Ismet Hajrullahu: Rama e ftoi, Kurti nuk shkoi
Ngjarje që nuk duhet harruar…
Në fund të shkurtit 2024, Tirana hapi dyert për një samit që solli bashkë liderët e rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit, me fokus tek integrimi rajonal, stabiliteti ekonomik dhe mbështetja për Ukrainën. Shqipëria e priti rajonin si një organizatore e denjë. Por Kosova mungoi…
Kryeministri i Kosovës nuk mori pjesë fizikisht. Në vend të tij, u dërgua një videomesazh. Justifikimi zyrtar ishte një vizitë e planifikuar më herët në Britani dhe Irlandë.
Por diplomacia nuk ndjek vetëm oraret apo agjendat, por rëndësinë dhe peshēn e ngjarjeve. Dhe në këtë rast, samiti në Tiranë nuk ishte thjesht një mbledhje, por ishte një moment ku Kosova do të duhej të ishte e pranishme.
Përfaqësimi në distancë nuk e ka peshën që kërkon politika, e sidomos kjo rajonale. Marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen përmes pranisë e dialogut. Videomesazhet nuk krijojnë energji, nuk shtrëngojnë duar, nuk këmbejnë sinjale politike…
Në samitin e Tiranës, Kosova nuk pati mundësinë të ndikojë, as të përgjigjet në kohë reale. Ishte një boshllëk i ndjeshëm diplomatik.
E të mos flasim këtu për gafat e dështimet në diplomaci të kësaj qeverie e cila ka uzurpuar shtetin dhe e ka lënë vendnumēro…
Në një intervistë televizive, lidhur pikërisht me mungesën e pjesëmarrjes së Kosoves nē këtë samit, solla në kujtim fjalët e Bacës Adem Demaçi: “Albini i bacit, po fluturon”. E tha me buzëqeshje, por me peshë… Të fluturosh në politikë është bukur, por kur ke vizion dhe gravitet!
Por kur ‘fluturimi’ ndodh larg tryezave ku ndodhin takimet e negociatat, tregon mungesë të lidershipit vizionar!
Mosprania e Kosovës në Tiranë nuk ishte thjesht episod kalendarik. Është tregues i një qasjeje që rrezikon të margjinalizojë shtetin në vendimmarrjet rajonale. Në një kohë kur diplomacia kërkon afërsi, kontakt dhe fleksibilitet, Kosova nuk mund të zgjedhë heshtjen. Ajo duhet të jetë pjesëmarrëse aktive, e padiskutueshme, në proceset ku përcaktohet e ardhmja e saj dhe e rajonit.
Nëse nuk e analizojmë këtë ngjarje si duhet, rrezikojmë ta harrojmë si rast e të na ripërsëritet si ‘model’!