Albspirit

Media/News/Publishing

Muzika e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thoma Simaku në Amerikë dhe Australi

https://www.uymp.co.uk/news/2025-07-02-excellent-reviews-and-a-broadcast-for-t

Vepra e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku“Kurora e Flautave” (Guirlande de Flûtes) është regjistruar në CD në Amerikë nga ansambli Northern Aurora. E botuar nga Emerson Edition,“Guirlande de Flûtes” është një nga veprat e para që kompozitori shkroi qëkur u shpërngul në Angli në  vitin 1991.

Pjesa përbëhet nga gjashtë kohë dhe secila prej tyre bazohet në muzikën folklorike nga treva të ndryshme në veri dhe jug të Shqiperisë. Siç shkruhet në broshurën e CD-së, Northern Aurora është “një ansambël elitar” dhe “objektivi i tyre është që të frymëzojë publikun nëpërmjet muzikës duke interpretuar vepra të kompozitorëve bashkëkohorë në koncertet e tyre nëpër botë”. Ky ansambël ka bërë turne “në disa vende si Scoci, Angli, Francë dhe Zelandën e Re” si dhe në shtete të ndryshme të Amerikës si Kaliforni, Hawai dhe Alaskë.

Një vepër tjetër e kompozitorit, “Andante & Scherzo” për Kuartet Fagotash, është përfshirë në CD-në fagotistit Britanik Laurence Perkins dhe sapo ka dalë në treg nga Shtëpia Diskografike prestigjoze e Britanisë së Madhe “Hyperion”. Muajin e kaluar kjo vepër u transmetua nga Radio Kombëtare e Australisë  ABC (Australian Broadcasting Corportion).

Siç shkruan BBC Music Magazine, “Pjesët më pikante përfshijnë Andante dhe Scherzo të kompozitorit shqiptar Thomas Simaku, të frymëzuar nga muzika folklorike, e cila shkëlqen me gjallëri ritmike”.  Lajmi është botuar këto ditë nga University of York Music Press (UYMP).

Kompozitori Simaku ka një aktivitet të gjërë ndërkombëtar; muzika e tij është vlerësuar me çmime prestigjoze ndërkombëtare si Lutoslawski Prize dhe British Composer Award nga Akademia Britanike e Kompozitoreve (BASCA).