Albspirit

Media/News/Publishing

Vladimir Marku: Letër e hapur për kryeministrin Rama

Jam një qytetar që për dekada ka shërbyer në sektorin më të vështirë të këtij vendi – në industrinë e naftës – dhe prej vitesh ndjek me vëmendje zhvillimet në qeverisjen qendrore dhe vendore.

Kam shkruar shpesh, me shqetësim dhe dashamirësi, për problematika që prekin jetën e përditshme të qytetarëve tanë, veçanërisht në bashkitë e vogla, ku dora e shtetit ndihet më pak – e shpesh nuk ndihet fare.

E mirëprita mbledhjen e fundit të kryetarëve të bashkive në rezidencën qeveritare. Ishte një akt i vonuar, por domethënës. Një vendim i arsyeshëm: jo të shkohet derë më derë nëpër bashki, por t’i mblidhni të gjithë njëherësh, në një takim ku fjala ishte e qartë dhe e prerë. Një takim ku këshilltarët tuaj e stafi përkatës mund të paraqesin ekspozenë e qyteteve dhe problematikave më të nxehta që shqetësojnë komunitetin mbarëkombëtar.

U dhanë udhëzime, por edhe ultimatume për shkarkime të atyre që nuk punojnë – sidomos në nivelet e dyta, si nënkryetarët dhe përgjegjësit vendorë. Por, zoti Kryeministër, nga një njeri që “s’e ha punën”, siç thuhet rëndom në zhargonin popullor, nuk mund të presësh gjë, sado të drejta të jenë direktivat.

E nëse vetë kryetari është prepotent apo i shkëputur nga realiteti i qytetit që drejton, rri i kollarisur dhe nuk zbret nga makina, apo hyn nga dera dhe del nga dritarja, edhe punonjësit më të përkushtuar shpejt lodhen dhe dorëzohen.

Ju përmendët me emër vetëm një model pozitiv – Bashkinë e Cërrikut – për punën e lavdërueshme në menaxhimin e mbetjeve. Duhet përshëndetur dhe promovuar! Sepse për të bërë gjëra të mira nuk duhen medoemos miliarda, apo – siç e theksuat me të drejtë – qaravitje për fonde. Duhet vizion, dëshirë dhe pasion. Pa këto, më mirë fli gjumë sesa të bësh sikur punon, se kjo dëmton më shumë.

Nga përvoja ime kam parë se pozicionet e nënkryetarëve shpesh janë kthyer në vende për qoka politike. Kam pyetur dikur një nënkryetar bashkie për formimin e tij, dhe më tha: “gjuhë-gjeografi”. Nuk ka gjë të keqe në këtë degë, por ç’lidhje ka ajo me menaxhimin urban, shërbimet publike, buxhetimin apo infrastrukturën?

Më keq akoma: mësues fizkulture që drejtojnë ndërmarrje teknike, oficerë të liruar që drejtojnë spitale, mjekë të përgjithshëm në krye të kompanive të naftës! Në këto raste, për të kompensuar mungesën e kompetencës, duhet një kabinet i tërë me këshilltarë pa fund. Po marr shembullin e Albpetrolit – një vit më parë kishte 9 këshilltarë, ndonëse ka departamente të mirëfillta teknike, organizative, juridike e më tej.

Nuk mjafton dëshira. Duhet dije dhe përgatitje.

Kryetarët duhet të jenë kreativë, vizionarë, pranë qytetit dhe njerëzve.

Po marr një shembull konkret: mirëmbajtja e qytetit. A ka punonjës për pastrim e gjelbërim? Po. Marrin rrogë? Po. Atëherë pse nuk mirëmbahen ato pak lulishte dhe hapësira që kemi? Pse nuk mbillen më lule?

Një fermer mban me familjen e tij 3–5 dynym tokë dhe e kultivon deri në detaj, ndërsa bashkia, me dhjetëra punonjës, nuk përballon dot disa rrugica dhe sheshe?

Edhe pa fonde të mëdha mund të krijohen gjëra të bukura. Ju sjell një shembull konkret: në një sipërfaqe prej vetëm 100×50 metra, mund të kultivohen mbi 20 mijë fidane pemësh dekorative si rrapi, bliri, eukalipti, akacia – mjafton organizim modest dhe 2 vjet kohë. I kam parë dhe i kam bërë këto gjëra. E di që funksionojnë.

Jemi një shtet i vogël – siç thatë edhe vetë – sa një qytet në një vend europian. Dhe është gjynah që të mos jemi në nivele të tjera, më të mira.

Nuk e di si e përcaktoni meritokracinë në emërimet delikate në sektorët e ndryshëm, por nga jeta e përditshme shoh kryetarë bashkish që nuk të presin për një shqetësim qytetar; drejtues institucionesh që nuk dinë të ndajnë detyrën funksionale nga profesioni; drejtues që nuk implementojnë ligjet, sepse janë, me thënë troç, “mos o Zot”!

Shumë gjëra mbase nuk i dini personalisht, por një gjë e di me siguri: Drejtori i Përgjithshëm i Naftës dhe Gazit nuk emërohej pa e thirrur në zyrë Kryeministri i asaj kohe.

Zoti Kryeministër,

E vlerësoj qasjen tuaj të fundit për t’i dhënë fund gjumit institucional dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ata që kanë marrë mbi supe drejtimin e qyteteve dhe fshatrave tona. Këto nisma nuk duhet të paragjykohen sikur po merreni me “organizimin e vogël”. Organizimin e vogël duhet ta bëjnë ata që e kanë detyrim ligjor dhe funksional – por edhe ai është një art më vete, që nuk e bën dot kushdo.

Ju lutem, mos u ndalni vetëm te ultimatumi. Kërkoni kreativitet, thjeshtësi, përulësi ndaj njerëzve dhe dashuri për vendin.

Sepse qyteti nuk drejtohet me fjalime, por me shembull, me punë, me ndjeshmëri dhe përgjegjësi.