Prof. as. dr. Bernard Zotaj: 10 yjet e Pojskës
Për të 10 yjet e Pojskës, nga bashkia Pogradec, vite më parë në përkujtim dhe nderim të bijve që ranë më 16 korrik 1943, në zemër të qytetit emërtohet Bulevardi “10 Dëshmorët e Pojskës”.
Një ndër goditjet që pati jehonë të madhe gjatë LANÇ-it ishte dhe aksioni i Pojskës, i zhvilluar më 16 korrik 1943, vetëm gjashtë ditë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH… Kërkohej gjakftohtësi, trimëri dhe disiplinë e rreptë, cilësi këto që partizanët i shpalosën në shkallën më të lartë. Duke mbuluar tërheqjen e shokëve, bie fillimisht në fushën e betejës komandanti trim Reshit Çollaku. Tërheqja vijon duke luftuar e me rregull të plotë. Në luftime e sipër për tërheqje nga prita, bien heroikisht Siri Kodra, Spiro Gjiknuri e mandej Ptoleme Xhuvani, plotë dhjetë partizanë. Ata janë:
– Reshit Isuf Çollaku, lindur në qytetin e Pogradecit në vitin 1914. Mori arsimin e mesëm dhe vazhdoi studimet. Viti 1939, Reshit Çollaku është në Akdeminë Ushtarake në Itali. Refuzon betimin përpara flamurit fashist. “Jo unë nuk betohem. Kam Flamurin tim Kuq e Zi, përpara të cilit përkulem e betohem”! Kështu i foli ai komandantit të akademisë ushtarake. Të nesërmen duke e ditur se çfar e priste, njoftoi fshehurazi familjen për ti bërë një telegram sikur nëna e tij ishte sëmurë rëndë në agoni, e ai duhej të nisej urgjent. Pret me padurim për t’u kthyer në Atdhe. Ishte viti 1941 kur Reshiti kthehet në Shqipëri. Duke parë gjendjen e mjeruar të popullit tonë, pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, akademiku Reshit Çollaku me iniciativën e tij u ngjit në Mokër në fshatin Pleshisht dhe formoi çetën partizane në mars 1942. Në krijimin e çetës morën pjesë Reshit Çollaku, Liko Gjona, Shefki Piskupati, Paparisto Podgozhani, M. Lufo, At Dhimitër Kokoneshi. Çeta në përbërjen e saj kishte 25-30 vetë, ajo kreu mjaft aksione luftarake derisa u krijua batalioni partizan, i cili arriti deri në 300 vetë në 17 maj e në vazhdim deri në betejën e Pojskës. Aksionet që kreu batalioni ishin ato në Grobovicë, Tri Urat, Shënpremte, Misri, Sheqer, Çermenikë, Katjeli, lumit të Tërhanit, Snos e deri në luftën e Pojskës korrik 1943. Në 16 korrik 1943, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i ngarkoi komandës së batalionit të Mokrës, së bashku me batalionin e Dumresë dhe Bërzeshtës, një sulm me forca të përbashkëta për t’i prerë rrugën armikut në rrugën Pogradec-Librazhd. Pasi e studiuan situatën u lanë dy variante, të organizohej një sulm afër Qafë Thanës dhe një tjetër në Pojskë, ku ra i pari Reshit Çollaku. Është shpallur Dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim nr. 76, datë 02.12.1970 të Komitetit Ekzekutiv Pogradec.
– Siri Hysen Kodra, u lindi më 16 shkurt 1921 në Dibër. Familja e tij u vendos në Tiranë në vitin 1925. Kreu shkollën fillore dhe Gjimnazin e Shtetit në Tiranë. U shqua si nxënës i rregullt, i zellshem, i kujdesshëm dhe i dashur me shokët. U dallua në vrapime, në not e në çiklizëm. Si anëtar i shoqërisë “Besa Shqiptare” u njoh me komunistë dhe mori pjesë në aktivitete antifashiste, që bëheshin me gjimnazistëve, të udhëhequra nga të rinjtë komunistë. Ai grisi fotot e Musolinit e të Viktor Emanuelit, mori pjesë në demostratën e madhe të 28 tetorit 1941, u arrestua dhe u mbajt në burg rreth gjashtë javë. U bë anëtar i Rinisë Komuniste Shqiptare që në krijimin e saj, duke pasur si shokë të ngushtë Manush Alimanin, Alqi Kondin etj. Në maj 1942 mori pjesë në një aksion të kryer bashkë me Alqi Kondin kundër një spiuni. U dërgua me detyra të posaçme në Peshkopi, u shqua në aksionin për prerjen e telave të linjave telefonike për zonën e Peshkopisë. Në 1942 doli partizan dhe u dërgua në zonën e Elbasanit, ku bëri pjesë në njësitet guerile. U bë një nga themeluesit e çetës së Dumresë. U shqua si organizator ushtarak dhe luftëtar sypatrembur duke drejtuar e duke marrë pjesë në shumë aksione të çetës, si në aksionin e Bishqemit, në djegien e kuesturës fashiste brenda në Elbasan, në aksionin e Paperit, të Bradasheshit etj. U pranua në radhët e PKSH në mars 1943. Në 4 maj 1943 në fshatin Shtermen të lokalitetit të Cërrikut, u krijua Batalioni i Dumresë. Siri Kodra u caktua zëvendëskomandant i batalionit. Më 27 maj 1943 partizanët sulmuan kantieret e fashistëve italianë në rrugën Peqin-Elbasan. Në fillim të muajit korrik 1943 në afërsi të katundit Shilbate batalion sulmoi në befasi një repart armik. Më 16 korrik 1943 një kompani e batalionit të Dumresë mori pjesë në luftimet e Pojskës në bashkëveprim me batalionin e Mokrës. Udhëheqës i kompanisë së Dumresë në këtë aksion ishte Siri Kodra, ndërsa në krye të batalionit të Mokrës ishte Reshit Çollaku. Plani i partizaneve ishte të asgjësonin një autokolone armike. Lufta zgjati shumë kohë dhe armiku pati mundësi të sillte përforcime të reja nga Pogradeci. Nga liqeni erdhën anije të armatosura, në qiell aeroplanët fashistë filluan një mitralim të dëndur të pozicioneve partizane. Siri Kodra, ra në lulen e rinisë së tij, 22-vjeç. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës me nr. 104, datë 20 qershor 1977.
– Spiro Theotaq Gjiknuri, nga Bregdeti i Jonit, në fshatin piktoresk të Kudhësit, në një shtëpi të varfër lindi, më 14 qershor 1920, Spiroja, djali më i vogël i Theotaq Gjiknurit. Babai i tij kishte punuar minator në minerën e Sent-Etien të Francës. Që në fëmijëri Spiro Gjiknuri dallohej për zgjuarsi, po ashtu në shkollën fillore të fshatit dhe me vonë në plotoren e Sarandës. Me vullnet të madh i vazhdoi ai mësimet edhe në gjimnazin e Gjirokastrës e në atë të Shkodrës, ku mbaroi studimet e mesme me përfundime të shkëlqyera në vitin 1940-1941. Spiro Gjiknuri, pasi mbaroi gjimnazin, mundi të gjejë një punë në bankën e qytetit të Elbasanit.Në Elbasan njohu disa shokë komunistë dhe filloi aktivitetin revolucionar. Nga fillimi i vitit 1942 ra në sy të organeve të policisë fashiste, kështu që u detyrua të hidhet në ilegalitet. Pikërisht në këtë kohë, në shkurt të vitit 1942, për vendosmërinë që kish treguar kundër pushtuesit fashist, Spiroja pranohet në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Aty nga fillimi i vitit 1943 caktohet zëvendëskomisar i batalionit të Dumresë. Në prag të luftës së Pojskës (Pogradec), një çetë e batalionit të Dumresë kish marrë urdhër të shkonte në ndihmë të forcave partizane që komandoheshin nga Reshit Çollaku. Komunisti i papërkulur, i rritur në gjirin e pastër të maleve labe, duke luftuar me një guxim të pashoq, së bashku me Reshit Çollakun, Siri Kodrën dhe 7 shokë të tjerë, dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë, duke ëndërruar agimet e reja të Shqipërisë. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës me nr. 97, datë 22 shtator 1972.
– Ptoleme Aleksandër Xhuvani (Elbasan 1917 – Pojskë, 16 korrik 1943) ka qenë antifashist, veprimtar i LANÇ-it. U lind në Elbasan në vitin 1917. Babai i tij Aleksandër Xhuvani ishte patriot i arsimit dhe kulturës shqiptare. Ndoqi shkollën në Elbasan si dhe Liceun e Korçës. Në Korçë, me ndihmën e popullit patriot, u ngrit një monument për luftëtarin kombëtar. Shkroi një artikull për numrin e parë e të fundit të revistës “Liceum” me temën “Përpara monumentit të luftëtarit kombëtar”. U lidh me komunistët e Grupit të Korçës dhe punoi për komunizmin që në lice dhe e vazhdoi edhe në Francë. I ndërpreu studimet në Paris për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtate. Ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe punoi e luftoi për triumfin e Luftës Nacionalçlirimtare. Ishte anëtar i Komitetit Qarkor të PKSH për Elbasanin. Për aktivitet të palodhur në Elbasan, u burgos nga fashistët italianë, por, për mungesë provash doli pa u dënuar, mbasi vuajti disa muaj burg. Me armë në dorë dhe në sulm, ra si bien trimat më 16 korrik 1943 në Pojskë bashkë me Reshit Çollakun dhe shokët e njësitit luftarak. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Elbasan me nr. 77, datë 25 nëntor 1969.
– Petrit Shaban Blloshmi, shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit me nr. 101, datë 04 dhjetor 1979.
– Koli Gjokë Gusho, u lind në qytetin e Pogradecit në vitin 1924. Mbaroi shkollën fillore në Pogradec dhe në vitet 1938-1941, studioi në shkollën bujqësore të Kavajës. U fut në punë në PTT-në e qytetit. Përkrahu lëvizjen dhe punoi për organizimin e rinisë antifashiste të qytetit të Pogradecit, shpërndau trakte, mblodhi ndihma e materiale për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për aktivitet antifashist ra në sy dhe qëndrimi në qytet u bë i pamundur, ndaj doli partizan, në prill 1943, në çetën e Mokrës, që komandohej nga Reshit Çollaku. Në luftime u shqua për trimëri në aksionet që bëri batalioni partizan. U emërua komisar kompanie në batalion. Ra si luftëtar më 16 korrik 1943 në Luftën e Pojskës. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit me nr. 76, datë 2 dhjetor 1970.
– Isuf Dilaver Leka, lindi në vitin 1920 në Berzeshtë të Librazhdit. Mësoi në shkollën e fshatit. Me vdekjen e babait, bashkë me nënën dhe motrën zbritën në qytetin e Elbasanit. Punoi me shërbim në kuesturë. Ra në kontakt me antifashistë dhe u organizua në grupet edukative. Në kuesturë kreu me sukses detyrat që ju ngarkuan si jepte informata mbi vendosjen e postave fashiste, mbi kontrollet që do të bëheshin, shokët që gjurmoheshin etj. Ai ishte anëtar aktiv i njësitit, dhe më 30 maj 1943 kreu aksionin kundër kuesturës fashiste. Netë me radhë, së bashku me Jorgji Dilo (dëshmor) punoi për aksionin dhe kur u sulmua kuestura nga njësiti partizan, Isuf Leka ishte ndër të parët që u hodh në veprim. Pas aksionit u inkuadrua në batalionin partizan të Dumresë. Në radhët partizane u tregua trim, gjakftohtë dhe frymëzonte shokët me shembullin e tij. Aksionin e Pojskës së bashku me shokun e fëmijërisë, Petrit Blloshmin ranë duke luftuar burrërisht pranë njeri-tjetrit. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit me nr. 101, datë 04 dhjetor 1979.
– Arif Maksut Kuka, u lind në qershor të vitit 1919 në Bërzheshtë të Librazhdit. U rrit mes vështirësive se babai i vdiq shpejtë, duke e lënë familjen në mjerim…arifi u rrit me urrejtje për pushtuesit fashistë. Kur partizanët u dukën dhe në Bërzheshtë, ai u bashkua me ta dhe mori pjesë në Pishkash në djegien e barakave dhe të materialeve të shoqërisë italiane “Ferralba”, në djegien e postës së karabinierisë së Qukësit e të Polisit. Me fjalën e tij të ëmbël Arifi tërheq dhe të rinj të fshatit në çetë. Rreshtohet partizan në batalionin e Mokrës dhe mori pjesë në aksione sin ë Qukës, Xhyrë e Mirakë. Ai mori pjesë dhe në aksionin e Pojskës, ku do të binte heroikisht me shokë të tjerë të armëve. Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit me nr. 101, datë 04 dhjetor 1979.
– Dilo Sulejman Nezha, lindi në Qukës të Librazhdit në vitin 1922. Në shtator të vitit 1942 u lidh me partizanët e zonës dhe filloi të bëjë propagandën e Lëvizjes në radhët e bashkëfshatarëve të tij të varfër. Në Qukës-Shkumbin, për herë të parë u dukën nëpër rrugë traktet që bënin thirrje për të luftuar fashizmin. Dilo punonte në botore, për rregullimin e rrugëve. Kryetari i komunës i propozoi të hynte në milici, por Dilo nuk pranoi. Ai çarmatosi inxhinierin e punimeve dhe u bashkua me çetën e Bërzheshtës. Më pas shkoi në çetën e Reshit Çollakut… Dilo Nezha u bë kështu një nga trimat e Pojskës, që shkruan me gjakun e tyre njerin prej episodeve më të njohura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit me nr. 65, datë 06 nëntor 1969.
– Ali Hysen Arapi, u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1916. Ai në qytetin e vendlindjes, Elbasanit, mbaroi shkollën fillore, por shkollën normale nuk mundi ta mbaronte. Kujtim nga shkolla kishte vetëm miqësine e fortë që pati me shokët. Aliu mori pjesë në demostratën e 5 prillit 1939, kur populli i Elbasanit ishte ngritur në këmbë dhe qe drejtuar për në kazermat e Krastës, për armë… Ishte aksioni i dytë që bënte, të parin e kishte kryer në Qukës, ku punonte si nëpunës i thjeshtë në ish-komunë, pasi dinte italisht, ndaloi një makinë italiane me rimorkio, të ngarkuar me ushqime. E detyroi shoferin italian të ndryshonte drejtimin e automjetit për në rrugën e Pishkashit, kështu ushqimet kaluan për nevojat e partizanëve. Gjatë qëndrimit në Qukës ra në kontakt me çetën e Mokrës dhe mori pjesë në disa aksione të saj. Më vonë kthehet në qytetin e Elbasanit ku vazhdon të aktivizohet me njësitet guerile dhe merr pjesë në aksione të guximshme, siç qe ai brenda në kuesturë natën e 30 majit 1943. Fashistët kishin rënë në gjurmë të veprimtarisë së tij dhe e gjurmonin, ndaj Aliut hodhi pushkën në krahë dhe shkoi në çetën e Bërzheshtës. Në luftën e Pojskës shkoi në përforcim të çetës së Mokrës të komanduar nga Reshit Çollaku. Pojska gjëmonte, beteja vazhdonte dhe trimat suleshin armikun e shumtën. Në fushën e betejës mbetën të rënë dhjetë trima partizanë dhe Ali Arapit e gjetën me gishtin në këmbëz… Shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Librazhdit me nr. 77, datë 25 nëntor 1969.
Aksioni i Pojskës pati vlerat e veta. Ky aksion përbënte një goditje të rëndë për fashizmin italian në gërhanat e tij të vdekjes. Jehona e aksionit të Pojskës u përhap në gjithë vendin. Heroizmi i dhjetë të rinjve është rrënjosur thellë në kujtesën e brezave. Atdheu i ka vendosur ata në altarin e pavdekësisë. Reshit Çollaku, me Dekretin e Parë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i jepet Urdhri i Lartë i “Heroit të Popullit”, të tjerët të gjithë Dëshmorë të Atdheut.