Zana Tako: Vjedhësi i kohëve të sotme…
Nëse nuk e dini se kush ju gënjen, mos mendoni se fajtorin do ta keni përballë, ta kapni për fyti e të përlesheni me të, sepse ai që gënjen e di fare mirë se çfarë bën, e për ta çuar deri në fund veprën e tij, fshihet tinëz teje, e ti mendon se fajtorin është e vështirë ta zësh “me presh në duar”.
Njeriu nuk i ka sytë mbrapa kokës, por i ka në ballë, e fajtori nuk të del ballë për ballë. Njeriu e punon tokën për t’u ushqyer, e mjel edhe bagëtinë, e ruan edhe shtëpinë, i mbledh të vegjëlit e tij rreth sofrës, e këto punë shquhet se i bën mirë. Por një gjë nuk e di njeriu në rradhën e këtyre punëve, të llogarisë edhe vjedhësin, i cili ushqehet nga hambari i atij që punon për të siguruar ushqimin me punë të ndershme.
Vjedhësi është si miu që ha fshehtas dhe kërkon t’i shpëtojë çarkut. Por vjedhësi i kohërave të fundit është mi i madh, është shëndoshur aq shumë, sa ua ka zënë shtëpinë njerëzisë, e nuk i le të flenë rehat. U ka vjedhur të korrat, ua ka vështirësuar vaktet e ushqimit, po ua than edhe burimin e të ardhurave e prokopia po merr të tatëpjetën.
Vjedhësi nuk e tregon profesionin e tij, as lakminë që ka për pasuri, as epshin që ka për tradhti, as zemërimin që e pushton kur e kundërshtojnë, por me bulçi të fryra nga tahmaja në të ngrënë, flet duke u përtypur, gërhet në gjumin e përtacisë, bën llogari me pasurinë e tjetërkujt, e lakmia mban ison e pronarit të vet, duke përqeshur atë që rrëmon xhepat për të blerë një copëz ushqim të ngopë barkun nga uria, e të shuajë etjen nga nxehtësia.
Kjo lojë do të vazhdojë, derisa njerëzia të kuptojë, se vjedhësi ta rrënon shtëpinë, ta rrëmben prokopinë, të ç’nderon edhe si njeri, që të mbetesh fillikat në dëshpërim, pa shpresë dhe pa besë!
18 Korrik 2022.