SEKRET/INCIDENTI I DIPLOMATËVE POLAKË NË TIRANË, NË “BLLOKUN” E UDHËHEQJES
DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TË DATËS 9 PRILL 1970, PËR INCIDENTIN E DIPLOMATËVE TË AMBASADËS POLAKE NË TIRANË, NË “BLLOKUN” E UDHËHEQJES
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME
Tiranë, më 10.4.1970
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 84
DREJTORIA E I-rë
Më datën 9.4.1970, në ora 19.05, zëvendës atasheu i përfaqësisë tregtare Polake, Jerzhi Legucki, tentoi të futet me makinën e tij TD-060, në Bllokun e udhëheqjes së Partisë. Së bashku me të në makinë, ndodheshin edhe tre tregtarë polakë, si dhe gruaja e tij. Gjate tentativës për t’u futur në Bllok, ai u ndalua nga ushtari, të cilin edhe e goditi lehtë në gjurin, parafangoja e makinës.
Në vendin e ngjarjes, shkuan shokët e auto-inspektoratit, të cilët konstatuan se Jerzhi Legucki dirizhonte makinën pa patentë. Gjithashtu u krijuan dyshime se ai, mund të kishte pirë, por nuk pranoi t’i nënshtrohej verifikimit. Mbas një kohe në vendin e ngjarjes erdhën diplomatët polakë: I ngarkuari me punë, Pjotër Gollovcki, atasheu tregtar Brotisllav Osofski, Sekretari i II-të, Taderush Zavadski, si dhe nëpunës të tjerë.
Diplomatët polakë nuk pranuan t’u nënshtrohen rregullave të auto-inspektoratit, nuk nënshkruan proces-verbalin dhe më në fund, u larguan, duke lënë vetëm makinën në vendin e ngjarjes, e cila ndodhet atje. Polakët thanë se; ky ishte një rast i vogël, një thyerje e thjeshtë e rregullave, por juve (shqiptarët), kërkoni ta bëni të madhe. Ata gjithashtu bënë dhe presione të hapta ndaj autoriteteve të auto-inspektoratit, se “do të bëjmë skandal”, etj.
Nga sa u konstatua, pamë se polakët ishin shumë të shqetësuar për Jerzhi Leguckin dhe në një moment, atasheu tregtar i bëri me shenjë, që diçka të hiqte nga vetja. Në këtë kohë u pa se Jerzhi, hoqi diçka nga xhepi i brendshëm i xhaketës dhe mbas pak në makinë u fut sekretari i II-të, Taderush Zavadski, të cilit ja dha sendin.
Shtojmë se Pjotër Gollovcki, në mënyrë kërcënuese dhe autoritare, ndërroi Leguckin nga vendi shoferit dhe në vend të tij mori Zavadskin, duke thënë se: “tashti ju nuk keni të drejtë që të ndërhyni, mbasi makina do të dirizhohet nga Sekretari i II-të”.
Jerzhi Legucki, ndiqet nga organet tona si kuadër i Zbulimit Polak. Kohët e fundit janë marrë të dhëna se ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit të Partisë sonë. Për këtë rast është njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe ju kërkua ndihmë për të ardhur një shok, por ata nuk erdhën.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME