Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: “Krimineli” nga Shpiragu

Mars 1975. Fshati Paftal, rrëzë malit Shpirag, Berat.

Ramadan Tahiraj, 41 vjeç, hyn në konflikt me Kryetarin e fshatit.

Dania pa lejë ka ngritur deri 1 metër muret për shtëpi në truallin e tij. Kërkonte leje ndërtimi me gojë, edhe me shkrim, Kryetari për inat nuk ia jepte.

E thërrasin në zyrën e Kryetarit. E shajnë. Policët e rrahin Danen. Të prishte muret patjetër.

Danes i kërceu inati.

Nxjerr një pushkë italiane të LIIB. Kish qenë ushtar kufiri në Jug. Snaiper.

Të nesërmen i paralajmëroi se do të qëllojë, po t’ia prekin muret.

Kryetari, kryepolici i zonës dhe ndihmësi vënë dorë mbi mure. Krisi pushka. Kryepolici dhe ndihmësi vriten. Kryetari dinak, nxitësi i gjithë kësaj historie, rrokulliset brinjaz dhe u shpëton plumbave.

Ushtari i kufiri Dane i njihte taktikat policore për kapjen e kriminelit.

U fsheh.

Një javë nuk e gjenin. Alarm shtetëror. Kufinjtë e shtetit në gadishmëri nr.1.

Një zvministër i brendshëm vihet në krye të operacionit. Ushtarë, policë, forca të ndjekjes. Qen kufiri. Forca vullnetare nga Berati, Skrapari, Gramshi.

Java e dytë.

Dania i fshehur.

Vret qenin Valbona më të mirin e vendit.

E ndjekin.

Në majë të Shpiragut. Matanë Shpiragut rrëmben një grua për t’i shpëtuar rrethimit. Gruaja e fortë. Dania i lodhur, pa ujë, pa bukë. Ajo u përfyt me Danen. Në përleshje gruaja u vra.

Mbas kësaj forcat e ndjekjes e bënë shoshë me plumba.

Trupin ia flakën para spitalit Berat që ta shihnin.

Rebelimi i Danes qe një akt tipik vetvrasës.

Por rezistenca e tij 10 ditore ndaj një shteti ku nuk lëviste as miza, bëri bujë.

Dania tregoi dinjitet përballë poshtërimit të shteti ndaj qytetarit të vet.

Poshtërimi, rrahja prej zyrtarëve të shtetit e bënë kriminel.

U ngritën këngë:

Doli Dania nga Gorica/ e na vrau dy polica. / Doli Dania prej ullirit/ Vrau qenin e kufirit.

Shteti bëri një gjyq për t’i hedhur një batanie arrogancës, arbitraritetit të vet. Policët u dënuan pas vdekje. Kryetari u dënua. Doli një urdhër që ndërtimet për banim pa lejë kur kalojnë mbi një metër, nuk prishen.

Post Scriptum: Danen e kujtova jo se ka ndonjë lidhje me fadromat e sotme.