Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Pjerin Radovani: In memoriam, Besim Omer Zyma!

Rreth 93 vjet më parë filloi aktiviteti i shërbimit otorinolaringologjik në Shqipëri nga Dr. Besim Zyma, pranë Spitalit Civil në Tiranë.

Po cili qe Besim Omer Zyma?

Lindi në Manastir në vitin 1901, nga baba shqiptar (nga Elbasani) dhe nënë turke. I ati kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe në vitin 1912 mbante gradën e kolonelit. Gjatë luftës serbo-turke bie rob i ushtrisë serbe dhe e mbyllin në një kamp pranë Nishit, me shumë oficera të tjerë turq. Zyma fëmijë shkoi të shoqërojë të atin në atë kamp, ku qëndroi gati një vit dhe tregon se përgjegjësit serbë të kampit e trajtonin me dashamirësi, i jepnin mësime private në frëngjisht dhe e lejonin të dilte nga kampi, i shoqëruar nga një oficer turk, që Zymës fëmijë i dukej shumë i ditur. Kështu një ditë kur po ecnin sëbashku mbi shinat e trenit, oficeri e pyet:- përse disa nga shinat janë të shkëlqyera, dhe të tjera matanë janë të mbuluara me ndryshk? Pa pritur përgjigjen e Zymës së vogël, vetë u përgjigj: – Edhe hekuri është si truri, kur punon shkëlqen, por kur rrin në plogështi dhe nuk përdoret, ndryshket dhe shkatërrohet. Këtë shprehje Zyma e kujtonte gjithmonë. Po kështu, kur e pyesnin të atin në kamp se çfarë dëshire kishte t’i jepte për profesion të birit, ai i përgjigjej: – Edhe fshesaxhi të bëhet, por të jetë fshesaxhiu më i zot në qytet.

Nëna qe turke dhe qenë martuar në Shkodër, ku i ati i nënës punonte si dirigjent i orkestrës ushtarake turke. Në shtëpi flisnin vetëm turqisht. Kur babai takohej me shqiptarë fliste shqip, që për  Zymën qe krejt një gjuhë e pakuptueshme. Pas luftës ballkanike e gjithë familja çvendoset nga Shkupi në Stamboll. Zymën e rregjistruan në shkollën e mesme ushtarake, por pas disa ditë qëndrimi dezerton dhe i ati detyrohet ta çojë në gjimnazin austriak St. George, me pagesë. E filloi me qejf këtë shkollë, sepse siç shkruan në kujtimet e tij, e tërhiqte shumë mësimi i gjuhëve të huaja, veçanërisht gjermanishtja, por dhe profesione si inxhinjeria dhe arkitektura. Në këtë gjimnaz ndoqi sektorin real, ku përveç tjerash, lëndë kryesore qenë disiplina shtëpiake dhe shoqërore. Nota negative në këto lëndë, i përjashtonte nga shkolla.

Në vitin 1914 filloi lufta e parë botërore dhe pas një viti i vdes i ati. Turqia u lidh me Gjermaninë kundër aleatëve. Në atë kohë gjuha gjermane ishte mjaft e kërkuar, kështu që Zyma i ri të gjitha të ardhurat për të ndjekur shkollën i nxirrte duke dhënë mesime në gjermanisht, përkthime, derisa në vitin 1917 futet si përkthyes në Ministrinë e Bujqësisë pa shkëputje nga shkolla.

Me 29 tetor 1923 nga Ataturku u shpall Republika Turke. Zyma shkruan gjatë dhe me nderim për këtë udhëheqës.

Ende pa mbaruar lufta rregjistrohet në Fakultetin e Inxhinjerisë, por kur del në rrugë takon rastësisht pedagogun kujdestar të gjimnazit, i cili nuk e mirëpriti aspak këtë vendim të Zymës së ri. E këshilloi të vazhdonte studimet për mjekësi, duke u përpjekur t’i sillte një sërë argumentesh në favor të mendimit të tij. Ndërsa Zyma insistonte se mjekësia ishte e gjatë dhe nuk kishte para të përballonte vazhdimin e fakultetit. Atëhere mësuesi iu kthye: – Studenti i mjekësisë apo edhe mjeku nuk kanë nevojë aspak të jenë të pasur. Atyre u duhen një letër dhe një penë. Ndërmjet tjerash ai shtoi: – Mjeku mund të jetë shumë i ditur, por në mungesën e guximit për të marrë vendim dhe komunikimit me të sëmurin për ta siguruar në një shërim të shpejtë, ai nuk ngjall besim tek ai i sëmurë. Më tej ai vazhdoi – asnjë mjek nuk ka vuajtur nga papunësia dhe uria.

Edhe në gabimet profesionale ose edhe në burg po të jenë, mjekët kanë pasur një trajtim shumë të favorshëm.

Nga kjo bizedë Zyma u bind dhe po atë ditë rregjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë “Hajdar Pasha” të Stambollit, pa i shkuar ndonjëherë ndërmend të bëhej mjek. Fitoi konkurset si në inxhinjeri ashtu edhe në mjekësi dhe filloi të studjojë në të dy fakultetet. Pas do kohe, edhe nga këshillat e të afërmëve, me pishmanllëk la fakultetin e inxhinjerisë. Shteti turk nuk jepte bursa për shkollat e larta, kështu që gjatë gjith kohës që i mbetej e lirë, punonte si përkthyes, për të arritur kryerjen e studimeve. Në vitin 1920-1922 plas inflacioni monetar në Gjermani, çka bëri të mundur blerjen e librave pa devizë dhe me çmime të ulta. Zyma porositë shumicën e veprave mjekësore për çdo specialitet dhe bëhet i njohur në të gjthë fakultetin për bibliotekën e tij të pasur.

Në vitin 1923 mbarojnë studimet grupi i parë i mjekëve të republikës dhe në ceremoninë e dipllomimit merrte pjesë dhe Mustafa Kemali. Pas studimeve emërohet asistent i kirurgjisë në spitalin “Numune”, në kryeqytetin e ri të Turqisë, Ankara. Zyma përshkruan gjatë Ankaranë e asaj kohe, me shtëpi njëkatëshe dhe rreth 20000 banorë. Spitali qe i vogël dhe mungonin shumë specialitete. Administrohej me radhë nga një mjek i ri. Ftoheshin shumë autoritete shkencore të huaj, veçanërisht gjermanë, ndër to profesorët e njohur gjermanë Martini dhe Vogel, të cilët i pat shoqëruar Zyma. Zyma flet me respekt për korrektesën e këtyre gjermanëve. Në një weekend i propozoi të vizitonin vendin historik EFEZUS, por ata në mënyrë të vendosur refuzuan, duke thënë: – Ne nuk paguhemi për të shëtitur në vende turistike.

Qenë këto profesorë që bënë të mundur për Zymën vazhdimin e studimeve në kirurgji-gjinekologji në Universitetin e Hamburgut. Ndërkohë vazhdonte punën dhe specializimin  në Numune për kirurgji-gjinelokogji, por me që nuk kishte mjek ORL, vizitonte dhe mjekonte në mënyrë autodidakte për sëmundjet vesh-hundë-fyt familjet e punëtorëve hungarezë, që në ate kohë qenë me shumicë në Ankara, të cilët punonin për ndërtimin e Ankarasë së re.

Në fund të vitit 1925 merr lajm nga Prof. Martini se ishte pranuar si asistent pa pagesë në klinikën e kirurgjisë e gjinekologjisë të spitalit Barmbeck të Hamburg-ut. Niset menjëherë, por qëndroi disa ditë në Vienë, ku u njoh me Dr. Jani Bashon, i cili qe larguar pas rënies së qeverisë së Nolit dhe për të cilin flet me shumë respekt. Lidhën një miqësi të ngushtë. Këshillat e tij të sinqerta i lanë një përshtypje të paharrueshme gjithë jetën. Siç shprehet Zyma, deri atëhere nuk dinte ndonjë gjë të madhe për një vend në një qoshe të  ish perandorisë që quhej Shqipëri. Shpesh hamendësonin me njëri tjetrin nga rridhte ky emër, dhe hamendjet nuk arrinin në një përfundim. Zyma në dorëshkrimet e tij thotë: – Dr. Basho me përzemërsi dhe dashuri patriotike më këshilloi të mësoj gjuhën shqipe dhe të specializohem për sëmundjet ORL, me që në atdhe mungonte fare kjo degë mjekësore. Për herë të parë një mik i propozoi kthimin në Shqipëri.

Zyma kujton me nostalgji spitalin Barmbeck, më i madhi në Europë në atë kohë, strukturën e tij, organizimin dhe administrimin e punëve, trajtimin e të sëmurëve, etj. Gjatë specializimit në Hamburg, filloi të punojë në shërbim roje në maternitetin “Finkenau” me gati 45 lindje në ditë. Kur kishte kohë të lirë shkonte për të mësuar  në repartin ORL të spitalit St. George, që ishte pranë Finkenau-t.

Në Hamburg qëndroi deri në vitin 1929. Sipas ligjit gjerman të asaj kohe duhet të shërbente në terren për një vit. Emërohet në vaporin “Livadia” i linjës Hamburg-Amerika Linie që bënte rrugën për në Afrikë. Merr me vete vegla kirurgjikale. Shkruan gjatë për jetën e mjekut në Afrikën Perëndimore, ku filloi të bënte edhe punën e kirurgut maksilofacial (hiqte dhëmbë,, imobilizim frakturash nofulle, etj.). Flet për jetën në pyjet afrikane, tekstualisht: – “…këto inzekte janë edhe aq të vogël sa që hyjnë në çdo xhibinlluk. Fatëqeqësia më të rënda janë sëmundjet vdekjepruerse si ata të gjumit, dizanterisë, dhe malaria tropikale..”. Për shërbimin në marinë qeveria gjermane e nderoi me çmimin e madh “Poseidon”.

Mungojnë shënimet në vazhdim, por dijmë se në fillim të vitit 1930 pranohet si asistent kirurg në klinikën e famshme “Charite” të Berlinit, me drejtor Carl-Otto von Eicken. Shumë autoritet shkencore botërore punonin në atë klinikë, siç qenë Prof. Bayer, Seiffert, Vogel,  Breuer, etj., me të cilët u lidh në një miqësi të ngushtë. Më tej gjejmë shënime të shkëputura se si qe organizuar puna në këtë klinikë me 350 shtretër.

Gjatë ditëve të para në “Charite” Zyma punonte në repartin që drejtohej nga Prof. Seiffert, duke zëvendësuar në kabinete të ndryshme mjekët që mungonin për arsye të ndryshme. Një ditë i sjellin një grua në gjëndje të rëndë, me temperaturë të lartë, nuk gëlltitej dhe qe e ënjtur në anën

e majtë të qafës, e cila qe vizituar tre ditë më parë po në atë kabinet nga një tjetër mjek. Zyma e çon për radiografi, ku zbulohet një trup i huaj, gjilpërë. Menjëherë ia raporton Seiffert-it. Ky e pyet Zymën se ç’duhej bërë. Zyma pa asnjë mëdyshje shprehet se i vetmi shpëtim është ndërhyrja nga jashtë. Po atë ditë futen sëbashku në sallë. Seiffert-i duke parë vendosmërinë e Zymës, i jep bisturinë dhe vetë asiston. Nga qafa u zbraz pus dhe u hoq trupi i huaj. Profesor Seiffert u mrekullua nga aftësia manipuluese e Zymës dhe të nesërmen i raporton von Eicken-it ngjarjen, i cili jo vetëm e përgëzoi, por e trajtoi gjatë gjithë kohës si asistentin më të afërt. Prej asaj dite të gjithë e shihnin me nderim mjekun “turk”. Kolegët me dashamirësi  e quanin Omer Turku dhe përpara se të shkonin te Seiffert-i, i merrnin një mendim edhe Zymës. Më tej Zyma flet gjatë për punën në klinikë, autoritetin e von Eicken-it, aktivitetet kërkimore dhe shkencore dhe pjesmarrjen aktive në ato aktivitete. Gjatë kohës që vazhdonte specializimin në “Charite”, ndiqte operacionet plastike dhe të kirurgjisë rekonstruktive pranë klinikës së Jacques Joseph.

Ndërkohë, vëllai Inxh. Selim Zyma vazhdimisht i bënte thirrje të kthehej në Shqipëri, çka realizohet nga fundi i muajit Mars 1932. Qëndroi përreth 2 javë në Svicërr. Në Davos u njoh me Dr. Ludwig Kalmar, i cili e informoi mjaft për Shqipërinë dhe se si duhej të udhëtonte. Me 12 Prill 1932 arrin në Durrës dhe të nesërmen paraqitet në Drejtorinë e Shëndetësisë në Tiranë,  emërohet në spital, mjek ORL, me rrogë mujore 140 Fr. ari. Fillon punë me inaugurimin e spitalit të ri me 15 Korrik 1932, ku në një ndërtesë qenë repartet e ORL, okulistikës dhe dermatologjisë. Sidoqoftë nga shënimet e lëna duket i zhgënjyer për punën në këtë vend, sepse vizitat nuk kalonin më shumë se 140 raste në vit, dhe shumë më pak qenë rastet kirurgjikale. Vizitoheshin intelektualë, ushtarakë, ndonjë i huaj dhe familjet e tyre, ndërsa masat e gjëra popullore nuk besonin në mjekësinë shkencore, por shetisnin nga një sharlatan në tjetrin, duke përfunduar më tej pranë institucioneve të kultit. Kështu në vitin 1932 bëhet një tonsilektomi dhe në fund të vitit 1932 i bën trakeotomi bijës së gjeneral Parianit, e cila vuante nga difteria. Mjekët ushtarakë italianë e kundërshtuan këtë ndërhyrje, por ku Zyma e shoqëroi vajzën në një spital të Barit, mori falenderimet e të gjithë stafit për saktësinë e diagnozës dhe ndërhyrjes vendimtare. Rasti tjetër qe i biri i komandantit të xhandarmërisë i quajtur Bazi Cani (siç fliste Zyma), por duhet të ketë qenë Abaz Kupi, që vuante nga një otit kronik, sinus trombozë dhe absces ekstradural. Dr. Kristidhi dhe Dr. Osmani e këshilluan të mos ndërhynte, por ta niste për në Vjenë, sepse po të pësonte gjë i biri, i ati do të hakmerrej. Zyma nuk i dha rëndësi këtyre argumenteve dhe e merr djalin për operacion. Në sallë futen edhe tre malësorë të armatosuar. Pas një debati me anën e një përkthyesi, Zyma arriti t’i bindë që të hiqnin armët, por ata vazhduan të qëndronin në sallë. Kur panë hapjen e mastoidit me daltë, të tre njëri pas tjetrit u rrëzuan për tokë; kështu u boshatis salla nga “nga njerëzë të padushurueshme”. Pasi djali u bë mirë, autoritetet e këshilluan Zymën t’i bënte një vizitë komandantit. Zyma pasi i shpjegoi gjëndjen e të birit dhe çka ndodhi në sallë, ai u ngrit në këmbë, e përqafoi duke i thënë:- “…jo mor doktor, unë nuk jam kriminel. Edhe sikur djali të vdiste, prap se prap mirënjohja ime për shërbimin e ri mjekësor do të ishte e pafund..”.. Me këtë ndërhyrje Zyma u bë i njohur dhe kudo flitej për te. U shtua numri i operacioneve si ato ORL, kirurgji maksilofaciale, operacione rekonstruktive pas heqjes së epiteliomave të fytyrës,etj., por jo një numur i kënaqshëm. Në këto rrethana dhe veçanërisht pas një ftese të von Eicken-it për të drejtuar një nga klinikat e Charite-së, Zyma largohet për në Berlin në fund të vitit 1936. Atje gjen një atmosferë të ftohtë e të papëlqyeshme. Mjaft nga miqtë e tij qenë larguar nga puna, apo dhe nga Gjermania. Çdo klinikë drejtohej nga një sekretar partie nacional-socialist dhe para mbledhjes së mëngjezit , çdo gjë që ndodhte në klinikë i duhej raportuar atij. Edhe vetë von Eicken-i nuk e pëlqente një gjë të tillë, por të qënit gjerman dhe mosha e mbante të lidhur ende   me atë spital. Brauer-i, megjithse gjerman i pat thënë: -“…ik sa më parë. Këta mazokistë që kanë ardhur në pushtet po përgatisin katastrofën e këtij vendi”. Pas tre muajve Zyma kthehet në Shqipëri, po me insistimin e vëlla Selimit.

Pushtimin nga Italia e përjetoi me dëshpërim dhe lajmin e merr vesh kur po kthehej nga një kongres i shoqërisë gjermane të ORL në Berlin. Përshkruan gjatë peripecitë e udhëtimit, lajmet kontradiktore në gazeta, situatën mbytëse që gjen në Shqipëri, etj.

Italianët i kërkuan të vishte uniformë, por ai asnjëherë nuk u pajtua me këtë gjë, aq sa e hoqën nga spitali dhe punonte vetëm në ambulancë. Një ditë Dr. Shiroka futet me urgjencë në dhomën e vizitës dhe i kërkon të linte çdo punë e të shkonte në sallë të operacionit, sepse Prof. Fornari po torturon një fëmijë sepse nuk din të gjejë antrumin. Eja ta ndihmosh! Zyma tregon: – U futa në sallë, e kapa prej leckash Prof. Fornarin dhe me forcë e nxorra përjashta, duke i bërtitur gjermanisht “kokat e shqiptarëve nuk janë me shumicë që ti të bësh prova me to, mor mjek i paaftë”. Ndërkohë Dr.Shiroka kishte kapë kokën me duar për këtë “budallallëk” timin. Vazhdon “Të nesërmen më arrestuan sëbashku me Dr. Spiro liton, i cili duke qenë prezent në skenën që ndodhi, mohoi ngjarjen”. Pas disa ditësh i transferuan të dy në një burg në Bari të Italisë, ku qëndruan tre muaj. Prej andej i dërguan në një burg të Pesaro-s, ku qëndruan disa ditë dhe mandej i dhanë një liri të kufizuar në krahinën e Penabili-t. Zona nuk kishte mjekë dhe çifti Zyma-Lito mori një emër të madh në të gjithë krahinën, aq sa vinin njerëz për t’u vizituar edhe nga Pesaro. Njerëzit i donin, i respektonin dhe i shpërblenin për punën që bënin, aq sa autoritetet italiane u detyruan t’i lirojnë. Qëndruan në internim 11 muaj. Pas kthimit në Shqipëri, autoritetet nuk e lejuan të punonte në spital dhe as në ambulancë, por e transferuan në Mitrovicë, ku punoi në kushte mjaft të këqia përreth tre muaj. Pasi arriti të sigurojë një leje, kthehet në Tiranë dhe hapë një klinikë private pranë shtëpisë së tij, ku kryente vizita, operacione kirurgjikale; strehonte, mjekonte edhe partizanë. Ka strehuar dhe mshehur mjaft çifutë shqiptarë, austriakë, gjermanë. Kaq e vërtetë është një gjë e tillë, sa që në vitin 2000 Komiteti Ndërkombëtar Izraelit dërgon në Shqipëri një autoritet me emrin Jack Goldfarb, i cili në emër të këtij komiteti i shpreh konsideratat familjes dhe emri i Besim Zymës ndodhet sot në një nga muret e Jeruzalemit.

Çlirimin e vendit Zyma e konsideron si lindjen e një epoke të re për zhvillimin e shëndetësisë shqiptare në përgjithsi dhe shërbimit ORL në veçanti, si një epokë të re të punës dhe përparimit si në spitalin civil ashtu edhe në ate ushtarak. Shtohet në 40 numuri i shtretërve, që nuk rrinin asnjëherë bosh, u shtuan mjaft vizitat dhe operacionet. Vitet 50-të shënuan ardhjen e mjekëve të rinj të specializuar në vendet e lindjes si Dr. Spase Trimçev, Dr. Emil Qirko, Dr. Anesti Boçka të cilët përbënin edhe bërthamën e parë të stafit klinik dhe pedagogjik ORL. Për punën e palodhur dhe me vetmohim, iu dha titulli “Profesor”. Doli në pension ne vitin 1971, por vazhdoi te kryente konsulta dhe operacione në Spitalin Klinik Nr.1, Spitalin ushtarak dhe në spitalet e rretheve. U nda nga jeta në vitin 1983, duke lënë pas një plejadë mjekësh të afirmuar në specialitetin ORL.