Blerina Shalari: Një skicë memuaristike për Ismail Kadarenë
Ngjan si një festë me qirinj e fishekzjarre ditëlindja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, po në fakt është një zgjim i ndërgjegjes për letraritetin e tij të përveçëm, e për letërsinë shqipe në përgjithësi, që megjithë zezonat, siç do të shprehej vetë shkrimtari,
ia ka dalë të ngrihet e të dëshmohet pothuajse si një sagë biblike. Ndërsa mundohem të lidh fjalët për të folur për shkrimtarin e madh, ndërmend më vijnë tre lloj vegimesh, janë tri fate të ndara, që i
bashkon me sa duket i njëjti short, të qenurit të Shqipërisë.
Fati i saj i dallgosur gjer në dhimbje, fati i letërsisë që ngjan me një mal, ku për mijëra vjet vdesin rrufetë dhe, fati i shkrimtarit, që, ndërsa
dhimbonte kur e krahasonte vehten me një Filokted, të cilit kurrë nuk iu shëruan plagët, ka rendur mes vuajtjes së krijimit, e ka shpërndarë dritë aty ku s’kishte as errësirë. Dhe ja, një fijëz rreze nga ajo dritë ka prekur edhe zemrën time dhe ka bërë, që të padukshmen t’a shpjegojë jo si një magji, por si një përjetim, që arti duhet me do e mos ta shfaqë. Kush mund të zbulojë më qartë se ç’fshihet poshtë kalldrëmit të Gjirokastrës? Sapo rilexova romanin “ Kronikën në gur” të Ismail Kadaresë, dhe aty kuptova se si ndeshen bestytnitë me bombat dhe kundërajrorët, si transmetohen lajmet e botës, nga telefoni bio i plakave gjirokastrite tek veshi kureshtar i një fëmije gjeni të ardhshëm, e hapësira e mendimit ndërsa e lexon, sa vjen e zgjerohet.
E kush nuk është rrekur të fantazojë bashkë me shkrimtarin për një roman dramë, ku papritur e pakujtuar, si në një legjendë të pangjashme trillani ynë Kadare donte të ngjallte një ushtri që kishte vdekur, ndoshta jo për faj të saj, po për mëkat të luftrave për të cilat e gjithë bota duhet të kthehet në një Zhvejk për t’i zbërthyer sadopak. Mirëpo ec e futu në ateljenë e shkrimtarit po munde…
Kadare tërë jetën e vetë krijuese ka dashur të prekë Athosin, atë majë ku më parë kanë arritur sivëllezërit e tij, që nga lashtësia e gjer sot. Ai i shtriu duart, i zgjati e i zgjati derisa preku bërthamën e të shkruarit, ose më saktë, atë që ishte mbjellë në lartësira, e që pritej të zbulohej nga austronautët letrarë të tokës. Kaq shumë e kishte grishur shkrimtarin veçanësia, ajo që pikon e bëhet art, ajo që shtrydhet prej shpirtit e bëhet një lëng i pazakontë për shpirtëzime të tjera, sa që në një vepër të tërë ai shfreu ndërgjegjen, apo më mirë, dufin artistik. Ai i ftoi lexuesit e vet në studion e tij, atje ku personazhet e librave të njohur përziheshin me personazhet e lindur nga shkrimtari.
Ateljeja e tij, që mund të imagjinohet një metër katrorë, aq sa për të shkruar në fakt përfshin qytete… shtete… gjithë botën. Një ngacmim i brendshëm e i jashtëm njëkohësisht, e ndillte Kadarenë të gjente diçka tjetër, ndoshta një tingull përtej të shtatë notave të njohura të muzikës, apo një mrekulli të shëmtimit siç shprehet diku, e me to të ngrejë një kështjellë të pangjashme me asgjë.
Mund të endesh sa të duash nëpër labirinthet e fletëve të ngjyrosura prej tij me finesë, por vështirë se do të gjesh një vend ku boshllëku të mundon. Ndërsa lexoja një ditë “Këngën e millonait”, më shkoi mendja tek përralla popullore, që mullinjtë i kishte personazhet më të dashur. Dhe s’kish, se si të bëhej më mirë. Ndërkohë që përralla flet për mullirin, që përhap në ajër aromën e miellit të grurit, aty fillon e të ndizet më tepër dëshira për të jetuar, aty kupton se jeta vazhdon, vazhdon e s’pengohet gjëkundi. Ajo këngë më bëri të imagjinoj përmes rrotullimit të mokrës, se si mund të jetë pak a shumë zhurma e rrotullimit të tokës. Kurse në një poezi tjetër ku shkrimtari dhe udhëtari përziheshin keqas në një avion ndërkontinental, toka me gjithë ç’mban mbi shpatullat e saj të lodhura çuditërisht ngjante me një tortë, ku turisti zevzek e ngulte pirunin pamëshirë, që nga qielli drejt e mu në zemër të saj.
Tek romani i tij “Dimri i madh”, shpërfaqet me tërë kurmin artistik rryma e nëndheshme e “Luftës së Ftohtë”. Kjo luftë, që rrezatonte robëri deri tek antenat e televizorëve bardhë e zi, nuk ishte gjë tjetër veçse legjitimimi i paskrupullt i çmendurisë shqiptaro-ballkanike, që përzihej trazueshëm me Moskën grindavece të politikës. Shumë flasin e shkruajnë për këtë rrëfimtar elegant. Shumë e fajësojnë atë për plagët e diktaturës, për vragat që ka lënë ajo në shpirtin e popullit, por asnjëherë nuk thanë, s’e pranuan, që edhe vetëshkrimtari Kadare ka jetuar nën thundrën e saj, , ka shkruar nën peshën e fajeve të rreme, madje edhe mbi penën e tij rrinte ulur ai “skifter”, por që për fatin e tij dhe tonin, nuk mundi gjer në fund t’a këpuste atë fijen delikate, që dilte nga talenti i tij dhe që shndërrohej në vepër.
Po ajo nuk është thjeshtë një vepër, ajo është një monument, që dalta pasionante e mendimit të tij e gdhendi, e ngriti, e lartoi për kombin më të vjetër të Ballkanit. Më falni që iu pyes të dashur lexues:- Po a e mbajmë dot këtë monument të panjollosur?! Po në fund të fundit: – Shqipëria duhet ta meritojë këtë monument. Kjo, sepse ne, domethënë opinioni publik,me dashje apo pa dashje e godasim këtë monument, i ngremë çarqe në çdo shkallë që ngjitet ai bashkë me shkrimtarin, dhe nuk e lëmë të na pushtojë, të na eklipsojë në fund të fundit një mal me paudhësi. Një mal me pyetje rëndojnë mbi ne, në formën e një akuze që duhet ti bëjmë vetvehtes:- Përse shkroi gjithë jetën ky shkrimtar?! Për cilin vend, bije e bije papushim këmbana e penës së tij?! Cili është vendi më i përmendur në kumtimet e tij publike? Përse u detyrua shkrimtari të ikte nga vendi i tij?! Po kujt i fali gjithë pasionin, vuajtjen, përdëllimin, frymëzimin, ndjenjën e tij të artistit?! Askujt tjetër veç Atdheut të tij, atdheut të tij të vështirë siç ka thënë vetë diku. Dhe megjithëse ky Atdhe i vështirë, ky djalë plangprishës e ka munduar shkrimtarin, na ka munduar ne të gjithëve, ai kurrë s’rreshti së menduari për të, së shkruari për të, së vajtuari e së vuajturi për hallet e tij. Ndërsa ndërmend më vijnë vetiu vargjet e tij të përmallshme:
Për lokomotivat dhe kuajt,
Që të djersitur avullojnë e hungërojnë,
Për qiparisat,kopetë dhe varret,
Malli më ka marrë,
Malli më ka marrë,
Për shqipetarët.
Më tej ky mall i pastër shkrimtaror, kjo flatër nostalgjie e etjeje për aromën shqiptare e bën të thotë:
Më ka marre malli dhe së shpejti vi atje,
Duke fluturuar mbi mjegullat, si mbi dëshira.
Sa i largët,aq edhe i dashur je,atdhe.
Aerodromi do të dridhet nga uturima,
Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera.
Ata që shpikën shpejtësinë reaktive,
Larg atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë.
Është e vajtueshme, e mjerueshme madje kur ndahet, thyhet e copëzohet shkrimtari nga njeriu. Po shkronjësi i mirëfilltë del nga njeriu, nga shpirti i tij, dhe që të shkruash si ai, domethënë që të vuash si ai, duhet të zotërosh një fisnikëri atërore. Duhet t’a kuptojnë të gjithë, se shkrimtari i mirë dhe njeriu i keq, nuk mund të rrijnë brenda një trupi, ashtu siç rri magjia e zezë në shtëpinë plot me fëmijë. Një shkrimtar i madh, ndjen, qan, vuan, hesht, duron, i dhimset çdo gjë, që vjen nga toka ku u mbrujt. Ai plagoset nga çdo vepër që lind. Çdo fletë që hedh në tablonë e tij gjigande, është një shigjetë për shpirtin e tij. Kush është krijues, kush shkruan, kush këndon, në fund të fundit kush është artist i kupton të gjitha këto, sepse i ka provuar vetë ato gërvishtje që i pëlqejnë, që në gjakosjen e parë. Mund të flasim e të flasim pafund, mund të shkruajmë, e ç’nuk mund të themi për artin, artistin, mendimtarin, por një gjë e pohojmë me siguri:
Ismail Kadare, është një kapitull ngjethës në jetën e shqiptarëve. Ky kapitull i dyjëzuar, shkrimtar/vepër, mban brenda vehtes një memuar për Shqipërinë. Ky memuar shtrihet që nga koha paralegjendare, atëherë kur bota fliste me gjuhë mitesh, e deri sot, kur miti po humb përditë nga një hero. E tërë vepra e tij, gjithë ajo pjesë e shkruar e kapitullit jetësor Kadare, është një biografi e popullit, jo thjeshtë në vargje, por në legjenda, në gojëdhana, në këngët e kreshnikëve e në vajet e nizamit, në duhmat e luftës apo qoftë edhe në kohën e rindërtimit. Nuk ka asnjë vepër të tij, që të mund të mos përndiqet nga hijet, që për rrethana të caktuara, për një imponim të dhunshëm, që iu bë gjithë shkrimtarëve të epokës së socrealizmit, duhet t’i vishen delire, lavdi e pamerituar, apo glorifikim të pushtetit pa gjykuar rrethanat.
Megjithatë, pavarësisht të gjithave, ne e kemi për fat shkrimtarin Kadare. Ai është një dhuratë, që na është bërë ne, por që duhet ta çmojmë më tepër si të tillë. Çdo figurë e rëndësishme e një kombi mund të kritikohet, mund edhe t’i lëkundet piedestali disa herë, por kursesi, asnjë gjyq, përndjekje, sulm, nuk e zbeh dot shkëlqimin e tyre bashkë me veprën që kanë sjellë. Shkrimtari Ismail Kadare ka zbërthyer në veprën e tij, shpirtin shqiptar, lëngatën e tij shekullore, ngritjen me mundim nga ferri i luftrave, kurimin e plagëve, e vragave të tyre.
Ai ka kritikuar kryeneçësinë shqiptare, plumbin e nxehtë që hidhet me gjakftohtësi, dogmat e zakonet të ligjësuara dhunshëm, ka vënë në dukje, se si çmohet dinjiteti i gruas. Ka ngrirë opinioni letrar kur ka lexuar nga shkrimtari, se si eklipsit otoman në Shqipëri, iu shtua edhe eklipsi i grave. Ai ka guxuar, e ka pohuar me forcë vyrtytin tonë si komb, traditën, por edhe ka goditur me forcë ksenofobinë ndaj nesh, paragjykimin deri në qarqe të larta, e shumë të tjera që dëmtonin imazhin e vendit tonë.
Kadare nuk është as më shumë e as më pak se sa një vazhdues i kontributit testamental të lënë përgjysëm nga patriotët e mëdhenj Naim Frashëri, Fan Noli dhe Faik Konica. Ai është i ndërgjegjshëm për misionin që po kryen, ndaj dhe kurrë s’ka bërë të kundërtën e këtij misioni. Kurrë s’e ka mohuar prejardhjen, emrin, qytetin nga vjen, gjuhën që flet, veprën, dhe se ku u mbrujt ajo, por ka vazhduar udhën letrare, udhën e patriotit në fund të fundit, atë udhë, që nuk e pengon dot askush! Me siguri që Kafeja “Rostand”, po mban frymën për të parë se çfarë do na dhurojë shkrimtari Ismail Kadare në ditët e ardhshme. Ajo pret me kureshtje, njësoj si ne këtu në atdhe, se cila do të jetë dhurata që ai do t’i bëjë vendit të tij. I lutemi shkrimtarit që të na i shuajë sa më shpejt kureshtjen!
28 janar 2021.