Albspirit

Media/News/Publishing

Tri ese nga Astrit Lulushi

Naiv

Fëmija nuk paragjykon. Ne e mësojmë ndërsa rritet, dhe pasaj i themi mos, paragjykimi nuk është i mirë. Jeta ndahet në dy; kohë për mësim dhe kohë për çmësim. Po sikur të mos mësonim? Të gjithë do të ishim njësoj naiv. Jo grindje, jo konflikt, jo luftë, dhe gjithë energjia do të shkonte vetëm për të bërë gjëra të mira.

Vetëm kundërshtari dëshiron që të dështojmë. Ai përhap gënjeshtra si pjesë e përpjekjes së tij për të shkatërruar besimin tonë. Ai sugjeron me dinakëri se dyshuesi, skeptiku, ciniku është i sofistikuar dhe inteligjent, ndërsa të tjerët janë naivë, të verbër ose tru-shplarë.

Liria në media nuk ekziston kur opinionet janë në unison.

Mendimi nuk përhapet lirëshëm – nuk flas për moderimin, por për mënyrën që koha e re me mentalitetin e vjetër përdor për të krijuar imazhin se çdo gjë shkon mirë në “demokracinë” e stilit shqiptar, ashtu si dikur në komunizmin e llojit të vet.

Nëse dërgon shkrime shpesh, kjo nuk shihet si vlerë, por si gabim, duke mos i botuar.

Çdo gjeni i vërtetë është i detyruar të jetë naiv. Është naive të lutesh nëse nuk do që të ndryshosh formën në të cilën jeton dhe edukon të tjerët.

Shumë aktrojnë sikur nuk janë naivë. Fëmija, naiv, i ka parë të gjitha, ishte këtu i pari, pastaj u mësua.

Shumë herë nuk u kushtojmë vëmendje njerëzve me qëndrim pozitiv, sepse supozojmë se ata janë naivë, budallenj ose të pashkolluar.

Budallai as nuk fal e as nuk harron; naivi fal dhe harron; i mençuri fal por nuk harron. Cilën nga këto do të zgjidhni të jeni?

Pasuria

Familja Vanderbilt, ishte dikur një sinonim për pasurinë e madhe dhe fillimin e Epokës së Artë Amerikane. Ju do të mendonit se kjo lloj pasure do të ishte e qëndrueshme. Por pasuria e Vanderbilt është sot më shumë një përrallë sesa një plan për menaxhimin e pasurisë.

Fajtori? Një rast klasik i hemorragjisë financiare përmes shpenzimeve të pamëshirshme dhe mungesës së largpamësisë.

Cornelius Vanderbilt, patriarku i familjes, ishte si Mida i mitologjisë, “çdo gjë që prekte i bëhej ar”. Vanderbilt e ngriti perandorinë e tij me anije dhe hekurudha. Ai ishte mendjemprehtë dhe e dinte vlerën e një dollari, duke e kthyer një kredi prej 100 dollarësh në miliarda para të ditëve të sotme. Por kur vdiq, trashëgimtarët e tij e morën dhe ngatëruan pasurinë, duke e trajtuar si të pafund.

Ata filluan të konkurronin përmes shpenzimeve. Nuk mjaftonte të ishe vetëm Vanderbilt; duhej edhe t’ia kaloje tjetrit. Ata ndërtuan pallate si Breakers në Newport, të cilat, sipas thënieve, edhe miliarderët e sotëm do të druheshin t’i bënin, aq të kushtueshme ishin. Dhe sigurisht, është mirë të kesh një shtëpi me një emër, por ki parasysh mirëmbajtjen.

Ato prona të përhapura ishin si sitë rëre për fluksin e parave.

Për më tepër, ata nuk arritën të përshtateshin kur ishte e nevojshme. Familja nuk u diversifikua; ata u kapën pas hekurudhave, duke mos parashikuar bumin e automobilave dhe aeroplanëve. Diversifikimi nuk është vetëm zhargon investimi – është taktikë mbijetese për këdo që ka një portofol.

Investimet në filantropi ishin gjithashtu të rëndësishme.

Dhe ndërsa kjo fitoi prestigj shoqëror dhe la një trashëgimi pozitive, nuk bëri asgjë për të rimbushur ‘thesin me ar’.

Pastaj ka hollim brezash. Paratë shpërndahen; më të holla me çdo degë të pemës familjare – më shumë duar, më shumë feta byreku.

Le të mos harrojmë taksat dhe inflacionin – atyre nuk u intereson se çfarë emri keni.

Në një moment, paratë nuk po hynin më, por pritshmëritë për stilin e jetës rriteshin. Ata e injoruan rregullin bazë për të qëndruar të pasur: sigurohuni që paratë tuaja të rriten, ose të paktën të mbeten të qëndrueshme.

Në kohën kur erdhi Gloria Vanderbilt, ditët e lavdisë ishin në pasqyrën e pasme. Megjithatë, Gloria arriti të krijojë një perandori të vogël me përpjekjet e saj të modës, por pasuria fillestare Vanderbilt iku me erërat e teprimit dhe dritëshkurtësisë.

Disa familje arrijnë të qëndrojnë, shpesh: shpenzoni më pak se sa fitoni dhe investoni me mençuri. Amerika parë pasuri të krijuara dhe të humbura, ndoshta jo në shkallën Vanderbilt, por parimet mbeten të njëjta.

Historia e Vanderbilt nuk është unike; është natyra njerëzore në një shkallë të madhe. Në fund, një familje me kredi dikur më të fuqishme se llogaria bankare e qeverisë u bë një shembull i mungesës së përhershme financiare.

Për ata prej jush që shikojnë atë jahtin e ri të shndritshëm ose pallatin tuaj të tipit Vanderbilt, mendoni një moment dhe mos harroni, se nuk ka rëndësi sa keni; është mënyra se si e menaxhoni atë që keni.

Perëndimi

Tani që qytetërimi perëndimor është “i vdekur dhe i ngurtë” dhe po kthehet kundër vetvetes, çfarë i ka mbetur njerëzimit? – pyesin pesimistët.

Në librin e tij “Rënia e Perëndimit”, Oswald Spengler, 100 vjet më parë, përshkroi prishjen e qytetërimit perëndimor duke pretenduar në thelb se një kulturë që e kishte formalizuar veten në një qytetërim ishte e paaftë të gjeneronte energji dhe risi të mjaftueshme për të mbajtur veten. Spengler ishte shumë erudit, por teza e tij dukej se bazohej në idenë se qytetërimi perëndimor në mënyrë të pashmangshme do të mbetej statik. Ai u ndikua shumë nga Nietzsche, i cili dukej se besonte se egalitarizmi demokratik do të ishte fundi i “njerëzve të mëdhenj” dhe për rrjedhojë, fundi i një kulture të aftë për madhështi.

Kryevepra e fundit dhe shumë origjinale e Antoni Gaudit, katedralja La Sagrada Familia, është ende në ndërtim e sipër në Barcelonë, gati një shekull pas vdekjes së arkitektit të saj, në një komb relativisht demokratik dhe egalitar, i cili është dukshëm më pak fetar se sa ishte në kohën e Gaudit.

Pikëpamja e Spenglerit për historinë duket se e ka origjinën në “Prologomena” të Ibn Khaldun, një historian arab, i cili besonte se qytetërimet ngrihen dhe bien në modele afërsisht të parashikueshme, ndërsa vetëkënaqësia e tyre kërcënohet nga të huajt luftarakë, të cilët pushtojnë dhe kthehet në dekadent, vetëm për t’u pushtuar nga vala tjetër e të huajve luftarakë. Ky fenomen ishte i dukshëm në historinë e arabëve, të cilët në fillim ishin pushtues shumë të suksesshëm, të cilët përfunduan duke i lënë skllevërit të luftonin për ta, për t’u pushtuar me radhë nga mongolët, të cilët luftuan për veten e tyre.

Një gabim tjetër që bëri Spengler ishte se e konsideronte qytetërimin perëndimor si monolit, ndërsa, në fakt, është shumë pluralist, me ide konkurruese se çfarë duhet të jetë; dialektika hegeliane tezë – antitezë, që çon në sintezë, dhe nuk ndalet kurrë, megjithëse ngadalësohet herë pas here. Vendet perëndimore, si Italia dhe Gjermania, eksperimentuan me heqjen e dialektikës në shekullin XX, dhe eksperimenti i tyre dështoi mjaft shpejt. Kina po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe e ngurtë, pas një periudhe liberalizimi relativ, me pasojë që lindshmëria ka rënë pavarësisht përfundimit të “politikës së një fëmije”, dhe ata kinezë që kanë burimet për të lënë Kinën po largohen. Krahasuar me modelin alternativ të qytetërimit që përfaqëson Kina, Perëndimi është në gjendje shumë më të mirë.

Larg nga të qenit e vdekur dhe e ngurtë, kultura perëndimore është shumë dinamike. Ne mbajmë mend vitet e hershme në Shqipërinë komuniste dhe u tregojmë të afërmve histori të tmerrshme për represionin, dhe ndihemi me fat që jetojmë në Perëndim, duke qenë shumë të vetëdijshëm për alternativat.

Qytetërimi perëndimor nuk është “perfekt”; nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë, por ia vlen të mbrohet; me gjithë të metat e tij, ka çuar në shoqëri që janë më të lira dhe më të begata se kudo tjetër në botë dhe ka ndryshuar nga një shekull më parë duke u bërë më i lirë dhe më i begatë, gjë që mohon më tepër tezën e zymtë të Spenglerit. Perëndimi është bërë më pak fetar, më pak nacionalist dhe më pak luftarak.

Premisa e pyetjes origjinale është në thelb e metë; Qytetërimi perëndimor ka problemet e veta, të cilat janë të pashmangshme në çdo sipërmarrje njerëzore, por stanjacioni nuk është një prej tyre; Dëshmia për këtë ka, për ata që nuk janë të verbuar nga pesimizmi. Miliona emigrantë lëvizin në Perëndim (dhe shumë të tjerë do të lëviznin nëse do të mundnin) sepse ofron një premtim të besueshëm të një të ardhmeje në krahasim me rajonet e botës që me sa duket nuk e bëjnë këtë; një zgjedhje mjaft e çuditshme për të bërë nëse qytetërimi perëndimor do të ishte me të vërtetë “i vdekur dhe i ngurtë”.