Blerina Shalari: Monodrama “Hyji”, një paradoks i kohës
Sapo ndoqa në teatrin “Metropol” shfaqjen “Hyji”, një monodramë të kuadratuar në formë altruiste mes personazhit kryesor, zotit Smith, të luajtur nga Dritan Boriçi, dhe disa të rinjve që i dhanë shije një kabareje të vockël ngacmonjëse.
Eugen O’neill e kam hasur si autor në dramën e gjatë, “Një udhëtim i gjatë drejt natës”, ku fatet njerëzore ngërthenin dramën dhe tragjikun përmes tekstit, ndërkohë, që “Hyji” ishte një farë.
“Don Kishoti” amerikan, i zhytur në dy gjëra:-E para, bixhozi ;- E dyta, krenaria për “profesionin” e tij të vërtetë, jetën e tij të shkatërruar, ose siç e quante mjeshtërisht përmes O’Neill: “aferën e tij të vyer”. Shfaqje të tilla i bëjnë mirë psihës shqiptare, kjo për faktin se ne e kemi vështirë t’i pranojmë të metat, cenet, veset, “cektësinë, si vesin më të keq”, – do të thoshte një filozof . “Hyji”,- të ndihmon ta pranosh vesin.
Hyji të thotë:- Ky je, pranoje vehten, o njeri i sotëm, po s’e pranove nuk ke për t’u ndrequr. Për fat unë nuk e njoh shumë teorinë e etikës, por është etika më e madhe të pranosh vështirë të pranueshmen, vehten tënde.
Sigurisht që katharsis duhet të udhëheqë çdo shfaqje, dhe O’neill e bën këtë me bujari tek “Hyji”. Një i fantaksur amerikan, i cili ka dy a më tepër emra, e rrëfen vehten gjegjësisht, sinqerisht. Kisha dhe prifti i tij, dhe altari i rrëfimit është një roje nate, e po kështu, është edhe pokeri i dashur dhe i adhuruar, të cilit i jep deri edhe trupin e tij, përveç parave, dhe prej tij merr vetëm zhgënjimin dhe etjen për të vdekur.
Ndihem rehat… si në morg…, – thotë Hyji,- dhe merret me mend grotesku i hidhur, që për mua është më tragjik se tragjedia vetë.
Dihet tashmë dhe njihet “solizmi” aktorial i Dritan Boriçit, i cili erdhi në këtë vepër në mënyrën më të mirë të shkujdesjes. është pikërisht kjo “shkujdesje”, që e zhvesh si artist nga klisheja se, vepra duhet patjetër të jetë e rrethuar nga simboli. Sigurisht kjo do të thotë diç për të, por është vështirësia më e madhe për një krijues si ai, që simbolin ta vendosë në rrethana të thjeshta jetësore, imagjino;- një bixhozxhi, dhe një roje nate…
Mendoni ironinë e O’Neill: -“…Çdo minutë lind nga një roje nate…”. Kurse elita do dekada, për të mos thënë shekuj të ngjizet, e le pastaj të lulëzojë.
Dritan Boriçi e kishte realizuar vetë regjinë e shfaqjes, e cila nuk vuante nga skemat, por ishte e thjeshtë dhe e natyrshme, edhe e besueshme, duke parë reagimet nga salla. Sfidë e madhe të qëndrojë një aktor për një orë në skenë, por siç janë artistët e vlerë, ai e krijon shfaqjen aty për aty, ndonjëherë sikur e ka shkruar vetë tekstin, dhe diku harrova se po interpretonte. Ai po i rrëfehej njerëzve dhe “rojes së tij të dashur”, altarit të bixhozit, një pjesë mbase edhe nga bixhozet që luan jeta me atë vetë, dhe pse jo edhe me ne të gjithë.
Kitara, herë në sfond, dhe herë gjysmë-personazh, ishte diçka origjinale. Dukej se personazhi kryesor, Smith-i, “recitonte” poemën e tij të bixhozit prozaik, shumë aktual, dhe ndoshta të gjithëkohëshme, dhe kitara kërkonte ta bënte poezi, kërkonte ta zbuste pak efektin dopjo gjashtë të pokerit, por siç duket nuk ia arriti, sepse jeta kështu është: -Një poker disa dekadash i fateve njerëzore, i destinuar të mbyllet si në ruletë.
Mbyllja e shfaqjes me Sinatrën dhe Njy- Jorkun e tij të famshëm, e surprizoi publikun, sepse ai priste se mos kishte ndonjë akt tjetër rrëfimi, por jo. Një shfaqje e bukur duhet të vazhdojë, edhe jashtë skenës, drejt e në shpirtin e publikut, dhe monodrama “Hyji” e realizoi.
Dramat amerikane janë të domosdoshme për publikun shqiptar, kjo sepse ato sjellin mendësi pa paramendim, sjellin një tjetër qasje ndaj mëkatit njerëzor, ndaj vesit, i cili, duam s’duam është kudo i pranishëm, frymojnë njeriun e sotëm, atë të gjithëkohëshmin, i cili nuk jeton sipas kanoneve të shkruara, por sipas asaj që i dikton shpirti. Ne jemi mësuar si publik, që të na rëndojnë tragjeditë e Europës, e cila edhe pa skenën është shumë tragjike, por Amerika dhe dramaturgët e saj, e shohin jetën më thjeshtë, më xhins, sepse kështu, sipas tyre, edhe mund të jetosh më gjatë. Filozofia e tyre rreket tek përditshmëria, e jona shkon pak më tej, tek fantazia, imagjinata, simboli, luftrat, historia, që “…o Zot , sa na ka lodhur me skenat e saj me gladiatorë…”.
Tani na mbetet të presim sërish rishfaqjen e “Hyj-it”, që e përkthyer bukur nga Artur Lena, e meriton udhën nga skena tek publiku, dhe anasjelltas.
Dritan Boriçin e pashë ndryshe këtë herë. Jo me atë poetizmin e tij, jo me atë tragjikun e Treplevit apo të Ivanov-it, por tragjiku këtë herë qëndronte në groteskun e jetës, në atë bixhozin e lodhshëm, që bën jeta me secilin që jeton në këtë grimcë të universit.
Urime shfaqjes, dhe mbani mend mesazhin e saj: -“…Jeta është një aferë e vyer, dhe djajtë, nuk kanë pse të na shtiren engjëj të reformës “!