“Të vegjlit e mi” nga Ylli Pango, një perlë që përcjell dashurinë njerëzore
Ardian Goci
Kam lexuar shumë libra (gjithsej 18 të botuar), shkrime të Ylli Pangos, edhe para se te njiheshim, por sidomos pas njohjes se hershme, prej më shumë se 20 vitesh. Të them te drejtën, shumë prej tyre më është dashur t’i rikthehem pasi edhe pse profesor Ylli e ka merak të madh që të jetë sa më i asimilueshëm. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse psikologjia është arma e tij më e fuqishme.
Por unë këtu dua të ndalem në librin e sapo dalë në qarkullim,”Të vegjit e mi” që ashtu siç e ka quajtur vetë autori, është një rrëfenjë për të vegjël e për të rritur. E më shumë se kaq.
Që në fillim të librit, ti gjendesh në botën e familjes së vogël, në jetën e tij, në shtëpinë e Yllit. Ti pa kuptuar zë vend në një cep të shtëpisë dhe përjeton të gjitha emocionet që të serviren në mënyrën më të drejtpërdrejtë nga rrëfyesi. Dashuria mes tre njerëzve, nënë, bir e atë, është kaq e bukur dhe e natyrshme saqë rrëzon çdo barrierë moshe, vendesh të ndryshme nga vinë apo paragjykimesh. Është dy herë e bukur, një herë se është vërtet një dashuri e pastër dhe herën e dytë sepse është përshkruar kaq bukur, dhe kaq qartë sa që ti nga cepi ku të ka rezervuar autori në shtëpinë e tij arrin ta prekësh këtë dashuri.
Ardhja e fëmijës aq te dëshiruar Daniel, (Danja në libër) peripecite e kaluara por edhe gezimet, janë përshkruar me tone të forta emocionale. Krahas analizave psikologjike, që sigurisht janë arma më e fuqishme e profesorit, shikojmë anën humane, atë “zbutjen” e lartësimin që i jep shpirtit njerëzor dashuria për njeriun!
Kur lexon librin, kupton se të gjitha angazhimet e tjera kalojnë në plan të dytë përpara këtyre përjetimeve. Por jo rastësisht, një burrë i moshës së tretë, gjysh dhe baba i ri njëkohesisht, po edhe bashkëshort në moshën e babait, mund t’ia dilte mbanë jetës duke i kryer të gjitha rolet.
Vetëm temperamenti, karakteri, fiziku, inteligjeca e një njeriu si Ylli mund t’ia arrinte të kapërcente mbi moshën. Është dashuria njerëzore, por është edhe pak genetike, për mendimin tim. Për mua që njoh nga afër pjestarë të familjes Pango, e di çfarë kapacitetesh janë. Prandaj nuk u habita dhe aq për cilësitë e Danjës së vogël që ka mësuar kaq gjëra në moshë aq të vogël.
Pa bërë nje recension të mirëfilltë, që mund ta bëja me shumë kënaqësi, dua të shtoj që në këtë vorbull paçavuresh që na serviren, ky libër është pa dyshim një perlë për nga ajo që na përcjell: Dashuria njerëzore!
Faleminderit profesor që ndave me ne atë dashuri që e ka bërë jetën tënde kaq të bukur!