Albspirit

Media/News/Publishing

Marash Mirashi: BATONI NUK ËSHTË BUTONI ME TË CILIN MBYLLET RTSH

Baton Haxhiu, në këndvështrimin tim, një analist i njëanshëm, mbrojtës i arritjeve të qeverive dhe kritizer i fortë i opozitave ndër vite, i paska dërguar një letër Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH, Eni Vasili.

Sigurisht, t’i shkruash dikujt një letër, sado që kjo është një shprehje e vjetër aparatçikësh lindorë, mbetet zgjedhje personale dhe në parim, nuk do të ndërhyja kurrë.

Por kur letra është e mbushur me fyerje direkte dhe indirekte ndaj gjeneratave që kanë punuar dhe vazhdojne të punojnë në këtë media për më shumë se 65 vjet, nuk mund të hesht.

E di mirë që të artikulosh sharje dhe shpifje ndaj Radiotelevizionit Shqiptar mund të duket trendy, madje mund të të japë ndjesinë se je interesant, por po ta them me bindje, se RTSH nuk ka qenë dhe as do të jetë Meka jote zoti Haxhiu. Ti bën haxhillëk në Meka të tjera mediatike. Ne, edhe pse nuk na pëlqen profesionalisht, nuk të shajmë, sepse nuk preferojmë të dukemi interesantë duke ofenduar kolegët tanë. Vetëm ndonjë i pafytyrë, po, mund t’i ofendojë kolegët.

Gazetarët, krijuesit, regjisorët, skenaristët, spikerët, moderatorët, instrumentistët, muzikantët dhe teknikët e RTSH janë kapacitete intelektuale, që nuk kanë nevojë për këshillat e tua dashakeqe, aq më tepër kur askush nuk të ka kërkuar të japësh mend.

Ti mund të këshillosh dikë vetëm nëse ai ta kërkon këtë. Në të kundërt, këshilluesi, e kupton vetë sesi ngjan.

Një nga fantazitë e radhës të Batonit është propozimi që RTSH të mbyllet për gjashtë muaj. Pse pikërisht gjashtë? Dhe pse nuk shpjegon, në verë apo në dimër ta mbyllim?

Po aq mirë mund të propozoje edhe vjeshtën, që është stinë reflektimi.

Sipas Batonit, një ekip nga BBC dhe ARD mund të vijë për të “ribërë” RTSH-në.

Përse nuk kërkon edhe mbylljen e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës për gjashtë muaj derisa të vijnë ekspertë nga Koorporata Mbretërore e Ujit në Londër që të sjellin gurgullimën e rubinetave në lavamanët tanë të përvuajtur?

Gjithsesi Baton i dashur, nuk do ishte keq që të kërkoje një ekip të vogël nga BBC vetëm për ty. Që të të mësojë si të mos jesh i njëanshëm në analizat që bën në ekran. Se ndryshe, audienca ndërron kanal sa herë që del ti, dhe e bën këtë më shpejt sesa të kesh thënë: “Mos më ndërprit”!

Dhe nëse vërtet e njeh Montanelin, atëherë e di fort mirë vazhdimin e kësaj fjalie: Një gazetar i pasur…

Kalofsh bukur dhe mos harro, na dërgo dhe ndonjë letër tjetër!