Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Krasniqi: Deputetë të nderuar, mos u bëni pengmarrës të shtetit!

Jemi në mesin e vitit 2025 dhe Kosova ende nuk ka Kuvend funksional. Zgjedhjet janë mbajtur, deputetët janë betuar, por mungesa e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve po bllokon institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.

Ky nuk është thjesht vonesë – është krizë shtetformuese. Bllokimi i Kuvendit minon rendin kushtetues, dëmton besimin qytetar dhe i jep argumente se numri i deputetëve është në rritje që e mohojnë shtetësinë tonë, pa e kuptuar votuesi.

Ironikisht, sot armiku i Kosovës ka më pak punë – sepse lojën po e bëjnë vetë deputetët e zgjedhur. Kur Kuvendi dështon që në hapin e parë, kur përfaqësuesit bëhen pengesë për institucionet, shteti rrënohet nga brenda, jo nga jashtë.

Pazaret politike, kalkulimet personale dhe mungesa e vizionit po e shndërrojnë këtë Kuvend në simbol të dështimit demokratik. Si mund të pretendojë të përfaqësojë qytetarët një institucion që nuk arrin as të vetëorganizohet?

Ky është moment vendimtar: ose deputetët do të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi, ose do të mbahen mend si ata që e lanë Kosovën pa Kuvend e pa drejtim.

Thirrje publike

Shteti nuk është pronë e partive, por amanet i historisë dhe qytetarëve. Deputetë të nderuar, nuk keni të drejtë të luani me të ardhmen e Kosovës. Konsolidoni Kuvendin. Tani. Përndryshe, historia do t’ju mbajë mend jo si përfaqësues, por si pengmarrës të shtetit.