Sadik Bejko: E përndritura e humnerës
Grua e re me më të bukurit sy, aq të mëdhenj, zi e të zgjuar.
Femër me buzë, ballë, vetulla… të plota, të hijshme.
E plotë, e vetëpohuar…
Mona Lizë… dhe e përzishme: dy vëllezërit prerë, vrarë…
*
Buzë gremine… pa shteg
Krye e shtat shifoni i zi, i zi. Musine, faqas, fyt a fyt
“eja këtu” i ulëret greminës.
*
Nuri tragjik ngjitur mbi krye,
përzishëm e tragjik.
Përzitje e historisë, kombësisë,
epokës 50-vjeçare…
*
Antigonë e gjallë… edhe Musine.
Vëllezërit… (Eteokli, Poliniku) vrarë, lakuriq flakur dheut.
Shkrumb e hedh rininë përmbi ta,
shkrumb rininë, bukurinë, të vetmen dashurimë. Dhe jetën. Të paçmueshmen… jetën…
*
Martire. Fundin e di…
Me këmbë, e vetme drejt për drejt i shkon.
Mbi krye nuri e përndrit. I përjetshëm, i përzishëm, nuri i humnerës.