Albspirit

Media/News/Publishing

Ar i zi, zemër e djegur dhe shtet në gjunjë: Kush do të japë llogari?


Vladimir Marku
Ish-inxhinier shpimi, sot në pension – qytetar i lirë që nuk pranon të heshtë përballë rrënimit të një pasurie kombëtare

Ngjarjet e fundit që lidhen me arrestimin e disa drejtuesve të lartë të kompanisë Bankers Petroleum nuk janë thjesht një histori hetimesh. Janë pasqyrim i një rrënimi shumë më të thellë – rrënimi i përgjegjshmërisë, i profesionalizmit dhe i kujdesit për pasuritë kombëtare. Qysh në vitin 2013, pas një vizite të kryeministrit të ri në kompaninë koncesionare që shponte në Shpirag, bëra si qytetar një analizë të thjeshtë ekonomike për prodhimin e naftës. Nuk isha në asnjë funksion, nuk isha pjesë e ndonjë forumi, thjesht një zë i lirë në një vend që aspironte të ishte i lirë.
Kisha një bindje të sinqertë: se Edi Rama, si timonier i ri i qeverisë, do të dëgjonte më të zotët e kësaj fushe, do të përdorte fushatat dhe premtimet për të përmirësuar menaxhimin e pasurive tona të nëntokës. E besova, sepse ndryshe s’mund të shpresohet. E besova me zemër, sepse gjaku i dëshmorëve të 21 Janarit nuk kishte ikur nga rrobat e mia. Isha në shesh si mijëra të tjerë, për drejtësi, për dinjitet, për një shtet që do të mbronte qytetarin dhe jo ta shtypte. Ishte një besim i pastër, që nuk kërkonte shpërblim, por kërkonte një kthesë.
Por kaluan vitet, dhe përmirësimi jo vetëm që nuk erdhi, por e zëvendësoi një katastrofë. Artikulli im u botua atëherë me titullin që nuk ia vendosa unë, por që e meritonte: “Katastrofa e shpimeve”. Dhe ishte vërtet një katastrofë – kompania më e madhe në vend dilte me humbje, me prodhim ditor që thoshin se ishte 2000 ton, por pa asnjë tatim fitimi për buxhetin e shtetit!
E njëjta histori vazhdon edhe sot, pas 12 vjetësh. Një sagë e pambarimtë mungese kontrolli, mungese përgjegjësie, injorimi dhe heshtjeje nga ata që kanë patur detyrimin ligjor të mbikëqyrin e të veprojnë. Shteti ka qenë inekzistent, ose më keq, i dorëzuar.
Nuk jam kritik pa protokoll. Por kur u riktheva sërish në fushë, në terren, në kontakt me realitetin, pashë me sytë e mi rrumpallizmin, mediokritetin, çorganizimin e një sektori që dikur kishte strukturë, hierarki dhe përgjegjësi. Unë e kam përjetuar këtë industri jo si burim fitimi, por si mision. Kam parë njerëz që dhanë shpirtin në puse, që mbuluan me trupin e tyre fontanat e gazit që rrezikonin jetë njerëzish. Sa e sa kolegë i lanë fëmijët jetim…!!??
Për ta, dhe për brezin e ri, duhej të kishim ndërtuar një sistem më të ndershëm. Kisha besim se qeveria e re do të ringjallte industrinë përmes ciklit të mbyllur të vlerës – nga nxjerrja te përpunimi dhe shitja e produktit të përfunduar në treg. Sepse vlera e naftës rritej mbi tri herë kur kalonte përpunimin vendas. Por… me kot.
Sot ka ardhur momenti i vonuar i dënimeve. Janë zbuluar shkelje, janë çuar disa emra në pranga. Por a është ky fundi i historisë? Jo! Sepse ne nuk duhet të kënaqemi me dënimet – por duhet të kërkojmë kompensimin e miliardave të shpërdoruara. A do të kthehen ndonjëherë këto para popullit shqiptar? Kurrën e kurrës. Po të ishin menaxhuar mirë këto asete, a do të kishte krijuar fondin e sovranitetit qeveria?
Unë nuk jam askushi përballë zërit të atyre figurave që e krijuan nga themelet këtë ekonomi. Si të jem unë i qetë që kompania ku punova nuk ka bërë detyrimet për të përfituar statusin e naftëtarit? Ku duhet të shkoj unë, të hap gjyq?
Kolegë dhe miq, si duhet të ndjehem unë kur jam i privuar nga mediokriteti i kokë-mëdhenjve të Albpetrolit, që më mohojnë djersën? Kompania ka mbi 180 “koka” që punojnë për t’i shërbyer pjesës tjetër, atyre që e nxjerrin me thonj atë pikë nafte. E nxjerrin me thonj sepse investimet e bëra nuk ua kanë lehtësuar punën. Etj, etj…
Thonë që njeriu mëson nga gabimet. Po kur gabon një herë, dy herë, tre herë… dymbëdhjetë herë, dhe nuk nxjerr asnjë mësim – atëherë gabimi nuk është më naivitet, por sistem.
Nuk jam jurist, nuk jam politikan, por di të lexoj shifra, të nuhas rrënimin dhe të dëshmoj. E bëj si inxhinier i një kohe tjetër, kur fjala e dhënë kishte peshë dhe nafta nuk ishte thjesht statistikë. E bëj si qytetar që e ka kuptuar prej kohësh: shtylla e ekonomisë është lënë në mëshirë të rastësisë.
E megjithatë, zëri im s’ka për të heshtur. Nuk ka për të pushuar së thirruri për përgjegjësi, rikthim të etikës, mbështetje për punonjësin, dhe respekt për tokën që prodhon ar të zi.