Albspirit

Media/News/Publishing

Argëzon Sulejmani: S’negacion

E lexoj Sidranin për Srebrenicën

Thotë s’shkëputemi dot nga e kaluara

Kemi fëmijët, motrat e vëllezërit atje

E vërtetë, le të na e thonë këta parlamentet

E kësaj kohe bajate e lëngate

Si mundka një nënë ta zhbëjë fëmijën

Ta lërë atje në të kaluarën për hir të

Së ardhmes dhe të vazhdojë me jetën

Si një procedurale parlamentesh

Që kundërmojnë nga rropullitë dhe jargët

Se na qenka punë miratimesh e dekretesh

Titulli nënë a baba, motër a vëlla

U bënka, u zhbënka aty për aty

Si gradat në cepat e një kostumi ceremonial

Mund të mos e kem fare me botën

E kam me të mitë unë

Dhe në pyesni se kush janë të mitë

Janë ata me të cilët më lidh te fyti

Gulçima e gjakut dhe fatkeqësive

Nga e kaluara që le të mos e bëjë

Të ardhmen por është nëna e të sotmes

Dhe nëna s’është një titull tryezash

As sallash plenare surrealiste

Me të mitë e kam edhe më

Me ata që do duhej të më lidhte

Gjaku dhe fatkeqësitë

S’mund t’i kem vëllezër përderisa

Mohojnë gjakun

S’mund t’i kem miq përderisa

Mohojnë fatkeqësitë.