Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: Libri “Të vegjlit e mi” dhe përshkrimi i një psikologu… shkrimtar

Ndërsa sot lexojmë një libër në formë romani, tregimi, novele apo rrëfëmi autobiografik përmes të cilët të kalojnë para sysh përshkrime karakteresh të ndryshme pyetja që të lind brenda vetes është: cila ka njohuri më të mira dhe më të thella rreth natyrës njerëzore individëve, një shkrimtar apo psikolog.

Teksa gjendesh brenda faqeve të një libri siç është botimi “Të vegjlit e mi” të prof. Ylli Pangos mund të kuptosh që rrëfimi në formën e një autobiografie letrare të përcjell ndjesinë se vëzhgimi psikologjik i ndërthurur me aftësinë për ta shndërruar atë në letërsi ka arritur të krijojë një shije të veçantë.

Rrëfime të tilla që vinë nga vëzhgime e zbërthime psikologjike të karaktereve shpesh ai i ka shterruar në libra të mëparshme si “Amerika”, “Më kë po flet o njeri” apo “Transplanti i Paganinit”. Megjithatë në këtë botim ndodhesh përballë asaj që njerëzit e kanë diçka të shenjtë siç është familja.

Të shkruash një autobiografi të familjes që ke krijuar rishtas, siç bën prof. Pango është një rrugëtim interesant ku ndërthuret ndjenja e natyrshme humane në atë që jeton çdo ditë. Nga ana tjetër përgjatë kësaj ecje ndjehet vështrimi i syrit të psikologut që zbulon nostalgjinë, emocionin, raportin me kohën dhe një të folur me zë të lartë brenda vetvetes.

Në këtë marrëdhënie e përjetim të natyrshëm ku merr pjesë vetë shkrimtari autor, bashkëshortja  e tij dhe i biri Daniel krijohet një trinitet interesant ku përshkruhet bukur dhe me një qartësi mbresëlënëse brendia e një jete që ka rifilluar. Rrjedhja e historisë së jetës individuale nuk e ka penguar të ndalet në disa nga stacionet më të rëndësishme për të reflektuar brenda vetes në një mënyrë të veçantë.

Në thelb libri ngjan me një pemë kujtimesh që është mbjellë me kujdes në një hapësirë ku e ngroh dielli i mbresave të mira që lë tek gjithsescili dashuria mes njerëzve të një famillje pavarësisht sfidave me të cilat ajo përballet. Teksa sheh të birin, rrugën ku po ecën, “diktataturën e paparashikueshmërisë” së ngjarjeve që po jetojnë brezat e sotëm nga pandemitë e deri tek teknologjia, rrëfimi në libër vetëm një shqetësim individual, por një merak të psikologut me përvojë për mënyrën sesi brezat që po vijnë do t’i përballojnë dallgët e jetës.

Pavarësisht dashurisë që ndjen çdokush për familjen e tij askush nuk është përpjekur ta përkufizojë atë si terapinë më të mirë psikologjike ku njeriu gjen shërim për shqetësimet e së përditshmes, por edhe stërvit e mpreh veçoritë e karakterit të tij si tolerance, durimi, mirëkuptimi, zgjidhja e situatave të vështira.

Në këtë kuptim duket sikur me këtë libër dhe me mënyrën sesi e ka përshkruar krijesën me të veçantë të çdo njeriu, siç është familja, ai i është përpjekur të na tregojë me një zhdërvjlltësi rrëfimi jo vetëm një përvojë individuale, por fton të shohim me vëmendje përdishmëtnë tonë brenda asaj.