare, kemi peisazhin shqiptar, familjen shqiptare me identitetin shqiptar. [në pjesën më të madhe].
- Kemi një përputhje midis diksionit të tij poetik të importuar dhe përmbajtjes vendase shqiptare poezia “Dashuria”.
Poeti krijon një ekuilibër të harmonishëm mes realitetit dhe dëshirave lindur nga ky realitet, [oezia për nënën për Shën Valentinin].
Subjekti poetik krijon letërsi të fluksit të rrjedhës psikologjike, kjo është një teknikë e letërsisë moderne.
Kritika standarte e ka të vështirë të komentojë këto poezi e jo më të analizojë, sepse kritika është mësuar të analizojë temën, figurat artistike dhe të bëjë përqasje me këtë apo atë poet botëror pa argumenta, pa metoda nga teoria e letërsisë dhe nuk i zbërthejnë dot këto forma kompozuese të reja në krijimtarinë e Artan Gjyzel Hasanit.
Poezitë Artan Gjyzel Hasanit thyejnë kornizën e narrativës dalin nga tematika rutinë e dashurisë dhe krijojnë vetë tematika të reja duke iu përshtatur shoqërisë, vendit ku punon e jeton.
Monologu si dhe dialogu vërtiten rreth jetës, aventurave seksuale për të njohur vetveten, rreth dashurisë e vdekjes deri tek tjetërsimi i njeriut.
Fjalët hyjnë në grevë jo me heshtje, por me protestë “Demokracia alla shqiptarçe“. Duket sikur lëndën letrare e gjen rrugëve të Athinës, Tiranës, Torontos, por më parë e shoshit në shpirtin, ndërgjegjen e poetit. Kjo poetikë i çan prangat që e mbajnë të lidhur me poetikën standarte si në tematikë dhe në formë.
Poeti shkel në parcela të pashkelura të imagjinatës krijuese, por nuk e mohon dashurinë.
“Se vetëm dashuria e kishte magjinë
Që fjalën Larg ta lexonte Pranë”.
Për ty nga libri Erotika
Në shkrimin e saj “Poezia është çështje shkrimi dhe leximi”, studjuesja dhe kritikja Emi Krosi ngre me të drejtë problemin e mungesës së kritikës profesionale.
Po e përfundoj materialin me disa mendime e ide për rëndësinë e kritikës letrare.
Ku qëndron vlera e një poezie
Vlera e një poezie qëndron në intensitetin me të cilin është përballur një përvojë çka i përket parimeve të estetikës. Poeti Artan Gjyzeli duke kërkuar bukurinë e fjalës, mësoi dhe ashpërsinë duke u ndikuar nga poezia Dekadente. Por poezia bashkëkohore e poetit në fjalë përshihet më tepër në poezinë moderne.
Në letërsinë shqiptare kemi një vonesë kohore prej afro tre dekada. Poezia e sotme ajo që kritika e quan poezi moderne është një poezi me ndjenjën e lodhjes shpirtërore,një poezi e përkushtuar, e thellë e shpesh e zemëruar. A kemi vërtet një lëvizje Moderniste në Shqipëri në vitet pas 90 –ës.
“Të lutem mos u rrit
Rritja është gabimi”
Lutje e mbrëmjes për një vogëlushe, Artan Gjazel Hasani
Subjekti poetik i marrë në shqyrtim është po aq i hapur ndaj rrymave të reja letrare aq sa edhe “fanatik” ndaj trajtimit të temave me bazë traditën letrare të vendlindjes, si dhe problemet aktuale shoqërore të vendit.
Në poezinë e tij trajtohet tematika intime,meditimet mbi jetën e përditshme, aventurat seksuale, jeta dhe vdekja, ankthi dhe vetmia. Specifika e poezisë është liria e fjalës, fryt i eksperiencave dhe sfidave me të cilat është përballur.
“por ah sa i madh pylli kur dita përkulet e bëhet muzg
si malli yt kur unë vonohem e rrugën humbas
hutuar si nusepashke në tërfilin e prillit
ndrojtur si gishtërinjtë e erës në flokët e barit
dëborë e rënë nga pishat në supet e lisit
ku më pas sëpatën i lodhur do mbështesë druvari”, Artan .Gj. Hasani.
Ekologjia e poezisë së Artan Gjyzel Hasanit i referohet marrëdhënieve të poezisë me mjedisin ose natyrën. Poeti me mënyrën e vet të tërthortë paraqet se si poezia percepton, përçon dhe ndikon në marrëdhëniet e tij me botën natyrore, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve, ndërgjegjësimin për krizën mjedisore dhe ndjenjën e bashkësisë me natyrën. Në këtë kuadër, poezia e tij shërben si një mjet emocional dhe estetik për të reflektuar mbi ndikimin e njeriut në mjedis dhe për të nxitur një qasje më të përgjegjshme ndaj mjedisit jetësor.
Përdorimi i fjalëve të marra nga natyra në funksion të idesë, në mënyrë të tërthortë rrit emocionin dhe anën estetike për të reflektuar dhe nxitur qasjen e përgjegjësisë së njeriut ndaj natyrës, pylli, nusepashkë, tërfili i prillit, flokët e barit, dëbora e rënë nga pishat në supet e lisit, sëpata.
Në shumë vende e në shumë kultura letërsia e në veçanti poezia përdoret për të shprehur lidhjen e artit me natyrën dhe rolin që ka arti për ndërgjegjësimin ekologjik.