Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Shkretimi i Luginës së Preshevës

Një apel për ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare përballë një zhdukjeje të heshtur.

Në një cep të harruar të Ballkanit, në një tokë që flet shqip dhe rënkon në heshtje, po ndodh një dramë që nuk ka zë, por ka plagë. Lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanoci, po zbrazen jo me zjarr e hekur, por me laps e vulë, jo me dhunë të dukshme, por me një dhunë të rafinuar, të heshtur, të përditshme…

 Ajo që po ndodh atje nuk ka të bëje thjesht me diskriminim, por eshtë një strategji e qëllimshme për të shuar një popull nga regjistrat, nga institucionet, nga vetë kujtesa shtetërore. Ky eshtë një spastrim etnik i heshtur, i kryer me mjete burokratike, por me pasoja ekzistenciale për ppullin shqiptar autokton në këto treva.

Pasivizimi i adresave është emri teknik i kësaj zhdukjeje në kohët moderne, e që në thelb, është një akt i ftohtë mohimi.

Një qytetar shqiptar që jeton në Medvegjë, nëse nuk është fizikisht aty për një periudhë të shkurtër, shpallet “i zhvendosur” dhe fshihet nga regjistri civil. Me këtë fshirje, ai humbet të drejtën për të votuar, për të marrë dokumente, për të regjistruar pronë, për të ekzistuar ligjërisht. Ai bëhet një fantazmë në vendin e tokën e pronën e vet.  Ky proces nuk është as i rastësishëm, as i barabartë, ai godet vetëm shqiptarët,vetëm ata që flasin shqip, që ruajnë emrin, gjuhën dhe kujtesën.

Deputeti Shaip Kamberi, zëri i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, në një intervistë për Koha Ditore dhe Radion Evropa e Lirë, e përshkroi këtë realitet me fjalë të rënda, por të vërteta:

“Po na fshijnë nga regjistrat, nga zgjedhjet, nga e drejta për të ekzistuar”.

Ai shpjegon se Serbia po përdor një dispozitë ligjore për të pasivizuar adresat e shqiptarëve që nuk janë fizikisht të pranishëm në vendbanimin e deklaruar  edhe nëse ata janë larguar përkohësisht për arsye ekonomike, apo janë dëbuar më parë nga lufta.

“Ky është një proces që ka filluar para disa vjetësh. Më intensivisht është duke u zbatuar në Medvegjë, ndaj shqiptarëve që në ’99 janë larguar dhunshëm dhe jetojnë në Kosovë”.

Kamberi thekson se pasivizimi nuk është thjesht një çështje teknike, por një mjet për të ndryshuar strukturën etnike të komunave shqiptare.

“Deri më 2018, shqiptarët kishin 8 këshilltarë në Kuvendin Komunal të Medvegjës, sot kanë vetëm 3.

Kjo është një rënie drastike që pasqyron pasivizimin e adresave”.

Sipas të dhënave të nxjerra nga regjistrat zgjedhorë, vetëm në Medvegjë janë fshirë mbi 1,200 qytetarë të moshës madhore, ndërsa në të gjithë Luginën janë pasivizuar rreth 6,000 adresa. Kjo do të thotë mijëra shqiptarë më pak në listat e votuesve, në shkolla, në spitale, në çdo hapësirë publike.

Në Medvegjë, nga mbi 5,000 shqiptarë në vitin 1981, sot kanë mbetur më pak se 500. Ky  nuk mund të quhet  migrim, por një dëbim i heshtur.

Kjo vjen si  rezultat i një politike që synon të ndryshojë strukturën etnike të rajonit, të dobësojë përfaqësimin politik të shqiptarëve, të shndërrojë shumicën në pakicë dhe pakicën në hi e pluhur.

Kjo situatë është përmendur edhe në raportet  ndërkombëtare. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dokumentuar mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, përjashtimin nga institucionet publike dhe diskriminimin sistematik.

 Shqipëria ka një detyrim kushtetues për të mbrojtur shqiptarët jashtë kufijve të saj, dhe ky detyrim nuk është thjesht ceremonial, ai është një detyrim moral,  historik dhe  kombëtar.

Kosova, po ashtu, nuk mund të qëndrojë në rolin e vëzhguesit. Lugina është pjesë e trungut të saj historik, kulturor dhe njerëzor. Çështja e pasivizimit duhet të jetë pjesë e pandashme e dialogut me Serbinë.

SHBA-ja, aleatja më e fuqishme e shqiptarëve, ka qenë zë e mbështetje në kohë të vështira.  Një shtet që ka ndërhyrë për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve në skajet më të largëta të botës, nuk mund të pajtohet përballë një spastrimi të heshtur që po ndodh në zemër të Evropës.

Bashkimi Evropian, po ashtu, nuk duhet të pranojë një vend kandidat, i cili përdor administratën për të zhdukur një pakicë kombëtare. Nëse Serbia nuk ndalet, atëherë ajo nuk meriton të ecë përpara në rrugën evropiane, sepse Evropa nuk është vetëm ekonomi, por është vlerë, drejtësi, barazi dhe demokraci!

Lugina e Preshevës nuk kërkon privilegje. Kërkon të drejtën për të qenë. Për të jetuar. Për të folur. Për të votuar. Për të mos u fshirë. Dhe kjo është më e pakta që një shtet demokratik duhet të garantojë.

Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë. Lugina po zbrazet. Jo me dhunë fizike, por me dhunë administrative. Dhe kjo është po aq e rrezikshme. Sepse zhdukja e një populli nuk ndodh vetëm me deportime. Mund të ndodhë edhe me heshtje. Me indiferencë. Me mungesë veprimi. Dhe nëse nuk e mbrojmë sot, nesër do të jemi fajtorë për shkretimin e saj.