Arben Iliazi: Mësimet që mora për dramaturgjinë nga Fatos Arapi
Gjatë shfletimit të një koleksioni të vjetër të gazetës “Drita”, rastësisht ndesha në një artikull të Fatos Arapit, ku analizohet prirja realiste që duhet të përftonte dramaturgjia shqiptare në atë kohë. (Gazeta Drita, 1 shtator 1963). Fatos Arapi ngrihet kundër mendimit se dramën mund ta shkruajnë vetëm ata që merren me skenën. Ai kërkon që edhe shkrimtarë të tjerë, me talent edhe kulturë, mund të japin kontributin e vetë në lëvrimin e dramaturgjisë, por edhe në mendimin kritik të saj.
Shumë pak njerëz e dinë se, krahas kontributit të vyer në poezinë dhe prozën shqipe, Arapi ka vendin e vetë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke dëshmuar kështu kulturën e tij të thellë dhe botën e tij universale. Fatos Arapi ka shkruar disa drama si: “Drama e një Partizani pa emër”,1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”,1995, etj.
Ka qenë fat për kulturën shqiptare që personalitete të tilla, poetë dhe shkrimtarë të mirënjohur si Dritëro Agolli, Qamil Buxheli, Petro Marko, Naum Prifti, Teodor Laço, e mjaft të tjerë, kanë dhënë një ndihmese të çmuar në zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare.
Në vitet ‘60 teatri shqiptar u vu në një presion dhe kontroll të rreptë nga censura zyrtare. Ishte pikërisht ky presion i veçantë mbi dramat dhe teatrin, i cili në vitet 60-70 u shoqërua edhe me dënimin e dramaturgëve, burgosjen dhe ndalimin e veprave të tyre. Është i njohur ndalimi i një varg dramash si: “Rrethimi i bardhë”, shkruar nga Naum Prifti, “Dueli” nga Qamil Buxheli dhe “Drama e një partizani pa emër” nga Fatos Arapi, e me pas dramat “Miku i Martin Gjinit” nga Petro Marko, “Njollat e Murme” nga Minush Jero apo “Mosha e Bardhë” nga Dritëro Agollit.
***
Me Fatos Arapin, poetin, shkrimtarin, dramaturgun dhe humanistin e shquar, na lidhi një miqësi e gjatë, 43 vjeçare, derisa ai, bashkë me poezinë e tij, u ngjit në krahët e Perëndive. Arapi shënjoi rrugën time të artit, duke u interesuar për botimin e cikleve të para me poezi në gazetat dhe revistat e kohës, qysh në vitin 1981, kur isha maturant në gjimnaz. Isha i lumtur në shoqërinë e tij. Për mua mbeti një poet e shkrimtar gjenial, një shpirt i dëlirë, me energji të pashtershme. Nga Fatosi mora mësimet e para edhe për dramaturgjinë kur, menjëherë pas mbarimit të Fakultetit të Filologjisë në vitin 1988, u emërova libretist teatri. Te buletini “Teatri”, që botonte Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore, kisha filluar të botoja komedi të shkurtra me një akt. Por të shkruaje drama në atë kohë duhej të kaloje në mjaft hallka, për t’u ngjitur më pas në skenë. Edhe kur drama ngjitej në skenë, dramaturgjia ishte përsëri në presion të sistemit totalitar. Fatosi më porosiste të bëja kujdes, duke më treguar përvojën e tij. Theksonte gjithmonë se dramaturgu përherë duhet të synojë në krijimin e karaktereve të qartë dhe të individualizuar, në të cilat të mishërohen tiparet e përgjithshme të shoqërisë. Që të realizohen karaktere individuale të forta kërkohet një individualizim i thellë i figurës artistike. Një nga kërkesat në artin dramatik Fatosi përcaktonte edhe ndërtimin e kompozicionit të tyre. Më nxiste të shmangia natyralizmin, thjeshtëzimin artistik të gjuhës dramatike, por dhe mjaft detaje të tjera që e dobësojnë fuqinë e fjalës dhe të vërtetës artistike duke ndikuar drejtpërdrejte në zbehjen e dramës.
Prej tij mësova për herë të parë se, në sfondin e errët të zhvillimit të dramaturgjisë në vitin 1962, u godit “Drama e një partizani pa emër”, shkruar prej tij e cila, jo vetëm nuk u lejua të vihej në skenë, por në revistën “Nëntori” u shënua “është botuar gabim”. “Drama e një Partizani pa emër” u vu në fokus të goditjeve apokaliptike në Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965). Pleniumi, me kritika të rrepta, e paraqiti autorin si “kundërshtar të ideologjisë së partisë, kundërshtar të letërsisë dhe artit të realizmit socialist”. Madje edhe “shtrembërues i së vërtetës për Luftën Antifshiste Nacional Çlirimtare”. Si rrjedhojë Fatos Arapi u hoq nga puna si pedagog dhe u degdis në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës.
Unë e kam lexuar atë dramë të shumëkritikuar dhe të ndaluar, e cila shpërfaq tablo interesante që i kapërcenin kufijtë e një drame socrealiste. Ndryshe nga tiparet dhe skemat e heronjve të dramave të kohës, ku heronjtë jepen stoikë dhe drejt sakrifikimit, duke zbehur botën emocionale të tyre, luftëtari partizan i Fatos Arapit ngrihet mbi këto skema, duke qenë një njeri me dashuri të thellë për jetën, herë-herë i tulatur përballë rrezikut, gjë që perceptohet në dilemat psikologjike dhe morale të tij. Në rrethanat e Luftës “Partizani pa emër” mendon të braktisë shokun e plagosur e të largohet vetëm pa të:
“Partizani: mendoja ta vrisja e të ikja… Kush do ta dinte se e vrava unë? Aq më tepër pas përleshjes me fashistët… Mund të thosha se e zuri plumbi kur po e tërhiqja dhe kaq, por sa më vetëtiu në kokë ky mendim m’u neverit vetja. I poshtër ! – i thashë vetes”
Pikërisht këto dilema psikologjike morale që mbart heroi i dramës së Fatos Arapit binin në kundërshtim me tiparet e heronjve që kërkonte letërsia socreale.
“Ngjarja që unë shtjelloja në dramë ishte e vërtetë, tregonte Fatosi. Ajo ka ndodhur midis partizanëve”.
***
Fatos Arapi u lind më 1930 në Zvërnec të Vlorës, nga një familje patriote, dhe iku në amshim në tetor 2018. I ati, Tol Stavre Arapi, kish luftuar me pushkë në dorë për lirinë e atdheut, kurse i vëllai, Vllasi, u zhduk pa nam e nishan në vitet e para të diktaturës komuniste. Fatosi ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë, në fillim si gazetar dhe më vonë, për një kohë të gjatë, si pedagog. Nisi të shkruante që në vitet e studimeve dhe, rreth viteve ‘60, emri i tij iu bashkëngjit autorëve si Kadare e Agolli, që po tentonin ta emanciponin poezinë e deriatëhershme. Vargjet në shqip nisën të ishin më të lirë edhe falë Fatos Arapit. Ai e shpalli që në fillimet e kredos së tij poetike se “qenia është liri dhe liria është qenie”.
I përballur me një jetë të stuhishme Arapi, në mbi 60 vjet aktivitet krijues, synoi krijimin e një arti që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akullt të realizmit socialist.
Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet poetike “Shtigje poetike” dhe “Poezi e vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Poezia e tij, për gjatë gjysmë shekulli, arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike, me thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit dhe figuracioni i freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996.
Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë dhe dramës, ku ai qëndron në rreshtat e parë dhe ku u kritikua disa here për “hermetizëm” dhe “modernizëm” , Fatos Arapi ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Megjithë largësinë e pakapërcyeshme që ndante talentin e tij të rrallë me nivelin e ulët të kohës që jetoi, Fatos Arapi mbeti gjithmonë i frymëzuar, i papërmbajtshëm, me një temperament të etshëm e plot tallaze. Poezia e tij, sa universale aq edhe filozofike dhe ekzistenciale, edhe sot e kësaj dite mbetet një enigmë, me një shkëlqim engjëllor, me një forcë të jashtëzakonshme, magjiplotë.